
Një flamur palestinez vazhdon të valëvitet në majë të monumentit më të lartë të Dublin, ndërsa autoritetet thonë se heqja e tij është shumë e rrezikshme dhe e kushtueshme.
Flamuri u shfaq në shtator të vitit të kaluar në majë të monumentit 120 metra të lartë The Spire of Dublin, në rrugën O’Connell. Prej shtatë muajsh ai ka mbetur aty, ndërsa askush nuk ka marrë përgjegjësinë për vendosjen e tij dhe mbetet mister se si është vendosur.
Autoritetet e qytetit kanë shqyrtuar disa mundësi për ta hequr flamurin, përfshirë përdorimin e litarëve për ngjitje, “shkallëve të posaçme” dhe një vinçi gjigant prej 300 tonësh. Por të gjitha opsionet janë refuzuar pasi konsiderohen shumë të rrezikshme, shumë të shtrenjta ose të padobishme.
Sipas një inxhinieri që i raportoi këto vlerësime këshillit të qytetit, edhe nëse flamuri hiqet, dikush mund të vendosë një tjetër shumë shpejt.
“Dikush mund të vijë përsëri dhe të lëshojë një flamur tjetër në majë të Spire,” citohet ai në një raportim të The Irish Times.
Flamuri ndodhet rreth 105 metra mbi tokë dhe është i lidhur me një rreth metalik. Struktura prej çeliku inox e monumentit është shumë e vështirë për t’u arritur nga toka, ndërsa dyshohet se flamuri mund të jetë vendosur nga një dron.
Nga niveli i rrugës flamuri shpesh është i vështirë për t’u parë sepse ngatërrohet nga era. Megjithatë, sipas raportimeve në media, shumë njerëz që e kanë vënë re kanë shprehur mbështetje për simbolin.
Irlanda është një nga vendet e Bashkimit Evropian që ka kritikuar më fort veprimet e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Fushata Ireland Palestine Solidarity Campaign e përshëndeti vendosjen e flamurit në rrjetet sociale, duke e quajtur një “arritje akrobatike ose gjeniale”.
Monumenti ku ndodhet flamuri është ndërtuar në vitin 2003 dhe quhet zyrtarisht “Monumenti i Dritës”. Ai ndodhet përballë General Post Office Dublin, një vend historik i lidhur me kryengritjen irlandeze të vitit 1916.






















