Bota 12 Maj 2026, 18:05 Nga VNA

Për çfarë do të diskutojnë Trump dhe Xi?

Ndaje në Whatsapp
Për çfarë do të diskutojnë Trump dhe Xi?

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, pritet të zhvillojnë një samit në Pekin – që po vëzhgohet me vëmendje – teksa Uashingtoni dhe Pekini po synojnë një armëpushim të brishtë ekonomik dhe njëkohësisht duke manovruar rreth çështjes së Iranit, Tajvanit dhe kontrollit të zinxhirëve kritikë të furnizimit.

Trump, i cili e ka vizituar për herë të fundit Kinën në vitin 2017, pritet të mbërrijë në mbrëmjen e 13 majit në Pekin dhe do të zhvillojë bisedime dyditore dhe do të ketë paraqitje publike me Xinë më 14 dhe 15 maj. Kjo vizitë po ashtu shënon takimin e parë kokë më kokë të dy udhëheqësve në më shumë se gjashtë muaj, teksa ata po përpiqen të stabilizojnë raportet e tensionuara nga tarifat, kontrollet e eksportit të mineraleve dhe çështje të tjera ku kanë mospajtime.

Përderisa takimi i shumëpritur pritet të trajtojë një gamë të gjerë çështjesh ekonomike dhe gjeopolitike – nga eksportet amerikane të sojës e deri te raportet e Kinës me Rusinë – lufta në Iran po ashtu pritet të jetë në agjendën e samitit, thanë zyrtarë të lartë amerikanë për gazetarët më 10 maj.

“Presidenti [i SHBA-së] ka biseduar disa herë me sekretarin e Përgjithshëm, Xi Jinping, për çështjen e Iranit”, tha një zyrtar, duke shtuar se pritet që Trumpi të “ushtrojë presion” mbi Pekinin, i cili mbështetet në Iranin për naftë me çmim të lirë në raportet e tyre tregtare, për të ndihmuar në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës që tashmë është në muajin e tretë.

Teksa implikimet e luftës në Iran, përfshirë bllokadën në Ngushticën e Hormuzit, pritet të diskutohen në takim, zyrtarët amerikanë dhe analistët thonë se tensionet tregtare do të jenë fokusi kryesor i bisedimeve kur Trump dhe X të ulen para njëri-tjetrit.

“Presidenti Xi dëshiron të reduktojë mbështetjen e SHBA-së për Tajvanin, veçanërisht duke ushtruar presion për vonesa ose kufizime në shitjet amerikane të armëve”, tha për Radio Evropa e Lirë Alicia Garcia-Herrero, kryeekonomiste për Azi-Paqësorin në Natixis, një kompani financiare franceze. “Ai po ashtu është i interesuar të sigurojë lehtësime në kontrollet e eksportit të SHBA-së për teknologjinë e avancuar dhe të mbrojë pozicionin e tij në zinxhirët globalë të furnizimit”.

Të dyja palët pritet gjithashtu të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh, duke nisur nga blerja e produkteve bujqësore sikurse soja e deri tek aeroplanët Boeing, si dhe të mbajnë bisedime për krijimin e forumeve të reja që do të lehtësonin tregtinë e ndërsjellë dhe investimet.

Administrata e Trumpit e ka goditur Kinën me tarifa të larta në fillim të vitit 2024, në momentin kur ai nisi mandatin e dytë presidencial, por tensionet tregtare u ulën më vonë pasi Gjykata Supreme amerikane kufizoi disa nga këto tarifa dhe muajve të fundit vendosi se disa prej tyre ishin të paligjshme. Xi dhe Trump po ashtu arritën një marrëveshje në tetorin e vitit 2025 gjatë një takimi në Korenë e Jugut, që uli tensionet, duke lehtësuar kufizimet e eksportit përfshirë edhe dërgesat e disa materialeve të rralla që dërgohen për në SHBA.

Pekini do të synojë të përdorë kontrollin e tij mbi furnizimin e mineraleve kritike dhe mineraleve të rralla të tokës, një grup prej 17 elementësh që janë thelbësorë për prodhimin e gjithçkaje, nga telefonat e mençur deri tek aeroplanët luftarakë, për të përmirësuar pozicionin e tij negociues, thonë analistët.

“SHBA-ja është në dijeni për këtë problem, përkatësisht që Kina i ka këto karta që mund t’i përdorë kur të dojë, sepse dominon prodhimin dhe përpunimin e këtyre materialeve të rralla të tokës dhe atyre kritike, që janë thelbësore për pothuajse gjithçka”, tha për Radion Evropa e Lirë, Michael Clark, bashkëpunëtor për politikat ndaj Kinës në Qendrën për Përparim Amerikan, institut me seli në Uashington.

Kina nxjerr më shumë se 70 për qind të mineraleve të rralla të tokës në botë, 90 për qind të ndarjes dhe procesimit të tyre dhe 93 për qind të prodhimit të magneteve.

Në tetor të vitit 2025, Kina prezantoi një kornizë ligjore që do t’i lejonte asaj të mohonte eksportin e mineraleve të rralla të tokës dhe komponentëve të tjerë me përdorim të dyfishtë për çdo vend, duke intensifikuar kështu kufizimet e eksportit të vendosura disa muaj më parë mbi shtatë elemente të mineraleve të rralla që janë thelbësore për industrinë e mbrojtjes.

Gjatë takimit Trump-Xi në Korenë e Jugut të zhvilluar po atë muaj bëri që të pezulloheshin disa nga këto kufizime për mineralet e rralla të tokës në këmbim të lehtësimit të disa tarifave të vendosura nga Uashingtoni dhe rifillimi të importit të sojës nga Kina.

“Të dyja palët e dinë se secila ka një element të veçantë që mund ta dëmtojë seriozisht tjetrën”, tha për Radio Evropa e Lirë Rana Mitter, kryetar i katedrës ST Lee për marrëdhëniet SHBA-Azi në Shkollën Harvard Kennedy.

“Kjo është një nga arsyet pse ekziston një armëpushim, i cili të paktën për momentin, është në fuqi deri në tetor [dhe] mund të zgjatet nga ana e SHBA-së”.

Teksa bisedimet tregtare dhe pritja shtetërore pritet të jenë në qendër të vëmendjes, lufta në Iran mund të hedhë hije mbi samitin.

Një javë para se Trump planifikohej të shkonte në Pekin, Kina shpërfaqi lidhjet dhe koordinimin e saj të ngushtë me Teheranin teksa priti në vizitë ministrin e Jashtëm të Iranit.

Departamenti amerikan i Thesarit së voni sanksionoi pesë rafineri private kineze të naftës, përfshirë një që është më të mëdhatë në këtë shtet, për shkak të përpunimit të naftës bruto iraniane. Pekini u përgjigj publikisht duke kundërshtuar ashpër e duke urdhëruar kompanitë që të injorojnë sanksionet amerikane, edhe pse rregullatori financiar kinez privatisht i këshilloi bankat e mëdha shtetërore që të pezullonin kreditë e reja për rafineritë e sanksionuara.

Departamenti amerikan i Shtetit më 8 maj sanksionoi po ashtu katër entitete kineze për “ofrimin e imazheve satelitore dhe lehtësimin e sulmeve ajrore të Iranit ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme”, një vendim që u kundërshtua fuqishëm nga Ministria e Jashtme e Kinës.

Kina dhe SHBA-ja kanë interesa ekonomike dhe strategjike për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalonte një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit para luftës, por analistët thonë se pyetja kryesore për Pekinin është nëse ai është i gatshëm të ushtrojë presion mbi Teheranin dhe çfarë do të kërkonte në këmbim nga Uashingtoni.

“Kina nuk do ta ndihmojë Trumpin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përveç nëse Trumpi i jep Kinës diçka jashtëzakonisht të vlefshme”, tha Clark. “Në këtë rast, kjo mund të përfshijë lehtësimin e kufizimeve mbi kontrollet e eksportit të teknologjisë së avancuar amerikane, si çipat për inteligjencën artificiale, pajisjet e avancuara për prodhimin e çipave dhe teknologjia e turbinave të aeroplanëve luftarakë”.

Një fushë ku Pekini pritet të kërkojë lëshime është Tajvani.

Kina e konsideron Tajvanin si territor të sajin dhe është zotuar se do ta marrë nën kontrollin e saj, qoftë edhe me forcë. Pekini është i shqetësuar për shitjet e armëve amerikane për ishullin vetëqeverisës dhe mund të kërkojë ta shtyjë administratën e Trumpit që të shprehë kundërshtim ndaj pavarësisë së Tajvanit.

Uashingtoni miratoi një paketë rekord për shitjen e armëve për Tajvanin në vlerë prej 11.1 miliardë dollarësh në muajin dhjetor. Ai ka punuar edhe për një paketë tjetër që mund të tejkalojë vlerën prej 14 miliardë dollarë, por sipas raportimeve, njoftimi për Kongresin është shtyrë për të shmangur pengimin e samitit.

Trump u tha gazetarëve më 11 maj se shitjet amerikane të armëve për Tajvanin do të diskutohen gjatë takimit të tij me Xinë.

Ngacmimet e Kinës ndaj Tajvanit në “zonën gri” janë përshkallëzuar vitet e fundit, me simulime të shpeshta të bllokadës, të shoqëruara me sulme të vazhdueshme kibernetike dhe intensifikim të luftës informative.

“[Kina] dëshiron ta bëjë të qartë në samit se e konsideron mbështetjen amerikane për Tajvanin si një problem themelor nga këndvështrimi i saj”, tha Mitter. “Përpjekja për të ndryshuar qëndrimin amerikan për këtë çështje do të jetë një synim kyç, i cili mund të shprehet shumë më hapur sesa çdo gjë që lidhet me Iranin”.

Agjenda e samitit përfshin po ashtu inteligjencën artificiale, armët bërthamore dhe mbështetjen e Kinës për Rusinë gjatë luftës në Ukraine.

Por, mbetet e paqartë se sa thelbësor do të jetë dialogu për këto çështje gjatë samitit.

Pekini ka hezituar që të nisë bisedime për armët bërthamore dhe mund të synojë ta shmangë këtë temë të ndjeshme gjatë samitit. Zyrtarët e administratës Trump kanë thënë se ata synojnë të ngrenë çështjen e mbështetjes financiare të Pekinit për Moskën dhe të hapin “një kanal komunikimi” për të shmangur konfliktet që dalin nga përdorimi i modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale.

“Samiti mund të rezultojë me një armëpushim afatshkurtër që stabilizon përkohësisht tregjet”, tha Garcia-Herrero. “Por, nuk ka gjasa që ai të zgjidhë konkurrencën më të thellë strukturore midis dy fuqive që kanë në teknologji, në zinxhirët e furnizimit dhe çështjet e sigurisë”.

Video

Në ditën ndërkombëtare të infermierëve në vend të propagandës duhet një mesazh për ata të rinj që shkuan për të punuar në Gjermani…

Përplasje shpërthyese dhe akuza të forta brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Audioja më poshtë, e siguruar nga mbledhja e zhvilluar më 30 prill, zbulon tensione të pazakonta mes anëtarëve të KLP-së, ku debatet degraduan në tone të ashpra dhe përplasje të drejtpërdrejta. Në qendër të konfliktit ishte kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, dhe anëtari Sokol Stojani, të cilët u përplasën fort për vendimin e marrë më 2 prill lidhur me hapjen e vendeve vakante në institucion. Bogdani kërkoi rikthimin e çështjes për rishqyrtim, ndërsa Stojani e kundërshtoi ashpër këtë lëvizje, duke ndezur një debat që përfshiu më pas edhe anëtarë të tjerë të Këshillit.

Panik dhe alarm në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi një avion Airbus A321 i kompanisë Lufthansa me 177 pasagjerë dhe 7 persona të ekuipazhit u detyrua të kryente ulje emergjente për shkak të një problemi teknik. Sipas mediave greke, problemi teknik u konstatua gjatë fluturimit, ndërsa rreth orës 18:35 piloti kërkoi kthim emergjent në aeroportin “Eleftherios Venizelos”. Ulja u realizua pa probleme, megjithatë menjëherë pas ndalimit të avionit u aktivizuan procedurat e evakuimit emergjent. Stjuardesat hapën dyert e avionit, aktivizuan rrëshqitëset fryrëse të emergjencës dhe u kërkuan pasagjerëve të largoheshin sa më shpejt nga kabina siç pasqyrohet edhe në një video që po bën xhirron e mediave greke. Sipas autoriteteve greke, si ekuipazhi ashtu edhe të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë evakuimit pati dy lëndime të lehta.

Një video e jashtëzakonshme e publikuar nga NASA tregon momentet kur astronautët e misionit Artemis II eksperimentojnë me një pikë uji brenda kapsulës Orion, duke shfrytëzuar kushtet e mikrogravitetit gjatë udhëtimit historik rreth Hënës. Në videon e publikuar, një pikë uji shihet duke formuar një sferë pothuajse perfekte që noton lirshëm në kabinë. Astronauti Jeremy Hansen, për herë të parë në hapësirë, shihet duke vëzhguar sferën transparente, ku reflektimi i tij shfaqet i përmbysur për shkak të thyerjes së dritës. Më pas ai e manipulon me kujdes sferën e ujit përmes një kashte, duke e lënë sërish të notojë në mikrogravitet. NASA shpjegon se ky fenomen ndodh për shkak të mungesës së gravitetit, ku forcat e tensionit sipërfaqësor bëjnë që uji të marrë formën më të qëndrueshme, atë të një sfere.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme