Kronika 7 July 2026, 12:11 Nga VNA

Videoja tronditi Shqipërinë, por denoncimi ishte bërë prej javësh: Pse institucionet nuk e ndalën në kohë dhunën ndaj 17-vjeçares? 

Ndaje në Whatsapp

fvdfvdfv.webp

Ngjarja e rëndë e dhunës mes të miturave në Fier, e cila tronditi opinionin publik pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, rezulton se ishte denoncuar në polici disa javë përpara se pamjet të bëheshin publike.

Sipas të dhënave, më 8 qershor 2026, një 17-vjeçare, e shoqëruar nga nëna e saj, kallëzoi në Policinë e Fierit se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje. Në dëshminë e saj ajo identifikoi si autore 19-vjeçaren dhe dy vajza 15-vjeçare. Këto të fundit pranuan se e kishin goditur për motive të dobëta, ndërsa policia regjistroi procedim penal për veprën “Dëmtime të tjera me dashje”.

Pavarësisht këtij denoncimi, çështja mbeti jashtë vëmendjes publike deri në publikimin e videos, e cila tregoi me detaje momentet e dhunës. Pamjet zbuluan se nuk bëhej fjalë për një konflikt spontan mes dy adoleshentesh. Në video shihen dy vajza që ushtrojnë dhunë ndaj 17-vjeçares, ndërsa një e tretë filmon dhe, sipas pamjeve, i nxit ato të vazhdojnë.

Ndërkohë, më 28 qershor, një zhvillim tjetër lidhi sërish emrin e njërës prej të miturave me policinë. Njëra nga dy 15-vjeçaret u arrestua pas kallëzimit të bërë nga vetë nëna e saj, e cila deklaroi se ishte dhunuar fizikisht nga e bija. Pas vlerësimit të gjendjes së saj nga autoritetet dhe prokuroria, e mitura u dërgua për trajtim në një institucion të shëndetit mendor në Tiranë.

Vetëm pas publikimit të videos, ngjarja mori përmasa kombëtare dhe shkaktoi reagime të forta në opinionin publik. Familjarët e 17-vjeçares kanë deklaruar se ajo po kalon një gjendje të rënduar psikologjike si pasojë e dhunës dhe e publikimit të pamjeve.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka kryer të gjitha veprimet procedurale që në momentin e parë të kallëzimit. Megjithatë, kronologjia e ngjarjes ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionuan mekanizmat e mbrojtjes së të miturve. A mjaftonte regjistrimi i një procedimi penal në një rast ku ishin të përfshirë disa të mitur, dhuna ishte filmuar dhe viktima kishte nevojë për mbështetje të menjëhershme psikologjike dhe sociale?

Po aq e rëndësishme mbetet edhe pyetja nëse, pas denoncimit të 8 qershorit, u aktivizuan të gjitha institucionet përgjegjëse – shërbimet sociale, psikologët, strukturat e mbrojtjes së fëmijëve dhe prokuroria – për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar pasoja të mëtejshme.

Ngjarja e Fierit ka tronditur opinionin publik jo vetëm për brutalitetin e dhunës, por edhe sepse ka krijuar perceptimin se rasti mori vëmendjen që meritonte vetëm pasi videoja u bë virale. Dhe kjo është pyetja që vazhdon të kërkojë përgjigje: a do të kishte qenë i njëjtë reagimi institucional nëse pamjet nuk do të ishin bërë publike?

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme