
Pas një karriere të tërë të kaluar duke u përpjekur të kuptojë bazat neurologjike të autizmit, Uta Frith mbetet e palëkundur në një thirrje që shumë e konsiderojnë kontroverse: të braktiset mënyra aktuale se si e kuptojmë autizmin dhe të niset gjithçka nga e para.
Në shtëpinë e saj në Harrow-on-the-Hill në Londër, mes rafteve të mbushura me libra, modeleve të trurit dhe artit abstrakt, studiuesja 85-vjeçare reflekton me një sinqeritet të rrallë mbi gjashtë dekada kërkimesh.
“Shumë pak gjëra i kanë rezistuar kohës,” thotë ajo. Frith kujton se kur takoi për herë të parë fëmijë me autizëm të rëndë në fundin e viteve 1960, ata mund të identifikoheshin intuitivisht, por jo në mënyrë shkencore. Dhe, sipas saj, kjo mbetet ende pjesërisht e vërtetë edhe sot.
Megjithatë, ndikimi i saj në mënyrën si shkenca e kupton autizmin ka qenë i jashtëzakonshëm. Frith zhvilloi disa nga teoritë më të rëndësishme mbi mënyrën sesi mendja autike mund të funksionojë ndryshe nga ajo neurotipike dhe ishte ndër të parat që përdori skanerët e trurit në vitet 1990 për të testuar këto ide.
Në dekadat e fundit, diagnozat për autizëm janë rritur ndjeshëm, sidomos tek vajzat dhe gratë, kryesisht sepse përkufizimi i gjendjes është zgjeruar dhe bërë më fleksibël. Por Frith mendon se shumë persona në skajin më të lehtë të spektrit kanë pak ose aspak të përbashkëta me ata që kanë forma të thella të autizmit.
“Nuk ka absolutisht asnjë mbivendosje,” thotë ajo. “Kjo është shenja që spektri nuk po funksionon.”
Sipas saj, ideja se autizmi është një vijë e vetme, ku të gjithë renditen nga “më i lehtë” tek “më i rëndë”, mund të jetë një gabim themelor. Në vend të kësaj, Frith mendon se mund të ekzistojnë disa lloje të ndryshme autizmi, të cilat kanë mekanizma të ndryshëm biologjikë dhe neurologjikë.
Debati po fiton terren edhe në komunitetin shkencor, ndërsa studiuesit përpiqen të kuptojnë nëse termi “spektër” është bërë tepër i gjerë për të qenë ende shkencërisht i dobishëm.






















