Editorial 30 Korrik 2024, 16:22 Nga VNA

Arben Ahmetaj foli shumë, por nuk tregoi asgjë

Ndaje në Whatsapp
Arben Ahmetaj foli shumë, por nuk tregoi asgjë

Nëse një gjë po e shpjegon shumë herë, po ja tregon personit të gabuar- kështu do e arsyetonte Konfuci valën e sqarimeve dhe zbërthimin e “kodeve” që la pas intervista e ish zv kryeministrit Arben Ahmetaj. Fakt mbetet që një intervistë që zgjat 3 orë, ka mjaftueshëm kohë në dispozicion për të sqaruar, akuzuar dhe shfajësuar. Dhe Ahmetaj zgjodhi të bëjë veç dy të fundit. Sepse nëse ka ende suflerë të Ahmetajt në treg që përpiqen të sqarojnë publikun për intervistën e tij, diçka ka vajtur vërtet për dreq me “sqarimin”.

Si fillim, për ne njerëzit normalë, Arben Ahmetaj shkurt dhe qartë duhet të na thotë se çfarë ndodhi që befas një mëngjes, Edi Rama u zgjua dhe i kërkoi Altin Dumanit (siç pretendon Ahmetaj) të arrestojë bashkëpunëtorin më të afërt. Ç’temë debati për ekonominë, financat, apo për filozofinë e qeverisjes shkaktoi krizë mes Ramës dhe Ahmetajt duke sjellë shkatërrimin e një raporti profesional dhe miqësor mes tyre.

Pas kësaj, lipset që Ahmetaj të na shpjegojë njëherë e mirë: cfarë e lidh atë me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton? Cili është roli i tyre në aferën e inceneratorëve? A janë vërtet “djem të mirë” siç tha mbrëmë apo janë ata që kanë përgjegjësi siç tha në intervistën e parë.

Në 2 intervista dhe rreth 6 orë akuza, ish zv kryeministri nuk i ka përcjellë publikut asnjë fakt konkret, asnjë dokument, asnjë video, asnjë mesazh apo email që të konsiderohet si viktimë e aferës së inceneratorëve. Kur Dritan Zagani, i vetëm denonconte shefin e tij në media për përfshirjen në trafikun e lëndëve narkotike, ai publikoi fakte, emaile, telefonata që e implikonin Saimir Tahirin. Fakte të cilat drejtësia nuk i kishte marrë në konsideratë por që kur iu përcollën publikut morën vlerën që kanë dhe sot dhe që janë të njëjtat me ato që vulosën fundin e karrierës për ish Ministrin e Brendshëm. Siç akuzat e Zaganit vulosën karrierën politike të Saimir Tahirit edhe Ahmetaj duhet të guxojë e të flasë qartë madje të vulosë dhe ai karrierën politike të Edi Ramës.

Por ish zv kryeministri vazhdon ta ruajë Edi Ramën e tij duke pritur “dorën e ngrohtë” dhe veç e prek shkarazi në intervistë duke na ofruar indicie bisedash e debatesh të zhvilluara nëpër korridore e zyra shteti. Pa treguar asnjë emër apo fakt të kuptueshëm për publikun. Copëzat e bisedave pa kokë që thotë Ahmetaj në intervistë janë kode që i kuptojnë veç 200 vetë në Shqipëri. E ata janë miqtë, tarafi, sytë e veshët e Edi Ramës.

Një ish zv kryeministri në arrati mund të mos ketë besim tek drejtësia e re, që ai dhe ish shefi i tij ja ofruan shqiptarëve duke rrahur gjoksin. Por së paku Arben Ahmetaj duhet të ketë mirësinë ta konsiderojë pak më me seriozitet Prokurorinë e Posaçme. Se që të akuzosh Altin Dumanin që e ka personale me ty se “ashtu ja ka thënë ai një gruaje pa emër në korridor” është njerëzore për një hallexhi të drejtësisë. Por që pak më vonë ti kërkosh të njëjtit Dumani llogari pse nuk heton për tunelin e Llogarasë apo për koncencionet në shëndetësi duket sikur i ke bërë detyrat e shtëpisë me doktorin. Që ditën feston dhe proteston për hetimet e SPAK-ut për Erion Velinë e në darkë e shpall Dumanin armik të demokracisë.

Por meqë koherenca s’ka qenë asnjëherë pikë e fortë e politikës të paktën për koncencionet dhe tunelet standarti ka qenë i njëjtë. Si të tilla, koncensionet dhe tunelet në Shqipëri, sidomos këta të Edi Ramës janë një gropë e madhe korrupsioni ku Ahmetaj dhe shokët dhe ish shokët e tij janë zhgërryer kush më shumë e kush më pak.

Dhe përpara se të orientojë Altin Dumanin se si të hetojë ish bashkëpunëtorët, vëllain apo motrën, ish zv kryeministri bën mirë të sqarojë pozicionin e tij për shkeljen në procedurat e inceneratorëve për të cilat ka qenë dëshmitar, ka dijeni, informacion apo gjurmë të tjera që mund të ndihmojnë hetimet. Dhe nëse nuk do të bashkëpunojë me drejtësinë atëherë të denoncojë publikisht korrupsionin me fakte dhe ndonjë copë letër. Një ish zyrtari të lartë i takon së paku të ketë disa dokumenta në dorë kur flet 3 orë për korrupsionin.

Me banalitete pllakash WC-je dhe biseda personale Arben Ahmetaj nuk mund të amnistojë veten nga përgjegjësia për skandalin e inceneratorëve. Madje as duke denoncuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn si autorë dhe zbatues të inceneratorit të Tiranës. Sepse janë të tre përgjegjës. Arben Ahmetaj ka të drejtë vetëm kur ndihet keq që Rama i bën avokatinë disave e disa të tjerë i shpall armiq të socialistëve. Por këto janë thjesht hallet e një partie politike e cila që prej 8 nëntorit të vitit 1941 i ha kokën të vetëve.

Halli shqiptarëve është të shohin dhe prekin për herë të parë frutet e një drejtësie që shkon deri tek “udhëheqja” e korruptuar. Arben Ahmetaj nuk ka nevojë të bëhet “pentito” i drejtësisë që të na bindë se është i pafajshëm dhe nuk ka vjedhur kurrë. Mjafton të bëhet “pentito” i shoqërisë, e të na faktojë se si është detyruar të vjedhë për llogari të Edi Ramës, të firmosë për hesap të shefit e të abuzojë i shtrënguar nga rrethanat.

Vetëm kështu ish bashkëpunëtori i afërt i Edi Ramës do të mund të na mbajë gjallë kuriozitetin për intervistën e radhës. Përndryshe, nuk do jetë e largët dita kur “kutia e zezë” që thotë se do nxjerrë do na duket si valixhja e baba Takut që bridhte studio më studio në tentativë për t’u hapur. Që paralajmëronte qametin dhe që pati fatin e banalitetit të marrëdhënies mes dy miqve dhe bashkëpunëtorëve që veç pazarit, nuk i lidh më asgjë tjetër.

Nga Desada Metaj

Video

Dikush duhet t’i kujtojë Jorida Tabakut që ka firmosur me vullnet të lirë kandidaturën e Endri Shabanit. Nuk mund t’i kërkosh llogari të tjerëve se ke firmosur ti pa pyetur doktorin.

"Nuk e dua votën nëse funksionon kështu, në rast se do të ndodhte, do t’ju bindja se kjo nuk është mënyra e drejtë dhe se jeni duke shkelur ligjur”. Kjo ishte përgjigja që Elvin Gokaj i dha anëtares së KLP, Arta Mandro kur kjo i tha që si do të sillej nëse do t'i shkonte në zyrë e t'i kërkonte favore.

Klodian Braho kandidati i radhës për kreun e SPAK mbërrin në KLP ku do të prezantojë platformën e tij për drejtimin e institucionit.

Adnand Xholi preket para KLP-së kur u pyet nga një anëtar lidhur me faktin sesi ka ndryshuar jeta e tij dhe e familjes gjatë ushtrimit të detyrës si prokuror i posaçëm: Ka ndryshuar cilësia e jetës, unë dhe familja ime nuk jemi më të parët!

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme