Sociale 17 December 2024, 15:53 Nga VNA

Qytetarët e Ballkanit pesimistë për të ardhmen e rajonit

Ndaje në Whatsapp
Qytetarët e Ballkanit pesimistë për të ardhmen e rajonit

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal prezantoi gjetjet e sondazhit vjetor ‘SecuriMeter‘ për vitin 2024, nëpërmjet të cilit qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor shprehin perceptimet e tyre për çështjet e sigurisë në rajon. Sipas rezultateve të sondazhit, pritshmëritë e qytetarëve të rajonit nuk duken tepër optimiste për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. “Vetëm 39% e qytetarëve bien dakord se Ballkani Perëndimor është një vend i sigurtë për të jetuar, duke theksuar shqetësimet e tyre lidhur me sigurinë, teksa 83% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor pranojnë se korrupsioni është i përhapur kudo”, citojnë gjetjet e raportit. Sondazhi i opinionit publik SecuriMeter për Ballkanin Perëndimor u lançua për herë të parë në vitin 2021, dhe kryhet çdo vit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me mbështetjen e qeverisë italiane. Sondazhi për vitin 2024 u krye gjatë muajve Qershor-Korrik 2024 me gjashtë mijë pjesëmarrës nga vendet e Ballkanit Perëndimor. “Shqipëria është vendi me shkallën më të lartë të qytetarëve që ndihen të pasigurtë për ekonominë e tyre (32%)”, citojnë gjetjet e raportit, duke theksuar se shqetësimet kryesore të raportuara nga shqiptarët janë inflacioni dhe kosto e lartë e jetesës. Të dhënat tregojnë se qytetarët shqiptarë përballen vazhdimisht me vështirësi ekonomike dhe hasin sfida në mbylljen e muajit. “Kjo thekson nevojën urgjente për të adresuar varfërinë dhe për të krijuar mundësi ekonomike për Shqiptarët”, citon raporti. Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal gjithashtu bëri thirrje për reagim të menjëhershëm lidhur me gjetjet e sondazhit. “Sot ne nuk po prezantojmë thjesht raportin, por po përcjellim zërat e mijëra qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, tha Majlinda Bregu, sekretare e përgjithsme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. “Këto gjetje na shtyjnë të veprojmë pa hezituar, me urgjencë dhe vendosmëri”, vijoi Bregu mbi gjetjet e raportit për vitin 2024. Rezultatet vijojnë më tej duke treguar se 42% e pjesëmarrësve në sondazh u shprehën se kishin ankth lidhur me një rritje të mundshme të shkallës së kriminalitetit, si pasojë e imigrimit në vendet e tyre, por edhe largimit të vendasve drejt Europës. Rezultatet nuk janë optimiste as përsa i përket dhunës me bazë gjinore. “66% e grave në Ballkanin Perëndimor e konsiderojnë dhunën në familje si një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe real, teksa 54% e tyre e konsiderojnë ngacmimin seksual si një kërcënim për sigurinë e tyre”, citojnë gjetjet. Lidhur me pritshmëritë për të ardhmen e rajonit, rezultatet e sondazhit tregojnë se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kanë shkallën më të lartë të qytetarëve që kanë një pritshmëri negative mbi sigurinë në rajon në 12 muajt e ardhshëm. “Tre problemet kryesore që shqiptarët raportojnë se ndodhin shpesh janë personat që lypin rrugëve, konsumimi i alkolit në rrugë dhe tregtia e lëndëve narkotike në rrugë”, shkruhet në raportin e SecuriMeter 2024. Sondazhi identifikon si problematika të mëtejshme në nivel rajonal shqetësimin për një konflikt të brendshëm mes vendeve të Ballkanit. “48% e të intervistuarve shprehen se një luftë midis ekonomive të Ballkanit është e mundshme, duke reflektuar tensionet e vazhdueshme”, tregojnë gjetjet. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (53%) gjithashtu shprehin shqetësime për përballimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbulimin e medikamenteve (76%) në vendet e rajonit.

Reporter.al

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme