
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka deklaruar se nuk do t’i nënshtrohet presionit për përfshirjen e vendit në një konflikt me Iran, duke theksuar se një angazhim i tillë nuk është në interesin kombëtar.
Komentet e tij vijnë vetëm disa orë pasi Donald Trump, në një intervistë, la të kuptohej se kushtet e marrëveshjes tregtare mes Britanisë dhe SHBA-së, të arritur vitin e kaluar, mund të rishikohen.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Starmer pranoi se përballet me presion të konsiderueshëm për të ndjekur një kurs tjetër politik, duke shtuar se zhvillimet e fundit e kanë intensifikuar edhe më tej këtë presion.
“Nuk do të ndryshoj mendje. Nuk do të përkulem. Nuk është në interesin tonë kombëtar të përfshihemi në këtë luftë dhe ne nuk do ta bëjmë. E di se ku qëndroj”, u shpreh ai.
Kryeministri britanik ritheksoi se qeveria mbetet e vendosur për të mos ndërhyrë, duke nënvizuar se ky konflikt nuk është lufta e Britanisë.






















