Politika 4 September 2026, 15:52 Nga VNA

Ish-ministrja e Partisë Socialiste thërrmon propagandën e Ramës me Besë e Prani: Po institucionet pse i kemi?

Ndaje në Whatsapp

fvdfvdfvd.jpg

​Nën hijen e nismave dhe sloganeve më të fundit të mazhorancës, ish-ministrja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka lëshuar një reagim të fortë ndaj qasjes politike që zhvendos vëmendjen nga detyrimet ligjore të institucioneve te veprimet individuale politike. Përmes një analize të hollësishme mbi shqetësimet e përditshme të qytetarëve, Meksi ngre pikëpyetje mbi efikasitetin e kësaj retorike përballë dështimit të pushtetit vendor dhe qendror për të garantuar shërbimet bazë.

​“Sot, me të drejtë, qytetarët shqetësohen për sigurinë në hotele, në rrugë dhe në hapësirat publike. Por sa të sigurt ndihemi në pallatet ku jetojmë?” shkruan Meksi, duke sjellë në vëmendje sigurinë e ashensorëve të pakolauduar, mungesën e kontrollit mbi administratorët e licencuar dhe dështimin e bashkive për të ndërhyrë.

​Ajo ndalet gjithashtu te degradimi i infrastrukturës urbane dhe ndërtimet pa kriter që po rëndojnë jetesën e banorëve:

​“Çfarë ndodh kur papritur ngrihet një kullë përballë pallatit, duke ndryshuar mjedisin ku jetojmë dhe duke rënduar mbi një infrastrukturë që nuk është projektuar për një dendësi të tillë? Kur blemë apartamentet tona, kemi vlerësuar edhe distancën, hapësirën, dritën dhe qetësinë. Kush mban përgjegjësi kur këto ndryshojnë pa u marrë seriozisht në konsideratë kapaciteti i infrastrukturës dhe interesi i banorëve?”

Duke marrë shkas nga përdorimi i termave të reja në diskursin politik, Meksi vë në dyshim drejtpërdrejt synimin e tyre real përballë hallit të qytetarit:

​“Si do t’i adresojnë këto probleme ‘BESA’, ‘Prania Besnike’, ‘PasqyrAlbania’ dhe ‘Radar’? A do të shërbejnë për të forcuar institucionet dhe llogaridhënien, apo do të mbeten togfjalë të rinj politikë, të përsëritur në kor nga deputetët, ndërsa qytetari vazhdon të kërkojë ndërhyrje individuale për të drejtën që i takon e duhet t’ja garantoj shteti?”

​Për ish-ministren, zgjidhja e problemeve nuk mund të bëhet përmes favoreve apo pranisë së politikanëve, por përmes zbatimit të ligjit dhe funksionimit të shtetit:

​“Qytetari nuk është një ‘rast’ që politikani duhet ta ndjekë, por qytetar me të drejta, ndërsa institucioni ka detyrimin t’ia garantojë ato në përputhje me ligjin dhe interesin publik. Prania e politikanit e bën të dëgjohet halli; por vetëm institucioni është në gjendje ta zgjidhë atë. Më shumë se ‘Prani Besnike’, na duhet përgjegjësi institucionale.”

​Në përfundim, Meksi thekson se çelësi i zgjidhjes qëndron te fuqizimi i pushtetit vendor dhe i këshilltarëve bashkiakë, duke u shprehur se “zgjidhja nuk është të afrojmë çdo hall te qeveria dhe kryeministri, por të sjellim vendimmarrjen dhe përgjegjësinë më pranë qytetarit.”

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme