Kronika 7 July 2026, 12:05 Nga VNA

Lindja e fëmijës nuk pezullon gjyqin ndaj Veliajt: GJKKO rrëzon kërkesën e Xoxës, shtyn seancën dhe pezullon afatet e paraburgimit

Ndaje në Whatsapp
Lindja e fëmijës nuk pezullon gjyqin ndaj Veliajt: GJKKO rrëzon

GJKKO rrëzon kërkesën e Ajola Xoxës për pezullimin e gjykimit me 63 ditë, por shtyn seancën dhe pezullon sërish afatet e paraburgimit për Veliajn

TIRANË – Gjykata e Posaçme zhvilloi këtë të hënë seancën e radhës të gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë. Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë, duke vijuar qëndrimin e tij për të mos marrë pjesë në seancat që zhvillohen me të në kafazin e qelqtë.

Në seancë, përmes avokatëve të saj, Ajola Xoxa kërkoi që procesi gjyqësor të pezullohej për 63 ditë, duke argumentuar se më 29 qershor ka sjellë në jetë një fëmijë me lindje cezariane dhe, për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk mund të marrë pjesë në proces dhe as të komunikojë në mënyrë efektive me mbrojtësit e saj.

Xoxa deklaroi gjithashtu se dëshiron të jetë personalisht e pranishme në gjykim dhe nuk autorizon avokatët ta përfaqësojnë në mungesë.

SPAK e kundërshtoi kërkesën, duke argumentuar se ligji nuk parashikon pezullimin e gjykimit për shkak të lejes së lindjes. Sipas prokurorisë, nëse gjykata e konsideronte të domosdoshme praninë e Xoxës, zgjidhja ligjore do të ishte ndarja e çështjes së saj nga ajo e të pandehurve të tjerë.

Pas shqyrtimit të kërkesës, GJKKO vendosi të mos pezullojë gjykimin për 63 ditë, siç kërkoi mbrojtja.

Në arsyetimin e saj, gjykata vëren se Ajola Xoxa nuk ka qenë e pranishme në asnjë seancë që prej fillimit të gjykimit dhe deri më sot, duke u përfaqësuar vazhdimisht nga avokatët. Nga ana tjetër, gjykata pranoi se provohet që ajo ka sjellë në jetë një fëmijë me lindje me operacion dhe, për këtë arsye, vendosi t’i japë mundësinë reale të marrë pjesë në proces.

Pikërisht për këtë arsye, gjykata shtyu seancën, por jo për 63 ditë. Seanca e radhës u caktua më 21 korrik, në orën 10:00.

Gjykata arsyetoi se dokumenti i paraqitur nga mbrojtja ishte raport barrëlindjeje dhe jo raport paaftësie për punë, ndaj nuk ekzistonin kushtet ligjore për pezullimin e shqyrtimit gjyqësor për dy muaj.

Për shkak se procesi nuk u zhvillua në themel dhe u shty për një datë tjetër, GJKKO vendosi edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit që ndodhen në masën “arrest në burg”, përfshirë Erion Veliajn, deri në seancën e 21 korrikut.

Pra, gjykata mori dy vendime të ndryshme: rrëzoi kërkesën për pezullimin e gjykimit për 63 ditë, por pranoi shtyrjen e seancës deri më 21 korrik, duke pezulluar ndërkohë edhe afatet e paraburgimit për Veliajn. Kjo do të thotë se gjykimi nuk ndalet për dy muaj, por thjesht shtyhet për rreth dy javë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme