Bota 2 Qershor 2025, 08:57 Nga VNA

Operacioni “Rrjeta e Merimangës” – Goditja spektakolare e Ukrainës ndaj forcave ajrore ruse dhe mesazhi i qartë për aleatët perëndimorë

Ndaje në Whatsapp
Operacioni “Rrjeta e Merimangës” – Goditja spektakolare e

Operacioni i fundit i Ukrainës, me emrin e koduar “Rrjeta e Merimangës”, shënon një ndër momentet më të guximshme dhe të sofistikuara të luftës kundër Rusisë. Ky ofensivë në shkallë të gjerë ka dërguar një mesazh të qartë e të dyfishtë: jo vetëm për Kremlinin, por edhe për aleatët perëndimorë që duket se kanë nisur ta shohin luftën si të humbur.

Pas 18 muajsh përgatitje, Ukraina pretendon se ka arritur të shkatërrojë 40 nga 120 bombarduesit strategjikë të Rusisë – një humbje e konsiderueshme për një nga shtyllat e fuqisë ajrore të Moskës. Pavarësisht se nuk është e mundur të verifikohen plotësisht këto të dhëna, dëmi i shkaktuar nga operacioni llogaritet në rreth 7 miliardë dollarë.

Gazetari Paul Adams i BBC-së e cilëson këtë si një goditje të jashtëzakonshme, të ngjashme me fundosjen e anijes “Moskva” apo bombardimin e urës së Kerçit – ngjarje që kanë shënuar kthesa të mëdha në narrativën e luftës.

Sipas inteligjencës ushtarake ukrainase (SBU), operacioni përfshiu kontrabandimin e dhjetëra dronëve të vegjël në thellësi të territorit rus, të fshehur në ndarje të posaçme brenda kamionëve të mallrave. Këta dronë u shpërndanë në të paktën katër lokacione të ndryshme, për mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, dhe më pas u lëshuan në mënyrë të koordinuar drejt bazave ajrore strategjike.

“Askush tjetër në botë nuk ka realizuar një operacion të tillë inteligjence,” u shpreh analisti i mbrojtjes Serhii Kuzan. Ai thekson rëndësinë jetike të këtyre avionëve – Tu-95, Tu-22 dhe Tu-160 – të cilët janë jashtë prodhimit dhe riparimi i tyre është tejet i vështirë, në disa raste i pamundur.

Sipas blogerit ushtarak Oleksandr Kovalenko, ndikimi i kësaj goditjeje është kolosal. “Shkalla e dëmit është e tillë që kompleksi ushtarako-industrial rus, në formën që ndodhet, zor se mund të rikuperojë këto humbje në të ardhmen e afërt.” Humbja e avionëve Tu-160, të rrallë dhe supersonikë, konsiderohet veçanërisht e rëndë: “Sot, Forcat Ajrore Ruse humbën dy nga ‘njëbrirëshat’ e tyre,” shkruan ai.

Ukraina drejt negociatave: Nuk është dorëzim, por strategji

Ndërkohë, Ukraina ka konfirmuar pjesëmarrjen në raundin e radhës të negociatave për armëpushim me Rusinë, që do të zhvillohen në Stamboll. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se delegacioni do të udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umyerov.

Kievi deri më tani kishte lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në këtë raund të dytë, të propozuar nga Moska, por duket se pas operacionit spektakolar ndaj forcave ajrore ruse, pozicioni ukrainas në tavolinën e bisedimeve është forcuar.

Sipas burimeve në Ministrinë e Jashtme turke, takimi është planifikuar të nisë të hënën, më 2 qershor, në orën 13:00 sipas orës lokale, në Pallatin Ciragan në Stamboll.

Mesazhi për Perëndimin: Ukraina nuk ka hequr dorë

Përtej aspektit ushtarak, “Rrjeta e Merimangës” është një deklaratë strategjike në një kohë kur disa zëra në Perëndim po zbehin mbështetjen për Ukrainën. Një zyrtar qeveritar në Kiev, në një bisedë me gazetarin ukrainas të BBC-së, Svyatoslav Khomenko, tha: “Problemi më i madh është se amerikanët janë bindur se ne tashmë e kemi humbur luftën. Dhe që nga ai supozim, rrjedh gjithçka tjetër.”

Në rrjetet sociale, gazetari i mbrojtjes Illia Ponomarenko ironizoi qëndrimet skeptike me një postim ku përmendte fjalët e dëgjuara shpesh: “Ukraina ka vetëm edhe 6 muaj. S’keni më letra në dorë. Dorëzohuni për paqe…” Përkundrazi, ai theksoi se me këtë operacion, Zelensky “hodhi Mbretin e Dronëve”.

Revista Business Ukraine ishte edhe më therëse: “Rezulton që Ukraina paska disa letra në dorë pas të gjithave.”

Këto mesazhe shkojnë përtej Moskës. Ato janë një thirrje për aleatët perëndimorë që të mos e lëshojnë Ukrainën në një moment vendimtar. Ndërkohë që delegatët ukrainas udhëtojnë drejt Stambollit për negociata, vendosmëria është e qartë: Ukraina është ende në lojë dhe nuk është gati të dorëzohet.

“Amerikanët sillen sikur roli i tyre është të negociojnë për ne termat më të butë të dorëzimit,” i tha zyrtari Khomenkos. “Dhe ndihen të ofenduar kur ne nuk i falënderojmë. Por natyrisht që nuk i falënderojmë – sepse nuk besojmë se kemi humbur.”

Pavarësisht avancimeve të ngadalta, por të vazhdueshme të forcave ruse në Donbas, Kievi i dërgon botës një sinjal të fuqishëm: fitorja nuk është thjesht një ëndërr, por një mundësi reale. Dhe Ukraina nuk ka ndërmend të dorëzohet pa luftuar deri në fund./BBC

Video

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet zyrtare, sipas të cilave fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Rezultatet zyrtare të shpallura nga KQZ janë si më poshtë: • Lëvizja Vetëvendosje: 49.79% • Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 21.18% • Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 13.77% • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 5.74% • Lista Serbe: 3.87% • Nisma Socialdemokrate: 1.72% Ndërkohë, mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur para selisë së kësaj force politike në Prishtinë, ku kanë nisur festimet për fitoren e shpallur.

Një nga stuhitë më të forta të shiut të viteve të fundit ka nisur që në orët e para të mëngjesit në Rripin e Gazës. Reshjet intensive kanë vazhduar pa ndërprerje, duke shkaktuar përmbytje të shumta në kampet e improvizuara dhe shembje të tendave ku strehohen mijëra persona të zhvendosur. Sipas raportimeve nga terreni, uji ka depërtuar në zona të gjera banimi, duke përkeqësuar ndjeshëm kushtet tashmë të vështira humanitare. Autoritetet lokale dhe organizatat humanitare kanë ngritur alarmin për rrezikun e shtuar ndaj shëndetit dhe sigurisë së civilëve, veçanërisht grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në klubin Mar-a-Lago të Presidentit amerikan Donald Trump në Palm Beach, Florida, për bisedimet e paqes. Kreu ukrainas mbërriti në klub dhe përshëndeti Trump para se të hynte në pronën me stil mesdhetar. Trump tha më parë se bisedimet e tyre do të zhvilloheshin në dhomën e ngrënies së Mar-a-Lago, një hapësirë e zbukuruar me lartësi dhe piktura murale. Ndërkohë Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti amerikan Donald Trump ranë dakord të flasin pas takimit të Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën, tha ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov. Gjatë telefonatës midis Trump dhe Putin, e cila zgjati 1 orë e 15 minuta, të dy udhëheqësit shprehën se “përgjithësisht ndajnë pikëpamje të ngjashme” se një armëpushim i përkohshëm vetëm do të zgjaste konfliktin në Ukrainë, tha Ushakov.

Banorë të Vlorës, të lënë prej katër ditësh pa ujë të pijshëm, u mblodhën sot në protestë përpara Teatrit “Petro Marko”. Protesta u shoqërua me tensione, pasi një grup qytetarësh çau kordonin e policisë dhe hyri në ambientet e teatrit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit me furnizimin me ujë. Në reagim, forca të shumta policore u dislokuan brenda dhe jashtë godinës. Policia shoqëroi disa nga protestuesit, ndërsa u kërkua largimi i qytetarëve nga ambientet e brendshme të teatrit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme