Kronika 15 June 2026, 13:24 Nga VNA

SPAK: Orest Sota në qendër të dosjes SkyECC, komunikimet për “20 buk mall” me Orgest Birçajn

Ndaje në Whatsapp
SPAK: Orest Sota në qendër të dosjes SkyECC, komunikimet për

Dokumentet hetimore të SPAK që lidhen me operacionin “Black Eagle” hedhin dritë mbi atë që prokurorët e konsiderojnë rolin e biznesmenit Orest Sota në aktivitetin e një rrjeti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Në një kapitull të veçantë të dosjes, të titulluar “Orest Sota, përfshirja në aktivitetin kriminal të trafikut të lëndës narkotike”, organi i akuzës argumenton se komunikimet e zhvilluara në platformën e koduar SkyECC tregojnë se Sota nuk ishte thjesht në dijeni të aktivitetit të grupit të Alfredo Hamzait, por sipas SPAK ishte pjesë aktive e tij.

Sipas dosjes, nga analizimi i komunikimeve mes përdoruesit të identifikuar si Alfredo Hamzai dhe atij të identifikuar si Orest Sota rezulton se Hamzai ishte i përfshirë në trafikimin masiv të kokainës në vende të ndryshme të Europës, ndërsa Orest Sota paraqitet si një nga bashkëpunëtorët e tij. Hetuesit pretendojnë se Sota furnizohej me lëndë narkotike në vende si Greqia, Italia dhe Anglia, ndërsa në të njëjtën kohë siguronte mbështetje dhe informacion për grupin.

Në dosje thuhet se Orest Sota jo vetëm kishte dijeni për aktivitetin e grupit kriminal, por merrte pagesa nga anëtarë të tij dhe siguronte informacione me interes për hetimet. SPAK përmend konkretisht se në komunikime flitet edhe për ardhjen në Shqipëri të prokurorëve belgë që po hetonin dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, çka sipas hetuesve tregon interesimin e grupit për zhvillimet hetimore që mund t’i preknin.

Një nga elementët që SPAK përdor për të dokumentuar lidhjet e Orest Sotës me personat e tjerë nën hetim është komunikimi me Orgest Birçajn. Në dosje thuhet se njohja mes tyre provohet nga bisedat e zhvilluara në SkyECC dhe se përmbajtja e tyre lidhet drejtpërdrejt me trafikimin e lëndëve narkotike.

Në një komunikim të datës 1 maj 2020, i atribuar nga SPAK përdoruesit të identifikuar si Orgest Birçaj, ky i fundit i drejtohet Orest Sotës me fjalët:

“Mos kan ata shoket e tu mall, me duhen 20 buk, i kam rom leket.”

Sipas dosjes, menjëherë pas këtij mesazhi nis një diskutim për mundësinë e sigurimit të sasisë së kërkuar. Në komunikim shfaqen përgjigje të shkurtra si “Ca”, ndërsa më pas vijon mesazhi:

“Po ti mar ti çoj për nje jav.”

Biseda vazhdon me pyetje dhe përgjigje të tjera që sipas SPAK lidhen me sigurimin e lëndës narkotike dhe negocimin e çmimit. Në komunikim përmenden emra dhe referenca si “Genzi” dhe “Villa”, ndërsa më pas diskutimi kalon te çmimi i mallit.

“Po me sa eshte”, shkruhet në një nga mesazhet.

Pas disa shkëmbimeve të tjera, në komunikim shfaqet shprehja:

“Malli me 26.5”

dhe menjëherë më pas:

“27”.

Pikërisht këto referenca përdoren nga SPAK si elementë që, sipas hetuesve, tregojnë se biseda nuk lidhej me një aktivitet të zakonshëm tregtar, por me negociimin e çmimit të lëndës narkotike.

Në përmbledhjen e këtij kapitulli, prokurorët arrijnë në përfundimin se Orest Sota jo vetëm kishte kontakte të vazhdueshme me Alfredo Hamzain dhe persona të tjerë të grupit, por sipas tyre ishte i përfshirë aktivisht në veprimtarinë e trafikimit të kokainës. Për të mbështetur këtë konkluzion, dosja referon komunikimet me Alfredo Hamzain, komunikimet me Orgest Birçajn, diskutimet për furnizime me “mall”, çmimet e tij dhe interesimin për zhvillimet hetimore që lidhnin grupin me autoritetet belge.

Megjithatë, të gjitha këto mbeten pretendime të paraqitura nga SPAK në fazën hetimore. Orest Sota, Orgest Birçaj dhe personat e tjerë të përfshirë në dosje gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme