Kronika 9 July 2026, 11:41 Nga VNA

Avokatët e Metës dhe Kryemadhit kundërshtojnë provat e SPAK-ut, kërkojnë dëshminë e Adrian Shatkut me letërporosi

Ndaje në Whatsapp

fvfdfdv.PNG

Seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për çështjen ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit u shoqërua me kundërshtime nga mbrojtja, e cila kërkoi rrëzimin e disa prej provave të administruara nga SPAK, duke i cilësuar ato të pavlefshme dhe të papërdorshme.

Avokati i Monika Kryemadhit, Redi Llanaj, deklaroi se akuza e ngritur nga SPAK nuk mbështetet në prova që provojnë një vepër penale dhe e konsideroi çështjen me prapavijë politike. Gjatë paraqitjes së kërkesave, ai kundërshtoi aktin e ekspertimit financiar të prokurorisë dhe kërkoi që të kryhet një ekspertim i ri kontabël për të ardhurat ndër vite të çiftit Meta-Kryemadhi.

“Vetë SPAK pranon se blerja e vilës nuk ka korrupsion. Kjo çështje nuk është juridike, por politike. Këtu nuk ka fakt penal”, u shpreh Llanaj. Deklarata e tij u ndërpre nga gjyqtari Erion Bani, i cili i tërhoqi vëmendjen të mos përdorte terma që mund të cenonin solemnitetin e seancës. Llanaj u përgjigj se fjala e përdorur prej tij nuk ishte fyese, por nënkuptonte një “instrument”.

Një nga kërkesat kryesore të mbrojtjes ishte marrja e dëshmisë së biznesmenit Adrian Shatku përmes letërporosisë, pasi sipas avokatit ai nuk jeton në Shqipëri. Llanaj argumentoi se dëshmia e tij mund të sqarojë marrëdhënien me Kryemadhin, mënyrën e njohjes mes tyre, si dhe rolin e saj në negociatat për kontratën mes kompanisë UNIFI dhe Vodafone Albania.

Sipas SPAK, Adrian Shatku kërkonte që kompania e tij UNIFI të lidhte një marrëveshje interkoneksioni ndërkombëtar me Vodafone Albania. Prokuroria pretendon se nga komunikimet e gjetura në telefonin e Monika Kryemadhit rezulton se ajo dhe Ilir Meta janë angazhuar për të ndihmuar në realizimin e kësaj marrëveshjeje.

Në dosjen hetimore përmenden komunikime me Shatkun, takime me drejtues të Vodafone Albania dhe diskutime për ecurinë e negociatave. Mbrojtja pretendon se këto komunikime janë interpretuar gabimisht nga prokuroria dhe se dëshmia e Shatkut mund të sqarojë nëse Kryemadhi ka pasur apo jo rol konkret në këtë proces.

Avokati kërkoi gjithashtu dëshminë e një shtetasi afrikano-jugor, i përmendur në komunikimet mes Kryemadhit dhe Shatkut, për të sqaruar nëse ish-deputetja ka pasur kompetencë apo rol në negociatat për marrëveshjen me Vodafone.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Ilir Metës kërkoi që të mos pranohen si prova disa materiale të dosjes, mes tyre mesazhet telefonike, intervistat e Vojsava Ismailajt dhe Ervis Matës, si dhe dëshmia e ish-ministrit Dritan Prifti.

Meta, përmes mbrojtjes së tij, pretendoi se disa nga këto materiale nuk kanë vlerë provuese dhe se hetimi është ndikuar nga faktorë politikë.

Gjithashtu, avokati i Kryemadhit kërkoi marrjen në pyetje të disa personave, mes tyre Esmeralda Shkjau, Vali Bizhga, kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, si dhe deputetë që kanë propozuar ndryshime në ligjin nr. 134/2014.

Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK pas përfundimit të hetimeve. Sipas akuzës, Meta përballet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa Kryemadhi akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim ose fshehje të pasurisë.

Hetimi i SPAK është përqendruar te pagesat dhe shpenzimet jashtë vendit, përdorimi i kartave bankare të biznesmenit Adrian Shatku, kontratat e lobimit të ish-LSI-së dhe deklarimet e pasurisë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme