Slavoj Žižek prej disa kohësh po luan rolin e të moderuarit. Në një botë që po digjet mes luftërave dhe ekstremizmave, filozofi më provokues i kohës sonë u bën thirrje rregullave të demokracisë me një ndjenjë mase të tillë sa duket pothuajse revolucionar.
Për Žižek-un, i cili është në librari me librin “Kundër progresit”, konfliktet në Iran, në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë janë prova e një politike grabitqare që ka humbur lidhjen me të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa Evropa, në këtë tabelë të çmendur gjeopolitike, ka detyrën të flasë edhe një herë gjuhën e arsyes.
A jemi përballë një përplasjeje civilizimesh?
«Është vërtet fundi i rendit të vjetër botëror liberal dhe demokratik. Ajo që po ndodh në Iran vulos katastrofën. Është një situatë unike, në të cilën në dukje nuk ka vend për Evropën. Por pikërisht kjo gjendje krize e dukshme më shtyn të jem tani vendosmërisht eurocentrik».
Si mund ta rikthejë Evropa një rol qendror gjeopolitik?
«Duke mos u përshtatur me rendin brutal botëror që po shfaqet dhe duke vazhduar të përfaqësojë atë që ka mbetur nga bota e civilizuar. Pavarësisht kompromiseve të saj, Evropa përfaqëson ende vlerat e Iluminizmit, të drejtat themelore të njeriut. Ideale për të cilat ende ia vlen të luftohet, por që duhet të rishpikën dhe të përshtaten me kohën tonë. Pikërisht në momentin kur Trump dhe Vance e sulmojnë duke e paraqitur si armik, ne duhet të riafirmojmë një Evropë të bashkuar. Na duhet një federatë evropiane ose diçka e ngjashme për të përballuar sfidat aktuale, jo vetëm luftërat por edhe krizën ekologjike dhe inteligjencën artificiale».
Çfarë përfaqësojnë sot Shtetet e Bashkuara nën Trump?
«Pete Hegseth, ministri amerikan i Mbrojtjes, ka thënë se Irani është rrëzuar i përgjakur në tokë, por se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta godasin me grushte. Mendoj se këto fjalë përfaqësojnë fundin e qytetërimit. Ose më saktë fillimin e një qytetërimi barbar, në të cilin Putin dhe Trump flasin të njëjtën gjuhë».
A ekziston rreziku i një përplasjeje të madhe mes SHBA-së dhe Kinës?
«Nuk besoj se do të ndodhë. Xi Jinping synon marrëdhënie të mira ekonomike, të cilat kanë nevojë për stabilitet dhe rend. Ai ka shkarkuar drejtuesit e ushtrisë, gjeneralë të nivelit të lartë që kishin pozicione më luftënxitëse. Natyrisht nuk po mbroj Kinën – të gjithë e dimë represionin kundër ujgurëve, tibetianëve dhe njerëzve të zakonshëm. Po them vetëm se, krahasuar me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, sot Kina nuk është më e mirë, por është e keqja më e vogël. Evropa duhet të zhvillojë lidhje ekonomike më të ngushta me Kinën për ta izoluar sa më shumë nga Rusia».
Nobelistja iraniane Shirin Ebadi ka thënë se ndërhyrja amerikane në Iran ishte e domosdoshme dhe një luftë çlirimi. Pajtoheni?
«Në një farë mënyre jam dakord, por kundërshtoj mënyrën se si po veprojnë Shtetet e Bashkuara. Trump ka thënë qartë se nuk i intereson nëse Irani do të bëhet demokraci; në vizionin e tij mund të mbetet edhe një teokraci, mjafton të bindet ndaj kërkesave të tij. E njëjta gjë ndodhi me Venezuelën, ku u pranua regjimi pas Maduro-s me disa ndryshime në majë, për sa kohë që vendi i bindet Shteteve të Bashkuara».
A mendoni se shumë iranianë të zakonshëm shpresonin në një ndërhyrje të jashtme?
«Nuk mendoj se shumica e iranianëve janë pro-amerikanë; ata janë më tepër të dëshpëruar, sidomos pas bombardimeve të depozitave të naftës. Jemi përballë një katastrofe ekologjike që prek mushkëritë e miliona njerëzve. Dua të shmang keqkuptimet: jam plotësisht kundër regjimit iranian, mjafton të kujtoj mijëra protestuesit e vrarë gjatë shtypjes së fundit. Është një regjim i tmerrshëm. Por kundërshtoj mënyrën se si Shtetet e Bashkuara, nën presionin e Netanyahut, e kanë kryer këtë sulm. Është një operacion që shkel parimin bazë të sovranitetit të shteteve».
Çfarë skenarësh parashikoni për të ardhmen?
«Nëse republika islamike e Iranit dhe Hezbollah do të binin, do të ishte diçka pozitive. Por besoj se ëndrra e Izraelit për të kontrolluar Lindjen e Mesme nuk do të funksionojë. As një Lindje e Mesme e kontrolluar nga shtete pranë SHBA-së si Katari apo Emiratet. Më e mundshme është hapja e një vale të re terrorizmi fundamentalist dhe antisemitizmi. Është gjithashtu e mundur që Irani të përpiqet vërtet të forcojë programin e tij bërthamor. Jam shumë i shqetësuar».
Si do ta përkufizonit epokën tonë?
«Rusia e Putinit dhe Shtetet e Bashkuara të Trumpit janë boshti i ri i së keqes, mishërimi i një lloji të ri liderësh grabitqarë që shkelin ligjet dhe përdorin brutalitetin për të zgjidhur problemet. Modeli është lideri i Salvadorit, Bukele: një udhëheqës i fortë që vepron duke shpërfillur ligjin. Jetojmë në epokën e politikës grabitqare, brenda një rendi të ri botëror të sëmurë, për të përdorur një term të Gramscit. Prandaj them se duhet të veprojmë jo duke ndjekur rrjedhën e historisë, por duke kundërshtuar prirjen e saj».






















