Aktorja australiane Nicole Kidman ka zbuluar se po trajnohet për t’u bërë “death doula”, ose shoqëruese për personat në fundin e jetës, një profesion që ofron mbështetje emocionale, fizike dhe psikologjike për njerëzit që ndodhen në momentet e fundit të jetës.
Kidman e bëri këtë deklaratë gjatë një bisede në Universitetin e San Franciskos, duke shpjeguar se vendimi u ndikua nga vdekja e nënës së saj, Janelle Ann, në vitin 2024, në moshën 84-vjeçare.
Ajo tha se gjatë ditëve të fundit të jetës së nënës së saj kuptoi sa e vështirë është për familjarët të jenë gjithmonë pranë, duke shtuar se do të dëshironte të kishte njerëz të trajnuar që të ofronin qetësi dhe kujdes për të sëmurët në ato momente.
“Ndërsa nëna ime po ndërronte jetë, ajo ishte e vetmuar dhe familja mund të bënte vetëm një pjesë të asaj që nevojitej,” tha Kidman.
Profesioni i shoqëruesve në fundin e jetës është bërë më i përhapur vitet e fundit dhe konsiston në shoqërimin dhe mbështetjen e personave në fazat e fundit të jetës, pa ndërhyrje mjekësore.
Kidman nuk është e vetmja në Hollywood që ka zgjedhur këtë rrugë. Edhe regjisorja fituese e Oscarit Chloé Zhao është trajnuar si shoqëruese në fundin e jetës, duke thënë se frika e saj nga vdekja e shtyu të kërkonte një marrëdhënie më të shëndetshme me këtë realitet.






















