Politika 1 June 2026, 08:14 Nga VNA

Pas Nartës, protesta mbërrin te Kryeministria: heshtja e Berishës dhe testi i partive të reja

Ndaje në Whatsapp
Pas Nartës, protesta mbërrin te Kryeministria: heshtja e Berishës

Protesta kundër projektit turistik në Nartë ka hyrë në një fazë të re politike. Mbrëmjen e së dielës, qindra qytetarë u mblodhën para Kryeministrisë, duke e zhvendosur debatin nga kantieri i Zvërnecit në zemër të Tiranës. Mes thirrjeve të protestuesve nuk munguan sloganet kundër klasës politike në tërësi, përfshirë edhe parullat “Rama në burg, Berisha në burg”, duke treguar se pakënaqësia e një pjese të pjesëmarrësve nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por ndaj modelit politik që ka dominuar vendin prej dekadash.

Megafoni i protestës u mbajt kryesisht nga aktivistë jo politikë, të cilët njoftuan se një tjetër tubim do të zhvillohet edhe sot para Kryeministrisë. Ndërkohë, e vetmja forcë politike që u përfshi qartësisht dhe në mënyrë të dukshme në protestën e mbrëmshme ishte Lëvizja Ndryshe, aktivistët e së cilës ishin ndër më aktivët në terren.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të dalë sot në një konferencë për shtyp për të paraqitur qëndrimin e qeverisë lidhur me projektin e Nartës dhe polemikat që kanë shpërthyer rreth tij. Konferenca pritet me interes të veçantë pas tensioneve të ditëve të fundit dhe pas reagimit të gjerë publik që shkaktuan pamjet e përplasjes mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Në kontrast me intensitetin e debatit publik, opozita e drejtuar nga Sali Berisha nuk ka bërë deri tani asnjë reagim zyrtar për zhvillimet e 48 orëve të fundit. Kjo përbën një rast të pazakontë për Berishën, i cili zakonisht komenton pothuajse çdo zhvillim politik apo publik në vend. Heshtja e opozitës kryesore ka ngritur pikëpyetje mbi strategjinë që ajo do të ndjekë përballë një proteste që po merr gjithnjë e më shumë dimensione politike.

Ndërkohë, pas jehonës së madhe që mori dhuna ndaj një protestuesi gjatë ngjarjeve në Nartë dhe reagimeve që pasuan, përfshirë edhe ndërhyrjen e qeverisë greke, rrethimi me tela në zonën e konfliktit u hoq, në atë që u konsiderua si reagimi i parë konkret ndaj presionit publik.

Tashmë vëmendja është zhvendosur te protesta e paralajmëruar për sot. Nëse mbrëmë Lëvizja Ndryshe ishte e vetmja forcë politike e pranishme në mënyrë të organizuar, mbetet për t’u parë nëse partitë e tjera të reja do t’i bashkohen kësaj kauze dhe nëse protesta do të mbetet një lëvizje qytetare apo do të shndërrohet në një test të ri politik për opozitën shqiptare.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme