Kronika 9 July 2026, 13:55 Nga VNA

Policia: Dyshime për një sulm të koordinuar online ndaj turizmit shqiptar, mbi 10 mijë llogari nën verifikim

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-09 at 1.54.56 PM.jpeg

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bëri të ditur se strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik po hetojnë një aktivitet të dyshuar të koordinuar në internet, i cili sipas autoriteteve synon të dëmtojë reputacionin e bizneseve turistike dhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Sipas Hitës, gjatë ditëve të fundit janë evidentuar publikime masive të komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj hoteleve, restoranteve, resorteve dhe subjekteve të tjera turistike në platformat ndërkombëtare të vlerësimit. Nga verifikimet paraprake dhe kallëzimet e administruara kanë dalë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar, me synimin për të krijuar një perceptim të rremë dhe për të dëmtuar artificialisht reputacionin online të bizneseve shqiptare.

Policia bën të ditur se deri tani janë identifikuar mbi 10 mijë llogari me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat po verifikohen nga strukturat e specializuara. Sipas hetimeve paraprake, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë krijuar rishtazi dhe dyshohet se janë përdorur vetëm për këtë aktivitet, ndërsa janë identifikuar edhe profile reale që po hetohen.

Autoritetet kanë konstatuar raste kur e njëjta llogari ka publikuar brenda pak minutash vlerësime negative për biznese në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Shkodër dhe Korçë. Sinkronizimi i kohës së publikimeve, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së komenteve janë elementët kryesorë që po analizohen për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një veprimtari të organizuar.

Hita theksoi se, nëse provohet se aktiviteti ka qenë i qëllimshëm, ai nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por edhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Drejtori i Policisë njoftoi se ka urdhëruar intensifikimin e hetimeve për identifikimin e autorëve, gjurmimin e infrastrukturës teknike të përdorur, analizimin e lidhjeve mes llogarive dhe sigurimin e provave dixhitale, në bashkëpunim me platformat online dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Policisë së Shtetit, materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, pasi deri tani ekzistojnë dyshime për elemente të veprave penale në fushën e krimeve kompjuterike, si dhe për dëmtim të interesave ekonomike dhe reputacionit të bizneseve. Policia u ka bërë thirrje administratorëve të hoteleve, restoranteve dhe subjekteve turistike që kanë konstatuar raste të ngjashme të paraqesin kallëzim dhe të ruajnë çdo provë elektronike që mund t’i shërbejë hetimit.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme