Kronika 31 August 2026, 20:51 Nga VNA

3 ngjarje, shumë policë të implikuar. Nga arrestimi i Shpatarakut, te vrasja e turistit portugez dhe dhuna te Orange

Ndaje në Whatsapp
3 ngjarje, shumë policë të implikuar. Nga arrestimi i

Kur ndodh një krim, policia duhet të jetë pala që ndërhyn, jo pala që del në dosje. Në Shqipëri kjo vijë po thyhet vazhdimisht. Zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe oficerë në detyrë, përfshirë nga forcat elitare po ekspozohen për lidhje me të dyshuar të krimit, ose për mosreagim kur ngjarja e rëndë zhvillohet para syve. Shpesh uniforma lihet mënjanë për një punë të dytë te privatët. Pastaj, kur plas konflikti ose vrasja, pyetja është e njëjtë: Ku ishin ata që duhej të ndërhynin?
Fenomeni s’është i ri. Është shqetësues sepse po përsëritet. Tre ngjarje të javëve të fundit e bëjnë të qartë sa urgjente është.

Përfshirja e punonjësve të policisë në ngjarje kriminale vijon të jetë një fenomen shqetësues. Ngjarje pas ngjarje ekspozohen zyrtarë të lartë policie, të dyshuar për lidhje me krimin, ose që nuk veprojnë kur ndodhin ngjarje të rënda kriminale. Këtë e dëshmojnë tre ngjarje të ndodhura vetëm në javët e fundit.

Dosja e parë: Shoqëruesi 

Ulian Shpataraku, ish-zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, u arrestua teksa shoqëronte të shumëkërkuarin Ergys Agasi. Shpataraku ishte përjashtuar nga policia pas largimit të kryepolicit Ilir Proda. Ai njihej si i besuari i Prodës. Të dy ishin përfolur jo pak për lidhje me Agasin, njeriun që, sipas SPAK, dyshohet se drejtonte një grup kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Sot Shpataraku ndodhet në qelitë e burgut të Peqinit. Hetohet nën dyshimin se është pjesë e grupit të Agasit. Zyrtarisht, mbi supe i rëndon akuza e «përkrahjes së autorit të krimit».
Ky është vetëm një nga episodet e verës: një ish-zyrtar policie i dyshuar për lidhje me eksponentë të dyshuar të krimit të organizuar.

Dosja e dytë: Badiguardi i Ksamilit 

Më herët, Moidis Matushaj u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil. Rezulton se ishte specialist i hetimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër. Në të njëjtën kohë punonte si badiguard te lokali Principote, ku turisti festoi me miqtë e tij para se të vristej nga Sokrat Lipan, alias Vata.
Matushaj u lirua më pas në gjykatë. Vijon të jetë nën hetim, bashkë me një polic bashkiak dhe një punonjës të Policisë së Burgjeve. Uniforma në mëngjes. Roja private natën. Në mes: Një turist i vdekur në Ksamil.

Dosja e tretë: Orange, Sarandë

Tek klubi Orange u dhunua shefi i krimeve, Mateo Bakalli. Ngjarja dëshmoi po ashtu se oficerët e policisë ndoshta ndodhen të pafuqishëm për të reaguar, kur janë të punësuar nga privatë dhe uniformën e kanë lënë mënjanë, për disa para më shumë për familjet e tyre.
Armando Shehi, oficer pranë repartit RESI, dhe Anton Binaku, oficer i repartit RENEA, u pezulluan nga detyra sepse nuk ndërhynë për të parandaluar konfliktin ku u dhunua kolegu i tyre Bakalli. Ndaj tyre nisi hetimi disiplinor. Të dy punonin si roje sigurie në Orange. Të njëjtën detyrë kryente edhe Ardit Kasemi, ushtarak.
Forca elitare. Klub nate. Kolegu i rrahur. Heshtja.

E njëjta pikëpyetje

Këto janë vetëm disa nga rastet e fundit ku ish-zyrtarë të lartë policie apo oficerë, përfshirë ata të forcës elitë RENEA, janë nën dyshime për përfshirje në ngjarje kriminale. Dikush i dyshuar për lidhje me krimin. Dikush për mosreagim.

Cilado qoftë arsyeja, çështja është emergjente. Policia e Shtetit duhet pastruar nga elementët e saj të komprometuar.

Video

Një video e re nga incidenti pas ndeshjes AF Elbasani–Vllaznia sjell pamje të përplasjes mes presidentit të klubit shkodran, Alban Xhaferi, dhe një prej gjyqtarëve. Në pamje, Xhaferi shihet duke iu afruar arbitrit dhe duke e goditur me grusht.

KPP “shpëton” tenderin 340 mijë euro të Celibashit/ Kriteret si “kostum me porosi”, por KPP mbyll sytë para elefantit në dhomë

Drejtori i Doganës dhe ai i Tatimeve; Garancia që Rama e mban besën…

Të ruajmë unitetin e Partisë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme