
SHBA dhe Danimarka po zhvillojnë negociata për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë, ndërsa në diskutim është ngritja e tre bazave të reja ushtarake në jug të ishullit strategjik, raportoi BBC duke iu referuar burimeve zyrtare.
Sipas raportit, kontaktet mes Uashingtonit dhe Kopenhagenit janë intensifikuar muajt e fundit, sidomos pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët kishte sugjeruar se Groenlanda duhet të kalojë nën kontrollin e SHBA-së për të frenuar ndikimin rus dhe kinez në Arktik.
Burime të përfshira në negociata bëjnë të ditur se bazat e reja do të shërbejnë kryesisht për monitorimin e aktivitetit detar rus dhe kinez në korridorin strategjik mes Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se po zhvillon bisedime të nivelit të lartë me Danimarkën dhe autoritetet groenlandeze, pa dhënë detaje konkrete mbi marrëveshjen. Një zyrtar amerikan deklaroi se negociatat po ecin në një “drejtim pozitiv”.
Edhe Ministria e Jashtme daneze pranoi ekzistencën e kontakteve aktive diplomatike me SHBA-në, ndërsa Kopenhageni ka sinjalizuar gatishmëri për të diskutuar zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në ishull.
Sipas të njëjtave burime, pala amerikane ka propozuar që bazat e reja të konsiderohen territor sovran i SHBA-së, megjithatë ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare dhe numri i instalimeve mbetet i hapur.
Një nga bazat pritet të ndërtohet në Narsarsuaq, zonë ku më parë ka funksionuar një bazë ushtarake amerikane me aeroport të vogël. Analistët vlerësojnë se edhe instalimet e tjera mund të ndërtohen pranë porteve ose aeroporteve ekzistuese për të reduktuar kostot operative.
Burimet theksojnë se deri më tani SHBA nuk e ka ngritur zyrtarisht çështjen e marrjes nën kontroll të Groenlandës, ide kjo e refuzuar publikisht si nga Danimarka, ashtu edhe nga NATO.
Ndërkohë, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se bisedimet me SHBA-në “kanë bërë hapa në drejtimin e duhur”, por nënvizoi se Groenlanda nuk do të pranojë asnjë cenim të sovranitetit të saj.
Aktualisht, SHBA operon në Groenlandë përmes bazës ajrore-hapësinore Pituffik, e përdorur në kuadër të NORAD për monitorimin e kërcënimeve raketore.






















