
Një armëpushim i brishtë është vendosur mes Izraelit dhe Libanit pasi presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi Izraelit të ndalojë sulmet. Vendimi ka shkaktuar reagim të fortë në Tel Aviv, ku kryeministri Benjamin Netanyahu – sipas Axios – është shprehur i “tronditur” nga deklarata e presidentit amerikan dhe ka kërkuar sqarime nga Shtëpia e Bardhë.
Trump shkroi në rrjetin Truth se Izraeli nuk do të bombardojë më Libanin, duke theksuar se ai vetë e ka ndaluar këtë veprim. Deklarata vjen në momentin kur lufta 45-ditore mes palëve ka shkaktuar mbi 2.200 viktima.
Armëpushimi lidhet me përpjekjen për të rifilluar negociatat në Uashington. Sipas pikave të publikuara nga Departamenti amerikan i Shtetit, marrëveshja mund të zgjatet nëse regjistrohet progres në bisedime. Izraelit i njihet e drejta e vetëmbrojtjes ndaj sulmeve të planifikuara, por ushtria izraelite duhet të ndalojë operacionet ofensive në territorin libanez.
Nga ana tjetër, Bejruti duhet të marrë masa konkrete për të ndalur sulmet e Hezbollahut, ndërsa ushtria libaneze konsiderohet përgjegjëse për sovranitetin dhe mbrojtjen e vendit.
Megjithatë, edhe dita e parë e armëpushimit është shoqëruar me tensione: në jug të Libanit u raportua të paktën një i vrarë nga një dron izraelit, ndërsa militantët shiitë deklaruan se kishin reaguar duke shënjestruar ushtarë izraelitë.
Hezbollahu paralajmëroi se luftëtarët e tij mbeten në gatishmëri dhe se “do të mbajnë gishtin në këmbëz”, duke e bërë të qartë se armëpushimi mbetet shumë i brishtë.






















