Sipas raportimeve, tërheqja e rreth 5,000 trupave amerikane nga Gjermania do ta rikthente praninë ushtarake të SHBA-së në këtë vend në nivelet e para rritjes së forcave pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.
Sipas të dhënave të Departamentit të Mbrojtjes, deri në dhjetorin e kaluar në Gjermani ndodheshin rreth 36,436 trupa amerikane, duke e bërë atë vendin e dytë në botë për nga prania ushtarake amerikane, pas Japonisë.
Pentagoni nuk ka bërë të ditur nëse këto forca do të rikthehen në Shtetet e Bashkuara apo do të zhvendosen në rajone të tjera. Ndërkohë, është raportuar edhe anulimi i dislokimit të një batalioni me aftësi të avancuara raketore me rreze të gjatë veprimi, një zhvillim që do të reduktonte ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë në këtë fushë.
Në vitin 2022, ish-presidenti Joe Biden kishte miratuar dërgimin e 7,000 trupave shtesë në Gjermani, vetëm disa ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë, si pjesë e forcimit të krahut lindor të NATO-s.
Prania ushtarake amerikane në Gjermani ka qenë historikisht shumë më e madhe, duke arritur kulmin gjatë Luftës së Ftohtë me rreth 250,000 trupa të stacionuara në Gjermaninë Perëndimore.
Përveç Gjermanisë, një numër i konsiderueshëm trupash amerikane ndodhen edhe në Itali, me mbi 12,000 efektivë, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, me mbi 10,000. Në Spanjë janë të vendosur rreth 4,000 trupa, ndonëse është raportuar se administrata amerikane ka ngritur shqetësime lidhur me përdorimin e bazave atje në kontekste të ndryshme ndërkombëtare.
Baza ushtarake amerikane në Evropë vijon të luajë një rol kyç jo vetëm në sigurinë e kontinentit, por edhe në operacione në Lindjen e Mesme. Ndër objektet më të rëndësishme përfshihen baza ajrore Ramstein në Gjermani, RAF Lakenheath dhe RAF Mildenhall në Britani, Aviano në Itali, si dhe Lajes Field në Azore të Portugalisë.
Gjithashtu, selia e Komandës Evropiane të SHBA-së dhe Komandës Amerikane për Afrikën ndodhet në Shtutgart të Gjermanisë, ndërsa në Itali funksionojnë objekte të rëndësishme detare në Napoli dhe Sigonella.






















