Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pritet të takohet në New York me ndërmjetësuesit për të diskutuar propozimin e Teheranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe mundësinë e rifillimit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara.
Sipas agjencisë iraniane ISNA, në takim nuk do të marrë pjesë asnjë përfaqësues amerikan. Palët pritet të shqyrtojnë propozimet dhe qëndrimet më të fundit lidhur me situatën, ndërsa ndërmjetësuesit po përpiqen të mbajnë të hapur kanalin indirekt të komunikimit mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Në qendër të diskutimeve është një plan i paraqitur nga Irani, i cili parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda shtatë ditësh, nëse plotësohen disa kushte të vendosura nga Teherani. Sipas planit, SHBA-ja duhet të heqë bllokadën detare ndaj porteve iraniane, të lehtësojë sanksionet ndaj shitjeve të naftës dhe të lirojë asetet iraniane të ngrira. Më pas do të mund të rifillonin edhe negociatat për një marrëveshje më të gjerë, përfshirë çështjen bërthamore.
Araghchi ka deklaruar se Irani ia ka përcjellë propozimin palës amerikane përmes ndërmjetësuesve në New York. Sipas tij, Teherani është ende në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga Uashingtoni.
“E pamë reagimin fillestar të presidentit amerikan, por ndërmjetësuesit ende nuk na kanë përcjellë asgjë”, tha Araghchi, duke shtuar se Irani do të vendosë për hapat e ardhshëm pasi të marrë një përgjigje.
Ai ka këmbëngulur gjithashtu se kushtet e Iranit mbeten të pandryshuara dhe se çdo hap drejt rihapjes së Hormuzit lidhet me përmbushjen e tyre.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se e ka refuzuar propozimin iranian. Megjithatë, sipas raportimeve të fundit, Uashingtoni dhe Teherani mund të vijojnë komunikimin indirekt përmes ndërmjetësuesve në ditët në vijim.
Propozimi iranian synon të krijojë një mekanizëm të shkallëzuar, fillimisht përfundimin e armiqësive dhe lehtësimin e masave amerikane, më pas rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar dhe paralelisht rifillimin e negociatave mes dy vendeve.
Ndërkohë, ndërmjetësuesit po zhvillojnë kontakte të ndara me palët, në përpjekje për të gjetur një formulë kompromisi. Sipas Reuters, diskutimet e reja pritet të përqendrohen te një version i ndryshuar i planit shtatëditor të paraqitur nga Irani javën e kaluar.






















