
Drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Arlinda Pogaj, ka njoftuar largimin e saj nga drejtimi i institucionit, duke e përmbyllur këtë fazë me një gjuhë mjaft të kujdesshme dhe plot vlerësime për “eksperiencën” dhe “privilegjin” që ka përfaqësuar pozicioni i saj.
Në deklaratën publike, Pogaj thekson rolin e saj në ngritjen dhe konsolidimin e institucionit, si edhe “besimin” që. Në mesazhin e saj të largimit, ajo vlerësoi punën e institucionit, duke theksuar se gjatë mandatit të saj u realizuan 1,649 procedura prokurimi. Sipas saj, u rrit transparenca, konkurrenca dhe u modernizua sistemi i blerjeve publike.
Por, jashtë komunikatave zyrtare, tabloja paraqitet më e zhurmshme. Të dhënat e platformës Open Data paraqesin një tjetër panoramë. Në tenderët e zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara janë regjistruar 959 procedura me “Flamur të Kuq”. Shënimi me “Flamur të Kuq” tregon se tenderi ka elemente që mund të ngrenë dyshime për mungesë transparence, shkelje të rregullave të prokurimit ose rrezik për praktika korruptive. Me fjalë të tjera, mbi gjysmën e procedurave të prokurimit të zhvilluara nga ky institucion janë identifikuar si tenderë me nivel risku.
VNA gjithashtu ka denoncuar disa tendera të kryer nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara nën drejtimin e Arlinda Pogajt. Rasti i fundit i raportuar është i para 4 ditëve, ku Operatori i Blerjeve të Përqendruara i ka akorduar kompanisë “Evita” të biznesmenit Klodian Allajbeu dy kontrata të reja me vlerë totale rreth 1.3 miliardë lekë pa garë. Të dyja procedurat, të zhvilluara brenda një harku kohor prej vetëm katër ditësh, sipas raportimeve, ngrenë pikëpyetje mbi vijueshmërinë e një praktike të diskutuar në prokurimet publike, mungesën e konkurrencës efektive dhe skualifikimin e ofertave më ekonomike.
Në media dhe në raportime të ndryshme investigative janë ngritur shpesh pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të prokurimeve publike të menaxhuara nga OBP gjatë kësaj periudhe. Sipas këtyre raportimeve, janë hedhur dyshime për mënyrën e hartimit të kritereve në disa procedura dhe tendera të dhënë, duke cënuar garën.
Në këtë kontekst, ndërsa ish-drejtoresha flet për efikasitet, kursime dhe sukses institucional, puna e saj në këtë institucion ka ngritur një sërë pikëpyetjesh.
Megjithëse Pogaj e njofton largimin përmes dorëheqjes, rastet e mëparshme kanë treguar se shumë zyrtarë në institucione kyçe të vendit janë larguar me “dorëheqje” pasi kanë marrë vesh që kanë rënë në rrjetën e SPAK. Urojmë të mos jetë i tillë edhe rasti i Pogajt.






















