Bota 26 Gusht 2025, 13:41 Nga VNA

Nga surrogacia tek “sex work”/Agjenda e majtë për të çrrënjosur familjen tradicionale dhe për t’ja dorëzuar gjithçka shtetit

Ndaje në Whatsapp
Nga surrogacia tek “sex work”/Agjenda e majtë për të

Ryan McMaken në Mises Wire paralajmëron se ideologët socialistë po shënjestrojnë vetë bazën e pavarësisë njerëzore – familjen – për t’i hapur rrugë një pushteti totalitar.

Në fillim të muajit qershor, në Konferencën e Socializmit 2025, organizata Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA) mbajti panelin mbi familjen. Tema u paraqit nga Organizata me idenë: “Si e majta duhet të lidhet me familjen? Analiza socialiste e bën të qartë se forma e familjes bërthamë është një institucion në thelb shtypës, racist dhe heteroseksist, që përforcon dhe riprodhon në mënyrë funksionale kapitalizmin.”

Në tryezë morën pjesë Olivia Katbi, bashkëkryetare e DSA-së të Portlandit; Eman Abdelhadi, asistente profesore dhe sociologe në Universitetin e Çikagos; dhe Katie Gibson, bashkëpunëtore mësimdhënëse në Universitetin e Çikagos.

Idetë kryesore nga panelistët ishin:

 “Kur flasim për zhdukjen e familjes, flasim për zhdukjen e njësisë ekonomike … është koleltivi ai që do të kujdeset për të gjitha nevojat tona materiale.”

 “Ne jemi në favor të zhdukjes së familjes në përgjithësi… institucioni i familjes vepron si pjesë e sistemit të burgut.”

Natyrisht, këta të majtë pjesërisht duan ta zhdukin familjen sepse pajtohen me Marksin që familja është një institucion “borgjez” që duhet të shkatërrohet për t’i hapur rrugën utopisë socialiste. Një element tjetër kundër familjes vjen nga preokupimi i çuditshëm i së majtës për shndërrimin e seksit në mall të tregtueshëm. Është ironike që këta “antikapitalistë” kërkojnë me kaq zell ta shndërrojnë seksin në një mirë ekonomike, por duket se ky është parim kyç i mendimit majtist në dekadat e fundit. Kështu, ata kërkojnë të normalizojnë marrëdhënien seksuale si punë. Kjo ndodh pjesërisht pasi e majta e sheh martesën në vetvete si një lloj pune seksuale. Në fund të fundit, familja është “në thelb shtypëse” dhe e gjithë marrëdhënia seksuale brenda martesës është në thelb përdhunim. Prandaj, zhdukja e kryerjes së marrëdhënieve seksuale përmes lidhjes martesore dhe zëvendësimi me “marrëdhënie seksuale si punë” konsiderohet “përparim”.

Ja disa citate të marra nga tryeza e rrumbullakët që e pasqyrojnë këtë qëndrim:

 “Marrëdhëniet seksuale si punë dhe në martesë nuk mund të ekzistojnë pa njëra-tjetrën - ato janë dy anët e së njëjtës medalje.”

 “I vetmi ndryshim i vërtetë ndërmjet martesës dhe prostituimit është çmimi dhe kohëzgjatja e kontratës.”

Këta të majtë besojnë gjithashtu se rritja e fëmijëve duhet të menaxhohet dhe kontrollohet nga shteti. Domethënë, rritja e fëmijëve duhet të kolektivizohet dhe lidhja prind-fëmijë të zëvendësohet me marrëdhënien fëmijë-kolektiv.

Kjo ide është sigurisht e njohur për Sophie Lewis, një prezantuese tjetër në konferencë, e cila ka shkruar një libër që nxit përdorimin e gjerë të mëmësisë përmes surrogacisë (me nëna zëvendësuese apo “të marra me qira” – shënim i përkthyesit) për lindjen e fëmijëve. Në mënyrë specifike, Lewis pohon se surrogacia është një mjet i dobishëm për këputjen e lidhjes biologjike midis prindërve dhe fëmijëve dhe për shkatërrimin e nocioneve tradicionale të gjinisë dhe familjes.

(Lewis ka pjesërisht të drejtë. Surrogacia në të vërtetë e minon familjen si institucion dhe përhapja e saj do të jetë një gur themeli për makthin post-humanist distopik që po përpiqen të ndërtojnë njerëz si Elon Musk.)

Në thelb të gjithë kësaj është kundërshtimi ndaj familjes si një institucion i pavarur dhe pretendimi i majtë se familja duhet të vendoset plotësisht nën kontrollin e shtetit.

Çfarëdo që e majta mund të ketë për të thënë në lidhje me mekanizmat ekonomikë që supozohet se qëndrojnë në themel të familjes, fakti është se urrejtja e së majtës për familjen rrjedh kryesisht nga fakti se familja është pengesë e pushtetit shtetëror.

Siç e theksova në një leksion vitin e kaluar, familja është institucion para të gjitha shteteve dhe që është i natyrshëm për gjendjen njerëzore dhe për të gjitha shoqëritë njerëzore.

Majtistët si ata të konferencës së DSA-së kërkojnë të shpërbëjnë çdo gjurmë të mbetur të qeverisjes së pavarur joshtetërore. Edhe pse e mohojnë këtë, “socialistët demokratë” janë në ballë të nxitjes për pushtet shtetëror të pakufizuar, që do të administrohet nga një oligarki sunduese “e ndriçuar”. Prandaj, socialistët demokratë kërkojnë të rifokusojnë të gjitha besnikëritë njerëzore ndaj shtetit, duke krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë shtet-qytetar për të gjithë dhe duke e vendosur shtetin si institucionin që përmbush të gjitha nevojat njerëzore. Ndryshe nga çdo familje e veçantë, e cila është relativisht e dobët në ushtrimin e pushtetit të saj dhe është gjithmonë e përkohshme, pushteti i shtetit, në vizionin e së majtës, duhet të jetë dërrmues dhe i përhershëm.

Ideja e familjes si pengesë ishte ideja qendrore për përkrahësit e ndërtimit të shtetit përgjatë shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzet. Marksistët, duke qenë përkrahësit ekstremë të pushtetit shtetëror, gjithashtu e gjetën “problemin” te familja. Për shembull, marksistët në Europën e shekullit të nëntëmbëdhjetë e panë që sipërmarrjet e zgjeruara familjare përbënin një vend të veçantë pushteti jashtë strukturës së shtetit dhe shumë prej këtyre familjeve me vetëdije kërkonin të mbeteshin ekonomikisht të pavarura. Pikëpamja e historianit marksist Eric Hobsbawmpër “familjen borgjeze” jep një pjesë të rolit qendror të familjes në shoqërinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë: “‘Familja’ nuk ishte thjesht njësia themelore shoqërore e shoqërisë borgjeze, por njësia e saj themelore e pronës dhe sipërmarrjes ekonomike.”

Por edhe kjo konkurrencë institucionale informale me shtetin nuk mund të tolerohet prej përkrahësve të idesë së një pushteti më të madh shtetëror. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kundërshtimi i shtetit ndaj institucioneve të pavarura kaloi në një tjetër nivel me shtetin e mirëqenies. Kjo së pari u shfaq në Gjermani, ku shteti i vërtetë burokratik i mirëqenies u prezantua për herë të parë nga nacionalisti konservator Otto von Bismarck. (Bismarck ishte konservator, por ai e zbatoi shtetin e mirëqenies - i cili u nxit prej socialistëve - si një mjet për të përvetësuar politikisht socialistët.) Sidoqoftë, Bismarck, ashtu si socialistët, e shtyu më tej shtetin e mirëqenies si një përpjekje të qëllimshme për t’i dhënë fund pavarësisë financiare të popullsisë nga shteti.

Ekonomisti Antony Mueller arrin në përfundimin se shteti i mirëqenies krijoi “një sistem detyrimesh të ndërsjella midis shtetit dhe qytetarëve të tij”. Kjo gjithashtu u bë një mjet i fuqishëm për të anashkaluar njësinë familjare që qëndronte si një institucion ndërmjetës midis shtetit dhe individëve. Sigurisht, kujdesi për të varfërit ka ekzistuar edhe në të kaluarën. Por, pothuajse gjithmonë administrohej në nivelin e familjes. Shteti, përpara shtetit të mirëqenies të Bismarkut, ende nuk kishte depërtuar plotësisht në njësinë familjare për t’u marrë drejtpërdrejt me individët.

I njëjti plan është kopjuar në të gjithë botën dhe ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në kooptimin e familjes nga shteti. Natyrisht, të majtët modernë duan më shumë nga kjo. Shumë më tepër.

Ky ka qenë çelësi në grumbullimin dhe shtresëzimin e pushtetit shtetëror dhe mënjanimi i familjes është mjaft i rëndësishëm për të majtën, sepse rezistenca ndaj shtetit ka tendencë të jetë e përqendruar rreth një lloji besnikërie institucionale kulturore ose lokale. Historikisht, shpesh mori formën e rrjeteve lokale të familjeve dhe aleatëve të tyre. Tocqueville vuri në dukje se këto grupe ofronin një lidhje të gatshme rreth së cilës mund të organizohej kundërshtimi ndaj abuzimeve qeveritare. Ai shkruan, “Për sa kohë që ndjenja familjare mbahej gjallë, kundërshtari i shtypjes nuk ishte kurrë vetëm; ai shikonte përreth dhe gjente klientët e tij, miqtë e tij trashëgimtarë dhe të afërmit apo njerëzit si ai. Nëse dëshirohej kjo mbështetje, e gjente atë te paraardhësit e tij dhe frymëzohej nga pasardhësit e tij.”

Pa këto, ose pa institucione të ngjashme, përfundon Tocqueville, opozita politike ndaj shtetit bëhet e paefektshme. Në mënyrë specifike, pa institucione përmes të cilave mund të ndërtohet praktikisht rezistenca ndaj pushtetit shtetëror, edhe ideologjia antiregjim nuk ka asnjë mënyrë për t’u vënë në praktikë.

Ai shtjellon më tej: “Çfarë force mund të ruajë edhe opinioni publik, kur as njëzet persona nuk arrijnë të lidhen me një lidhje e përbashkët; kur as edhe një person, apo as edhe një familje… nuk ka fuqinë ta përfaqësojë atë opinion; dhe kur çdo qytetar - duke qenë po aq i dobët, po aq i varfër dhe po aq i varur – mbetet vetëm me pafuqinë e tij personale për t’iu kundërvënë forcës së organizuar të qeverisë?”

Zvogëlimi i individëve në njësi të pafuqishme dhe të izoluara - të cilët ndërveprojnë kryesisht me agjentët e shtetit - është rezultati përfundimtar i përpjekjeve të së majtës, pavarësisht se cilat mund të jenë qëllimet e saj të deklaruara. Në vend të grupeve të pavarura familjare, të lidhura nga biologjia dhe mënyrat e lashta, natyrore të dashurisë dhe besnikërisë njerëzore, ne duhet të kemi, si “normë”, punonjës seksi sipas rregullave të shtetit dhe fëmijë të caktuar (si në formë talloni) nga shteti, të ngjizur me anë të fertilizimit artificial (in vitro) dhe të rritur në mitra zëvendësuese. Kjo, na thotë e majta, do të na çlirojë nga “skllavëria” e martesës dhe familjes, dhe do ta zëvendësojë kapitalizmin me “lirinë” për të qenë plotësisht vetëm, për të qenë atome dhe pa lidhje shoqërore ose ekonomike jashtë strukturave të shtetit. 

 

Burimi: https://mises.org/mises-wire/leftists-still-want-abolish-family?utm_source=MI+Subscriptions&utm_campaign=6bae37b408-EMAIL_CAMPAIGN_2024_03_01_07_02_COPY_01&utm_medium=email&utm_term=0_-fb69bb184c-230529100

 

 

Video

Këto janë pasojat e zjarrit që ra ditën e sotme në afërsi të autostradës Lezhë-Milot, ku fillimisht u dogj një sipërfaqe me shkurre, e më pas flakët përpinë dhe një pjesë të një lokali dasmash aty pranë. Kujtojmë se zjarri i rënë në segmentin Laç-Lezhë u përhap me shpejtësi i favorizuar edhe nga era, duke rrezikuar kështu edhe disa banesa që ndodheshin aty pranë. Sipas raportimeve të fundit, flakët janë vënë nën kontroll, por shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e Policisë vijojnë të qëndrojnë në vendngjarje, pasi pranë lokalit ndodhen dhe disa depozita gazi.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre pranë një biznesi në afërsi të superstradës Lezhë–Milot. Për shkak të erës, flakët janë përhapur me shpejtësi duke rrezikuar disa banesa përreth, si edhe një restorant të madh dasmash që ndodhet pranë zonës së përfshirë nga zjarri. ? Forca të shumta zjarrfikëse ndodhen aktualisht në terren dhe po punojnë për të penguar përhapjen e flakëve dhe për t’i vendosur ato nën kontroll.

Një konflikt për motive të dobëta në një hotel në Borsh ka degjeneruar në dhunë dhe kërcënime me armë zjarri. 26-vjeçari E. Sh., pronar i hotelit, ka kanosur me pistoletë dy punonjëset e tij, nënë e bijë, A. O., 21 vjeçe dhe R. O., 53 vjeçe. https://www.vna.al/kronika/kanos-me-arme-dy-punonjeset-ne-lokalin-e-tij-perfundon-ne-pranga-26-vjec-i13663

Mëngjesin e kësaj të marte është duke u kryer ceremonia e pritjes për viktimën Marjola Nakoleci e cila u vra nga bashkëshorti i saj rreth 4 ditë më parë në Volos të Greqisë. Trupi i pajetë i saj u soll gjatë pasdites të së hënës dhe do të prehet në varrezat e qytetit të Korçës. Miq,familjarë dhe të afërm të viktimës janë duke i dhënë laltumirën e fundit 36 vjeçares dhe ndodhen në gjëndje të rënduar psikologjike teksa kanë ndaluar kategorikisht praninë e mediave.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme