Politika 15 Mars 2026, 09:05 Nga VNA

18 vite nga Gërdeci. Atje ku politika dështoi dhe drejtësia ende se ka kryer misionin e vet

Ndaje në Whatsapp
18 vite nga Gërdeci. Atje ku politika dështoi dhe drejtësia ende

Një shpërthim i fuqishëm në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec tronditi jo vetëm periferinë, por edhe zemrën e Tiranës.

Flakë, tym, pastaj ulërima dhe kaos. 26 viktima, qindra të plagosur dhe shtëpi të shkatërruara nga shpërthimi.

Ky ishte bilanci tragjik i ndodhur më 15 mars, 18 vite më parë, në fshatin Gërdec, sapo kalon Vorën.

Një ditë e shtunë që për shumëkënd mund të ishte një ditë e zakonshme pushimi. Por për punonjësit e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec ishte një ditë normale pune, që do të kthehej në një makth të paharrueshëm.

Shpërthimi do t’u ndryshonte përgjithmonë jetën disa prej tyre, duke iu lënë plagë e dhimbje. Ndërsa në sipërfaqe do të dilte një histori korrupsioni shtetëror, që edhe sot nuk është zbardhur plotësisht.

Nga shpërthimi humbën jetën edhe fëmijë, mes tyre Erison Durdaj, 7 vjeç, si dhe baxhanaku i kryeministrit të kohës Sali Berisha.

Hetimet çuan në sallën e gjyqit 29 të pandehur, ku më kryesorët ishin ish-drejtori i MEICOS Ylli Pinari, biznesmeni Mihal Delijorgji, drejtori i fabrikës së demontimit Dritan Minxolli, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Luan Hoxha, si dhe disa ushtarakë të tjerë.

Teksa Luan Hoxha zgjodhi të arratisej nga vendi dhe të kërkonte azil politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të pandehurit e tjerë u përballën me drejtësinë dhe u dënuan me dënime që shumëkush i quajti qesharake në raport me jetët njerëzore.

Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes i kohës, dha dorëheqjen dhe ndonëse u mor i pandehur, ai mundi t’u shpëtonte akuzave me procedurë.

Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e Erisonit të vogël që humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit, nuk u ndalën në asnjë moment së kërkuari drejtësi.

Ata vunë në lëvizje SPAK dhe kërkuan hetimin e ngjarjes dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të personave përgjegjës.

Prokuroria e Posaçme mori të pandehur dhe dorëzoi për gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, aktualisht deputet i Kuvendit.

Mediu po përballet me drejtësinë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

“I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve’, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, datë 14.03.2007 ‘Për proçedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni’, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k”, njoftoi SPAK.

Fatmir Mediu i kundërshton akuzat dhe paraqitet rregullisht në proces në Gjykatën e Posaçme.

Gjatë procesit janë dëgjuar dëshmitë e shumë personave, ndërsa ka pasur debat edhe për një fax me mbishkrimin “Për Shkëlzenin”, dërguar nga Ministria e Drejtësisë në drejtim të institucionit të Mbrojtjes.

Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, ka dhënë po ashtu dëshmi në proces.

Po ndërsa procesi po vijon, SPAK pati njoftuar në atë kohë se gjatë hetimeve janë kryer veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja MEICO ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u regjistruar procedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë apo i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Por ndonëse kanë kaluar të paktën 3 vite, ende nuk ka një përgjigje finale për rezultatin e kësaj çështjeje të veçuar.

Tragjedia e Gërdecit mbetet një krim i pandëshkuar.
Familjet e 26 viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Dhe pyetja që mbetet pezull pas kaq vitesh është e njëjtë: kush do të mbajë përgjegjësi për babëzinë që vrau në Gërdec?

Video

Motoristët që punojnë për platformën e shpërndarjes Wolt në Shqipëri kanë nisur protesta ditët e fundit, duke ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe pagesat. Ata pretendojnë se kushtet e punës janë të vështira dhe pagat të ulëta, duke shprehur shqetësimin se kompanitë po punësojnë gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj me paga minimale.

Këto janë pamjet nga vendngjarja në Lezhë, pas shpërthimit me lëndë plasëse në automjetin e një efektivi policie. Sipas informacionit paraprak, rreth orës 05:55 dyshohet se një sasi lënde plasëse është vendosur në një automjet të parkuar tip “Volkswagen Golf”, në pronësi të shtetasit me inicialet G. Gj., 41 vjeç, punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Ndeshja mes Flamurtari FC dhe KF Elbasani është mbyllur mes tensioneve dhe incidenteve në stadium. Gjatë takimit nuk munguan përplasjet në distancë mes tifozerive, ndërsa në përfundim të ndeshjes pati edhe konfrontime në hollin e stadiumit, fillimisht mes lojtarëve dhe më pas edhe mes një pjese të tifozëve të të dy skuadrave. Në këtë ndeshje ishin të angazhuara forca të shumta policie për të garantuar rendin dhe sigurinë. Policia ndërhyri për të qetësuar situatën brenda stadiumit dhe më pas largoi tifozët edhe në zonën jashtë tij. Sa i përket rezultatit sportiv, ndeshja përfundoi me fitoren 2–1 të KF Elbasani

Një protestë kundër Shteteve të Bashkuara u zhvillua në Iran, ku një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte veprimi i disa fëmijëve që dogjën fanella të futbollistit të njohur Lionel Messi. Zemërimi u nxit nga ngjarjet e 5 marsit, kur lojtarët e klubit Inter Miami CF u ftuan në Shtëpia e Bardhë si fitues të MLS Cup. Lionel Messi dhe shokët e tij të skuadrës duartrokitën presidentin amerikan Donald Trump teksa ai po fliste për një operacion ushtarak në Lindjen e Mesme. Ky moment shkaktoi reagime të forta dhe një valë kritikash nga tifozë dhe përdorues të rrjeteve sociale.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme