Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke e akuzuar se nuk ka “guxim” për çështjen e Iranit dhe se Italia nuk po ndihmon në krizën e lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Në një bisedë telefonike me gazetën italiane Corriere della Sera, Trump u ankua për mungesën e përfshirjes së Italisë në krizën energjetike dhe tensionet me Iranin. Ai tha se është “i tronditur” nga qëndrimi i Melonit dhe se kishte menduar se ajo kishte më shumë guxim.
“A ju pëlqen që kryeministrja juaj nuk po bën asgjë për të siguruar naftën? Nuk mund ta imagjinoj që njerëzit ta pëlqejnë këtë. Jam i habitur prej saj. Mendova se kishte guxim, por u gabova”, tha Trump.
Megjithatë, ai pranoi se nuk e kishte diskutuar drejtpërdrejt këtë çështje me Melonin, duke shtuar se Italia duket se nuk dëshiron të përfshihet në krizë, edhe pse përfiton nga furnizimi me naftë që kalon përmes Hormuzit.
Trump reagoi gjithashtu ndaj deklaratave të Melonit, e cila kishte cilësuar si “të papranueshme” sulmet e tij ndaj Papës, të cilin presidenti amerikan e kishte quajtur “të dobët”.
“E papranueshme është ajo, sepse nuk i intereson nëse Irani do të ketë armë bërthamore dhe do ta hidhte në erë Italinë për dy minuta nëse do të kishte mundësinë”, u përgjigj Trump.
Presidenti amerikan përsëriti kritikat edhe ndaj Papës për thirrjet e tij për paqe, duke thënë se ai “nuk e kupton luftën dhe nuk duhet të flasë për të”.
Në të njëjtën intervistë, Trump komentoi edhe humbjen e aleatit të tij Viktor Orbán në zgjedhjet në Hungari, duke e cilësuar atë “një mik dhe një njeri të mirë” që kishte bërë një punë të mirë për çështjen e emigracionit.
Ai shtoi gjithashtu se nuk ka folur prej kohësh me Melonin, duke e akuzuar Italinë se nuk dëshiron të ndihmojë në NATO dhe në përpjekjet për të frenuar ambiciet bërthamore të Iranit. Sipas Trump, aleanca është bërë “si një tigër prej letre” nëse vendet anëtare nuk janë të gatshme të përfshihen në kriza të tilla.






















