Sociale 26 March 2025, 10:40 Nga VNA

Blerjet e pasurive të paluajtshme nga të huajt arritën 380 mln euro në 2024-n

Ndaje në Whatsapp
Blerjet e pasurive të paluajtshme nga të huajt arritën 380 mln

Pasuritë e paluajtshme kryesuan investimet e huaja në ekonominë shqiptare për të tretin vit radhazi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 379 milionë eurove, në rritje me 17% krahasuar me vitin 2023. Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse 24% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar.

Tremujori i fundit i vitit solli edhe vlerën më të lartë të investimeve të huaja në këtë sektor, me 100 milionë euro, 9% më shumë krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023.

Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri në vitet pas pandemisë pas pandemisë po mbështetet në masë të konsiderueshme prej kërkesës që vjen nga investitorët e jashtëm.

Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, pavarësisht rritjes së çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera bregdetare të rajonit.

Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse dhe ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona për qëllime investimi.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të vitit 2024 stoku i investimeve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri arriti në 2.04 miliardë euro, në rritje me 30% krahasuar me një vit më parë. Në dekadën e fundit, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme pothuajse është rritur me 27 herë.

Bazuar në metodologjitë e përdorur për matjen e investimeve të huaja, flukset e tyre vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja në stokun e investimeve nuk ka ardhur vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera. Kjo nënkupton se stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve.

Sektori i dytë për nga pesha specifike kundrejt totalit të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar ishin shërbimet financiare. Ky sektor solli investime në vlerën e 287 milionë eurove ose 18% të totalit. Investimet në këtë sektor u rritën me 20% krahasuar me një vit më parë.

Sektori bankar sjell në vazhdimësi flukse të konsiderueshme investimesh, të mbështetura nga fitimet e larta vjetore dhe nga rritja e kërkesave rregullatore për kapital në vitet e fundit.

Stoku i investimeve të huaja në sektorin financiar vlerësohet nga Banka e Shqipërisë në rreth 1.8 miliardë euro.

Vijon industria nxjerrëse, që vitin e kaluar solli investime të huaja në vlerën e 214 milionë eurove, vlera kjo sa 13.5% e gjithë investimeve të huaja për 2024. Megjithatë, investimet e guaja në industrinë nxjerërse pësuan rënie me 21% më shumë krahasuar me një vit më parë. Stoku i investimeve të huaja në sektor llogaritet në më shumë se 2.5 miliardë euro.

Investimet në sektorin energjetik për vitin e kaluar u rritën në vlerën e 166 milionë eurove, 4% më shumë krahasuar me vitin 2023. Energjetika dhe në veçanti ajo diellore vazhdon të tërheqë vëmendje të lartë të investitorëve të huaj, por edhe atyre vendas. Stoku i investimeve të huaja në energjetikë ka arritur pranë vlerës së 3.7 miliardë eurove.

Rritje të investimeve të huaja direkte shënoi edhe industria përpunuese. Investimet e huaja në këtë sektor u rritën në 173 milionë euro, 40% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Investimet e huaja në industrinë përpunuese janë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë, përfshirë degën e industrisë automotive.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte vitin e kaluar arritën një shifër rekord prej 1.58 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik. Vlera e investimeve të huaja u rrit me 5.6% krahasuar me një vit më parë. /MONITOR

Video

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Rama “djeg” Allajbeun dhe i fik dritën jeshile tenderit prej afro 50 milionë eurosh. Pas denoncimeve të VNA, Ministria e Shëndetësisë anulon procedurën për hemodializën në pesë spitale rajonale, ku në garë ishte vetëm “Diaverum AB”. Por “shkundja” nuk ndalet këtu. Nga drejtimi i OSHIS largohet Arisa Cane, e cila kishte punuar më parë në Spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut. Kontrata që dukej se po shkonte drejt firmosjes tashmë është ndalur. Çfarë do të ndodhë me tenderin 50-milionë eurosh dhe kush do ta marrë në dorë hemodializën?

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Kokainë kolumbiane e fshehur në kërcell plastikë trëndafilash, një lulishte fantazmë dhe një vilë në Marathona. Mes të arrestuarve raportohet edhe Lulzim Caka, një emër i njohur i kronikës shqiptare. I dënuar me 25 vite burg, i liruar gabimisht para kohe në vitin 2019 dhe më pas i shpallur në kërkim, Caka rikthehet tashmë në një dosje ndërkombëtare droge. Mbi 110 kilogramë kokainë lidhen me grupin e goditur në Greqi. Si përfundoi një i kërkuar nga drejtësia shqiptare në zemër të kësaj skeme?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme