
Zbardhet dëshmia e ish-prokurorit Arjan Ndoja në Gjykatën e Posaçme lidhur me atentatin ndaj tij më 1 nëntor 2019. Ndoja dhe miku i tij, Rrumi, u plagosën, ndërsa shoferi Andi Maloku u vra. Për atentatin akuzohet si organizator Plarent Dervishaj. Ky i fundit u ekstradua pak kohë më parë nga Dubai.
Dëshmia e Ndojës
Në vitin 2019 kam banuar në Tiranë, ndërsa me punë kam qenë në Durrës. Gjatë muajit kam qëndruar në qytetin e Shëngjinit për periudhën që ti më pyet. Kam pasur një makinë Mercedes Benz, automjetin e drejtonin të gjithë personat e familjes. Gjatë muajit tetor 2019 kam marrë në punë një djalë, i cili fatkeqësisht nuk jeton më – Andi Maloku. Ka qëndruar me mua rreth një muaj. Më shumë e kam përdorur unë makinën sesa ai, thjesht doja të ishte aty.
Përveç situatës që u godita me armë zjarri, nuk ka diçka tjetër. Ka qenë data 1 nëntor, ora 13:00. Konsumuam drekë me ca miq, kemi ndenjur deri rreth orës 16:00. Kam qenë me shoferin Andi Maloku dhe me Aleksandër Lahon, këtë të fundit e njohur si avokat. Në makinë, drejtues mjeti ka qenë Andi Maloku, unë isha në sediljen e pasagjerit, pas ishte Aleksandër Laho. Unë do kthehesha për në shtëpi, edhe ai për në shtëpi, kemi pasur një segment të përbashkët rruge.
Te pjesa e parkimit të lokalit kemi ndenjur 10 minuta. Nuk e di a ka pasur njeri. Itinerari: te ura e Dajlanit, pastaj te mbikalimi. Sapo kaluam në mbikalim, filluan të shtënat. Nuk e kuptova fillimisht, mu duk si plastikë. Plumbat vinin nga mbrapa. Nuk kemi arritur ta shohim makinën, se nuk arrihet dot. Të shtënat kanë qenë nga dy armë, sepse dallohet zhurma e ndryshme. Kanë qenë të shtuara, por jo breshëri. S’jam i sigurt sa, por 13 predha duhet të jenë. Makina u ngadalësua nga i ndjeri. Vetëm 3 minuta kam qenë i ndërgjegjshëm. Jam rrëzuar në tokë pasi dola nga makina, isha pa ndjenja 6-7 minuta dhe e kam parë veten në spital.
Në momentin që ka hapur derën, ndjesë pastaj, Andi ra. Duhet të ketë pasur dhimbje, se ia doli të dalë nga makina. Është si një "xhep" vendi ku na goditën. Nuk kam dijeni kush më ka qëlluar. Nuk kam pasur absolutisht me asnjë njeri asnjë problem. As të ktheja kokën mbrapa, as majtas. Nuk kam pasur dhe nuk kam shqetësime.
Fizikisht njoh vetëm këtë njeriun këtu (Plarent Dervishaj). Kam qenë në një takim një herë me një avokat. Unë motivin dua ta di. Kam dëgjuar nga shtypi, nga shkresat që më keni nisur ju, por nuk e di pse e kanë bërë. Nuk i kam borxh askujt. Më intereson arsyeja.
Kam një shtëpi në Shëngjin. Aty kam qëndruar. Nuk kam parë automjete të dyshimta. Ndoshta ju duket e habitshme, por nuk kam pasur asnjë shqetësim. Edhe sot, pas 6 vitesh, të dalë dikush e të më thotë se çfarë borxhi u kam!
I vetmi shqetësim im ka qenë nga kryeministri, ish-zv/kryeministri, që kanë bërë deklarata publike për mua dhe për vettingun e famshëm. Janë bërë lëvizje mashtruese në rrotondo, që teknikisht të ndryshosh…
Unë vetëm një shqetësim kam pasur në atë kohë: deklaratat e drejtuesve të qeverisë. Sepse mendoja se mund të më vinin operacionales, ose të më bënin presion me vettingun. Të vetmet lëvizje mashtruese që kam bërë në atë kohë kanë qenë për të evituar operacionales.
Është goditur prokurori, jo Arjan Ndoja. Arjan Ndoja ja ku është.
Me Pëllumb Muharremin nuk jam takuar më. Me Genc Malokun kam një raport normal – djali i tij u zhduk ndërsa ndodhej në makinë me mua. Me Dorian Shabanin nuk kam pasur komunikim, asnjë kontakt lidhur me ngjarjen.
Nuk kam asnjë interes pasuror në Gjirin e Lalzit.
SPAK: E njihni Halit Valterin?
E njoh si figurë publike – e përshëndeta edhe pak më parë. Ka publikuar një video ku, sipas tij, shfaqen autorët e atentatit ndaj meje. E paraqiti edhe në Kuvend, por unë nuk e di nëse janë vërtet ata.
Basir Meçen, babain e Julian Meçes (i pandehur në proces), e kam pyetur nëse është e vërtetë kjo gjë – është një çështje shumë e rëndë. I thashë: "A të kam ndonjë borxh unë ty? Ke vetëm një djalë – merre dhe nxirre nga Shqipëria." Nëse është i lidhur me atë (Plarent Dervishaj), ai është thjesht një ushtar.
Ndërhyn Plarent Dervishaj: M’u drejto me emër mua!
Ish-prokurori Arjan Ndoja pyetet nga avokati Ilia Ilia:
Arjan Ndoja: Aleksandër Lahon e kam njohur në vitin 2005. Unë isha avokat, ai ishte plagosur – një shtetas tjetër. Marrëdhënia jonë ka qenë disa vjeçare, janë marrëdhënie shoqërore, nuk kanë ndonjë status të veçantë. Më kishin ftuar, dhe unë shkova.
Në momentin e atentatit, kishte një makinë pas nesh. Unë i kam parë vetëm në video, sepse me sy jo. Mjeti erdhi nga pas, nisën të shtënat nga mbrapa, më pas doli në krahun tim dhe vazhdoi të qëllojë. Shoferi i ndjerë rriti shpejtësinë, dhe më pas ngadalësoi – fitoi kohë. Në momentin e ngjarjes, nuk e sheh dot kush të qëllon.
Avokati Ilia Ilia: Pse mendon se është goditur prokurori?
Arjan Ndoja: Mjeti ishte i imi, ishte lehtësisht i identifikueshëm. Unë kam ekzistencën e faktit: po të donin të qëllonin një nga personat e tjerë në makinë, do ta kishin bërë – jo me mua. Nuk është e thënë që të kesh konflikt për t’u qëlluar me armë.
Në makinën time janë gjetur 13 predha. Unë nuk jam ankuar ndonjëherë në prokurori, nuk kam kërkuar arsye, nuk kam dhënë asnjë deklaratë. E njoh mirë këtë sistem drejtësie.
Avokati Ilia Ilia: Dosja hetimore në vendin e ngjarjes?
Arjan Ndoja: Cila dosje hetimore?
Ilia Ilia: Dosja hetimore e vjedhur në Prokurorinë e Durrësit. Është fakt publik. Është gjetur dosja hetimore në bagazh. Ka lidhje me çështje penale të falsifikimit të dokumenteve.
Arjan Ndoja: Në makinën time kanë qenë disa materiale që m’i kishte dhënë një avokat. Nuk ishte dosje hetimore – ishte gjyqësore. Ishte procedim në gjykim. Ndaj të pyeta: cila dosje hetimore?