Bota 14 March 2026, 20:11 Nga VNA

Sulmet izraelite në Liban godasin edhe spitalet: 32 mjekë dhe infermierë të vrarë nga bombardimet

Ndaje në Whatsapp
Sulmet izraelite në Liban godasin edhe spitalet: 32 mjekë dhe

Në Liban, lufta nuk po zhvillohet vetëm në rrugë, por edhe në spitale dhe klinika. Punonjës të shëndetësisë janë vrarë ndërsa trajtonin pacientë ose përpiqeshin të ndihmonin të plagosurit, duke treguar koston e rëndë njerëzore të sulmeve të vazhdueshme.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, që nga 2 marsi sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 31 profesionistë shëndetësorë dhe kanë plagosur 51 të tjerë. Po sipas autoriteteve, Izraeli ka kryer të paktën 37 sulme ndaj punonjësve të emergjencës mjekësore.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i dënoi sulmet ndaj personelit shëndetësor, duke i quajtur ato një “zhvillim tragjik në përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme”.

Bilanci i viktimave tregon edhe intensitetin e konfliktit dhe presionin mbi sistemin shëndetësor të Libanit, i cili po përpiqet të trajtojë më shumë se 2,000 civilë të plagosur, ndërsa 826 persona janë vrarë që nga fillimi i dhunës.

Pasojat e luftës u panë qartë të premten në mbrëmje, kur një sulm ajror izraelit goditi një qendër shëndetësore në Borj Qalaouiyeh, në jug të Libanit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pothuajse i gjithë stafi mjekësor – përfshirë mjekë, infermierë dhe paramedikë – u vra. Vetëm një punonjës mbijetoi me plagë të rënda, ndërsa 12 persona humbën jetën dhe katër të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet libaneze e cilësuan sulmin si “sjellje kriminale”, duke akuzuar Izraelin për sulme të gjera ndaj personelit dhe objekteve mjekësore, përfshirë edhe ambulancat që ndihmonin të plagosurit në vijën e frontit.

Këtë javë edhe Kryqi i Kuq Libanez njoftoi se një nga vullnetarët e tij, Youssef Assaf, vdiq nga plagët që mori teksa po ndihmonte viktimat e një sulmi ajror në jug të vendit.

Nga ana e tij, ushtria izraelite deklaroi se është në dijeni të raportimeve për sulmin në Borj Qalaouiyeh dhe se incidenti është duke u shqyrtuar.

Izraeli thotë se objektivi i tij janë pozicionet e Hezbollahut, duke synuar infrastrukturën dhe objektet që përdoren për sulme kundër Izraelit. Grupi i mbështetur nga Irani kishte nisur raketa drejt Izraelit menjëherë pasi SHBA dhe Izraeli filluan sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, akuzoi Hezbollahun për “përdorim të gjerë ushtarak të ambulancave dhe objekteve mjekësore”, megjithëse nuk dha detaje konkrete apo prova nëse qendra shëndetësore e goditur përdorej nga grupi.

Një zyrtar i lartë i Hezbollahut i tha New York Times se këto akuza janë të pavërteta dhe synojnë të justifikojnë sulmet.

Punonjësit dhe institucionet shëndetësore në Liban kanë qenë edhe më parë në shënjestër. Gjatë konfliktit të vitit 2024, dhjetëra punonjës të shpëtimit u vranë dhe qindra ambulanca dhe objekte shëndetësore u dëmtuan.

“Sulmet ndaj ambulancave, qendrave të kujdesit parësor dhe personelit mjekësor janë jashtëzakonisht alarmante,” tha Ramzi Kaiss, studiues për Libanin në Human Rights Watch. “Sipas ligjeve të luftës, mjekët, infermierët dhe paramedikët janë të mbrojtur në çdo rrethanë dhe nuk duhet të jenë kurrë objektiv.”

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme