Lifestyle 16 July 2025, 14:30 Nga VNA

Veshje luksi të qepura me skllavëri/ Xhaketat Loro Piana që shiten 3,000 euro kushtojnë vetëm 100

Ndaje në Whatsapp
Veshje luksi të qepura me skllavëri/ Xhaketat Loro Piana që

 

Një nga markat më të njohura të luksit italian dhe pjesë e konglomeratit francez LVMH, Loro Piana, është vendosur zyrtarisht nën administrim gjyqësor nga një gjykatë në Milano, pas zbulimeve tronditëse për shfrytëzim pune në zinxhirin e saj të prodhimit.

Sipas dokumenteve të siguruara nga agjencia Reuters, hetimi i Prokurorisë së Milanos ka zbuluar se furnitorët e Loro Piana-s po përdornin punonjës të padeklaruar, shumica emigrantë pa dokumente, të cilët punonin në kushte çnjerëzore në punishte të vendosura në periferi të qytetit. Ata ishin të detyruar të punonin orë të gjata, të flinin në të njëjtat ambiente ku punonin, dhe paguheshin shumë më pak se paga minimale e ligjshme.

Gjykata e cilësoi situatën si “neglizhencë të rëndë” nga ana e kompanisë, për shkak se nuk kishte ushtruar kontroll efektiv mbi furnitorët, dhe për këtë arsye ka vendosur emërimin e një administratori të jashtëm, i cili do të monitorojë kompaninë për një periudhë 12-mujore. Masa nuk ndikon në aktivitetin komercial të markës, por synon garantimin e përputhjes me standardet ligjore dhe etike.

Loro Piana, e njohur për xhaketat luksoze me kasmir dhe vicuña që shiten me çmime nga 1,000 deri në 3,000 euro, është një prej gurëve të çmuar të perandorisë LVMH, që kontrollohet nga miliarderi francez Bernard Arnault. Kompania u ble nga LVMH në vitin 2013 dhe përfaqëson ekskluzivitetin dhe cilësinë në industrinë e modës.

Në reagimin zyrtar, përfaqësues të Loro Piana thanë se ishin “të tronditur nga zbulimet” dhe se kishin nisur menjëherë një hetim të brendshëm për të verifikuar praktikat në të gjithë rrjetin e furnitorëve. Ata shprehën angazhimin për “respektimin absolut të të drejtave të punëtorëve dhe standardeve të etikës profesionale”.

Ky është rasti i tretë brenda një viti në Itali që një kompani prestigjioze e modës vendoset nën administrim gjyqësor për arsye të ngjashme. Më herët, marka si Armani dhe Alviero Martini janë përballur me të njëjtat masa, duke ngritur shqetësime serioze për mungesën e transparencës dhe etikës në industrinë e luksit.

Ndërkohë, Ministria italiane e Punës dhe Prokuroria e Milanos kanë paralajmëruar zgjerimin e hetimeve, duke synuar të godasin rrjetet e errëta të nënkontraktimit, që shpesh menaxhohen nga kompani me origjinë kineze, të cilat kanë ndërtuar sisteme të tëra shfrytëzimi, për të përmbushur kërkesat e tregut të luksit me kosto minimale.

Skandali rrezikon të njollosë imazhin e industrisë italiane të modës, e cila prej dekadash njihet për mjeshtërinë dhe elegancën, por që sipas këtij rasti, mund të jetë ndërtuar mbi një bazë të errët të shfrytëzimit njerëzor.

 

Video

Gallatasaraji fitoi 2-1 derbin ndaj Fenerbahçes të hënën në mbrëmje, por vëmendjen në rrjet e mori sherri pas përfundimit të ndeshjes. Sapo gjyqtari vërshëlleu për mbylljen e takimit, në fushë nisi një zënkë mes lojtarëve, ku fillimisht protagonist ishte Guenduzi. Situata u tensionua më tej kur Arçi Braun i Fenerbahçes dhe Abdulkarim Bardakçi i Gallatasarajit u përfshinë në një përleshje fizike. Lojtarët dhe stafet e të dyja skuadrave u grumbulluan në përpjekje për të ndarë palët. Për të qetësuar situatën ndërhyri edhe policia, ndërsa pamjet e përplasjes po bëjnë xhiron e rrjetit.

Këto janë momentet e tërheqjes së forcave të policisë serbe nga qendra e Beogradit, ndërsa mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të festuar fitoren zgjedhore të Listës Studentore. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njësi policore që largohen nga zona qendrore e kryeqytetit serb, mes brohoritjeve të qytetarëve të mbledhur pranë institucioneve shtetërore.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme