Bota 4 June 2025, 09:22 Nga VNA

27 persona u vranë në jug të Gazës, mbyllen përkohësisht qendrat e ndihmës – Ushtria izraelite: Rrugët drejt tyre janë zona lufte

Ndaje në Whatsapp
27 persona u vranë në jug të Gazës, mbyllen

 

Qendrat për shpërndarjen e ndihmës në Gazë do të mbyllen përkohësisht më 4 qershor, njoftoi fondacioni që i menaxhon ato, ndërsa ushtria izraelite paralajmëroi se rrugët që çojnë drejt qendrave “konsiderohen zona të luftës”.

Njëzet e shtatë persona u vranë në jug të Gazës të martën, kur ushtria izraelite hapi zjarr pranë një qendre të ndihmës të drejtuar nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Së fundmi, Izraeli ka lehtësuar bllokadën në enklavën palestineze, por Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se e gjithë popullsia e territorit është në rrezik nga zia e bukës.

Të mërkurën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë një rezolutë që bën thirrje për armëpushim dhe qasje humanitare në Gazë – një masë për të cilën SHBA-ja pritet të vendosë veto.

GHF-ja tha se “qendrat e shpërndarjes do të mbyllen për rinovim, riorganizim dhe përmirësim të efikasitetit të punës” të mërkurën dhe operacionet do të rinisin të enjten.

Ushtria izraelite, që ka konfirmuar mbylljen e përkohshme, paralajmëroi njerëzit të mos kalojnë “në rrugët që çojnë drejt qendrave të shpërndarjes, të cilat konsiderohen zona të luftës.”

GHF-ja nisi operacionet një javë më parë, por OKB-ja dhe grupet e tjera të mëdha të ndihmës kanë refuzuar të bashkëpunojnë me të, duke ngritur shqetësime se kjo organizatë është krijuar për t’u përshtatur me qëllimet ushtarake të Izraelit.

Pas incidentit vdekjeprurës të së martës afër një qendre të GHF-së, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi “të papranueshme” vrasjen e palestinezëve që po shkonin për të marrë bukë në qendrat e shpërndarjes.

Autoritetet izraelite dhe GHF-ja – që përdor personel amerikan të sigurisë – kanë mohuar akuzat se ushtria izraelite qëllon civilët që shkojnë për të marrë ndihma. Ushtria izraelite tha se ngjarja e së martës është duke u hetuar.

Izraeli ka intensifikuar përpjekjet për të mposhtur Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – i cili sulmoi Izraelin në tetor 2023, duke nxitur luftën në Gazë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi ka bërë të ditur se të paktën 4.240 persona janë vrarë që kur Izraeli ka rinisur ofensivën në territorin palestinez më 18 mars, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave që nga nisja e luftës ka arritur mbi 54.000.

Ndërkohë, gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Përveç incidentit në qendrën e ndihmës, agjencia për mbrojtje civile në Gazë të martën raportoi edhe për 19 të vrarë.

Ndërsa ushtria izraelite njoftoi se tre ushtarë të saj janë vrarë në veri të Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë të vrarë që nga nisja e luftës në 424./rel

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme