Komediani turk Deniz Goktas është dënuar me 1 vit, 7 muaj e 5 ditë burg nga një gjykatë në Stamboll, pas një procesi të nisur për batutat e tij gjatë shfaqjes stand-up “Olu Deniz”.
Göktas, 32 vjeç, u shpall fajtor për “fyerje ndaj presidentit” dhe për poshtërim të vlerave fetare. Për akuzën e parë ai u dënua me 11 muaj e 20 ditë burg, ndërsa për të dytën me 7 muaj e 15 ditë. Në të njëjtën kohë, gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzën e lavdërimit të krimit dhe kriminelëve.
Pavarësisht dënimit, gjykata urdhëroi lirimin e komedianit. Vendimi nuk është përfundimtar dhe çështja mund të vijojë në instancat e apelit. Goktas kishte qëndruar në paraburgim që prej 3 korrikut, ndërsa seanca e parë gjyqësore u zhvillua më 28 shtator në Stamboll.
Çështja lidhet me shfaqjen e tij “Olu Deniz”, e cila u publikua në YouTube dhe u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Në materialin e shfaqjes, Goktas kishte bërë batuta që lidhen me presidentin Recep Tayyip Erdogan, Islamin dhe tema të tjera politike e sociale. Një prej referencave të tij ndaj presidentit e cilësonte Erdogan si “diktator”, ndërsa pjesë të tjera të humorit trajtonin fundamentalizmin fetar.
Fillimisht, ndaj komedianit ishin ngritur tre akuza, fyerje publike ndaj presidentit, nxitje ose poshtërim i publikut për shkak të urrejtjes dhe armiqësisë, si dhe lavdërim i krimit dhe kriminelëve. Prokuroria kishte kërkuar deri në 12 vjet e 2 muaj burg.
Një pjesë tjetër e çështjes lidhej me një batutë për grupin kriminal të njohur si “Daltons”, por për këtë akuzë gjykata e shpalli të pafajshëm.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe në Turqi dhe ka nxitur diskutime mbi kufijtë e satirës politike dhe lirinë e shprehjes. Dhjetëra mbështetës të komedianit u mblodhën jashtë gjykatës së Çaglayan në Stamboll, duke kërkuar lirimin e tij.
Sipas Reuters, performanca u përhap gjerësisht në internet dhe videot e saj në YouTube dhe rrjete të tjera sociale grumbulluan miliona shikime.






















