Bota 26 Gusht 2025, 08:13 Nga VNA

Ukraina synon gazin amerikan teksa Rusia ndërron objektivin e sulmeve

Ndaje në Whatsapp
Ukraina synon gazin amerikan teksa Rusia ndërron objektivin e sulmeve

Kur Rusia e ka nisur një sulm me 39 dronë në një stacion kompresorësh në perëndim të Ukrainës këtë muaj, Ukraina e ka kuptuar se objektivi i sulmeve ka ndryshuar.

Sulmi ka ndodhur më pak se dy javë pasi Ukraina e ka arritur një marrëveshje për të blerë gaz natyror prej Azerbajxhanit – e para e tillë.

Shënjestra e sulmit ka qenë kritike për importim të naftës prej jugut të Evropës përmes korridorit trans-ballkanik për në Ukrainë.

Ky ka qenë vetëm njëri prej shumë sulmeve ndaj infrastrukturës së gazit natyror në Ukrainë këtë vit, për dallim prej sulmeve të kryera në tre vjetët e fundit në rrjetin e energjisë.

Ky ndryshim e ka detyruar Kievin që të sigurojë importe, përfshirë prej Azerbajxhanit dhe – indirekt – nga Shtetet e Bashkuara.

Kompania shtetërore Naftogaz, më e madhja për prodhim të gazit në Ukrainë, ka thënë se infrastruktura është goditur mbi 100 herë në nëntë sulme të ndryshme ajrore më 2025.

Në shkurt, kur temperaturat mesatare ditore në Ukrainë janë në minus, Rusia e ka goditur këtë sektor ukrainas, duke ia pamundësuar ruajtjen e gjysmës së sasisë së gazit. Kështu, Kievi është detyruar t’i importojë 0.8 miliard metra kub gaz.

Prandaj Ukraina po përpiqet që t’i mbushë rezervat nëntokësore me kapacitet prej 13.2 miliardë metrash kub para sezonit të ngrohjes. Prej tyre, 4.6 miliardë metra kub duhet të jenë prej importeve.

Oleksandr Kharchenko, drejtor menaxhues në Qendrën për Kërkime në Industrinë e Energjisë, kompani për konsulencë me bazë në Kiev, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata me gazin e brendshëm është “e vështirë, por nën kontroll”.

Sfida më e madhe nuk ka të bëjë me sigurimin e gazit të lëngshëm, por me financimin e tij. Banka Kombëtare e Ukrainës ka vlerësuar në prill se shtetit do t’i duhet t’i shpenzojë 2.9 miliardë dollarë në importet e gazit më 2025.

“Infrastruktura e gazit natyror nuk ka qenë shënjestër e sulmeve në vitet e para, mirëpo tani gjithçka është lojë”, ka thënë Olga Khakova, analiste e energjisë në Këshillin Atlantik në Uashington, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Është përpjekje për ta destabilizuar sigurinë energjetike, jo vetëm në Ukrainë, por në gjithë Evropën. Moska synon krijimin e kaosit brenda industrisë së energjisë”.

Sulmet e Rusisë në infrastrukturën e gazit natyror të Ukrainës janë intensifikuar prej përfundimit të kontratës ruse për ta bartur naftën në Evropë përmes tubacioneve ukrainase – çështje e kontestueshme edhe në kohë të paqes – më 1 janar të këtij viti.

Volodymyr Omelchenko, drejtor i programeve të energjisë në Qendrën Razumkov, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sulmet synojnë dobësimin e Ukrainës para dimrit.

“Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ruse e kupton qartë se kërcënimi më i madh për Ukrainën këtë dimër është mungesa e gazit natyror, sepse në rezervat e gazit ukrainas momentalisht ka shumë zbraztësi”, ka thënë Omelchenko.

Analisti politik me bazë në Kiev, Oleh Saakian, ka thënë se sulmet janë pjesë e një strategjie ruse për të dalë në përparësi teksa zhvillohen bisedimet për paqe.

“Ata po tentojnë të krijojnë një sfond të përshtatshëm informativ, propagandistik dhe ideologjik për negociata”, i ka thënë ai Radios Evropa e Lirë.

“Ky nuk është asgjë përveç presionit ndaj popullsisë civile dhe presionit psikologjik ndaj autoriteteve ukrainase”.

Strategjia ruse e ka rritur urgjencën te Kievi që t’i rrisë importet dhe t’i diversifikojë furnizuesit.

Përveç Azerbajxhanit, Kievi ka dhënë sinjale se është i interesuar në blerjen e gazit të lëngshëm natyror të Shteteve të Bashkuara, hap i denjë politik teksa presidenti amerikan, Donald Trump, e ka kthyer këtë lëndë në prioritet dhe i ka bërë thirrje Ukrainës ta rimbusojë SHBA-në për ndihmën e dhënë ushtarake.

Andrew Favorov, biznesmen me seli në SHBA, i cili ka punuar gjatë me sektorin e industrisë së gazit në Ukrainë, ka thënë se nënshkrimi i kontratave afatgjata për sigurimin e gazit të lëngshëm natyror prej furnizuesve amerikanë është “synim i qartë” për Kievin, duke marrë parasysh potencialin për përfitime diplomatike.

Ai ka sugjeruar se Ukraina mund të kërkojë ndihmë financiare prej Korporatës për Financa Zhvillimore – krahu i Uashingtonit për investime – për të siguruar kredi më të favorshme.

Në një deklaratë nisur Radios Evropa e Lirë, ministrja ukrainase e Energjisë, Svitlana Grynchuk, ka thënë se Ukraina është në bisedime me kompani amerikane, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Megjithatë, ajo ka konfirmuar se një stacion kompresorësh në Odesë, që është sulmuar në gusht, është pjesë e infrastrukturës së domosdoshme për të importuar gazin e lëngshëm natyror amerikan prej porteve në jug të Evropës.

Shtetet e Bashkuara janë eksportueset më të mëdha në botë të gazit natyror, dhe sasia më e madhe transportohet në botë në formë të gazit të lëngshëm natyror.

Eksportet e gazit të lëngshëm natyror amerikan pritet të rriten dukshëm deri në fund të dekadës për shkak të ndërtimit të objekteve të reja për magazinim.

Kompania më e madhe private për energji në Ukrainë, DTEK ka thënë më herët gjatë vitit se është duke negociuar me kompani amerikane për kontrata afatgjata.

Kjo kompani ka importuar gaz të lëngshëm natyror prej SHBA-së për herë të parë në dhjetor të vitit të kaluar.

Naftogaz ka arritur marrëveshje këtë vit për blerjen e 0.44 miliard metrave kub të gazit të lëngshëm natyror amerikan prej kompanisë polake të energjisë, Orlen.

Hinson Peters, menaxher i komunikimeve strategjike në Qendrën për gaz të lëngshëm natyror, grup tregtar amerikan, e ka konfirmuar se ekziston interes komercial prej blerësve ukrainas për kontrata afatgjata.

Në të njëjtën kohë, evropianët janë duke i rritur përpjekjet për t’i ndihmuar Ukrainës në blerjen e naftës për dimrin e ardhshëm. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka thënë më herët gjatë muajit se do të ndajë kredi prej 580 milionë eurosh për Naftogazin për blerje të gazit natyror.

Norvegjia, furnizuesja më e madhe e gazit natyror në Evropë, është zotuar për ndarjen e 100 milionë dollarëve për Naftogazin për qëllime të njëjta.

Se sa fonde do t’i duhen Ukrainës këtë vit për t’i përmbushur kërkesat e brendshme për gaz do të varet prej veprimeve të Rusisë, pra nëse Moska do të vazhdojë t'i shënjestrojë me dronë dhe raketa zonat për prodhimin e gazit, ruajtjen dhe pajisjet për transport./REL

Video

Një helikopter tip Morane 29 u rrëzua në Liqenin Rosporden, në Francë, gjatë një operacioni për shuarjen e një zjarri të madh. Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 19:00, kur mjeti ajror humbi kontrollin teksa po mbushte ujë nga liqeni. Pamjet tregojnë momentin dramatik kur helikopteri u përplas në ujë dhe u shpërbë, pasi piloti humbi kontrollin pas zhytjes së bishtit në liqen. Për fat të mirë, piloti dhe zjarrfikësi në bord arritën të shpëtojnë pa lëndime. Autoritetet franceze vlerësuan guximin dhe profesionalizmin e tyre në përballimin e situatës.

? Përhapet zjarri në Akërni, nis ndërhyrja nga ajri Një vatër zjarri ka përfshirë pyllin me pisha pranë hidrovorit të fshatit Akërni që prej pasdites së sotme. Situata u përkeqësua dhe po punohet për ta vënë nën kontroll. ? Në operacion janë angazhuar 4 helikopterë nga Baza Ajrore e Kuçovës, së bashku me ekipet në terren. ? Forca Ajrore po monitorojnë zonën, për të identifikuar vatra të reja dhe për të evidentuar raste të mundshme të zjarrëvënies së qëllimshme.

Policia Kufitare Vlorë ndihmon turistët në Sarandë dhe Palasë, mbetën në det te hapur ? Sarandë – Rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkoi ndihmë pasi mjeti i tij pësoi defekt dhe mori ujë. Pas njoftimit, patrulla e Policisë Kufitare ndërhyri menjëherë duke bërë të mundur shoqërimin e sigurt të kapitenit drejt bregut dhe rimorkimin e jahtit drejt Portit të Limionit. ? Palasë – Në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në një mjet lundrues u rrezikuan për shkak të kushteve të vështira të detit. Policia Kufitare reagoi me shpejtësi, duke bërë të mundur shoqërimin e tyre të sigurt në breg si dhe ankorimin e mjetit detar në molin e Palasës.

Një zjarr ka përfshirë pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, ne fshatin Akërni , Njësia Administrative Novosele . Nga pamjet e para, tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën, duke krijuar shqetësim për banorët dhe mjedisin përreth. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Vlorës me 7 punonjës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Për fat të mirë, pasditja nuk është shoqëruar me erë të fortë, faktor që po ndihmon në frenimin e përhapjes së zjarrit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme