Politika 3 July 2026, 12:16 Nga VNA

Iliriana Nano mes KQZ-së dhe KLP-së: kur ligji duket se zbatohet vetëm për të tjerët

Ndaje në Whatsapp
Iliriana Nano mes KQZ-së dhe KLP-së: kur ligji duket se zbatohet

Pak ditë më parë raportuam se Kodi Zgjedhor parashikon ndalime të qarta për një nëpunës të nivelit të lartë drejtues që të kandidojë ose të emërohet në organet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Megjithatë, rasti i Iliriana Nanos tregon se mes asaj që shkruan ligji dhe asaj që ndodh në praktikë mund të ketë një distancë jo të vogël.

Iliriana Nano vijon të ushtrojë njëkohësisht detyrën e anëtares së KQZ-së dhe atë të sekretares së përgjithshme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke firmosur si nëpunësja më e lartë administrative e një prej organeve të drejtësisë.

Ligji “Për nëpunësin civil” është i qartë. Në kategorinë e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues përfshihen:

* sekretari i përgjithshëm;
* drejtori i departamentit;
* drejtori i drejtorisë së përgjithshme;
* pozicionet e barasvlershme me tre të parat.

Po aq i qartë është edhe Kodi Zgjedhor, i cili ndalon që një nëpunës i nivelit të lartë drejtues të jetë pjesë e organeve të KQZ-së. Me fjalë të tjera, ligjvënësi ka vlerësuar se këto dy funksione nuk duhet të ushtrohen nga i njëjti person.

Për sa kohë që Iliriana Nano mban të dyja detyrat, ajo ndodhet në një situatë konflikti të vazhdueshëm me funksionin që ushtron në KQZ si sekretare e përgjithshme e KLP-së. Vetë Kodi Zgjedhor nuk ndalon që ajo të punojë në KLP, por ndalon që një nëpunës i nivelit të lartë drejtues të jetë njëkohësisht anëtar i KQZ-së.

Nga interpretimi i dispozitave rezulton se Nano mund të vazhdojë të punojë në KLP vetëm nëse nuk ushtron më një funksion të nivelit të lartë drejtues, pra nëse transferohet në një pozicion tjetër të shërbimit civil, si ai i drejtorit të një drejtorie.

Edhe ligji “Për nëpunësin civil” parashikon mekanizmin për shmangien e konfliktit të interesit. Neni përkatës përcakton:

“Nëse nëpunësi civil gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm, të deklaruar nga vetë ai ose sipas rasteve të tjera të konfliktit të interesit, të parashikuara sipas ligjit në fuqi, nëpunësi transferohet në një pozicion tjetër të shërbimit civil, nëse konflikti shmanget nëpërmjet transferimit.”

Pra, vetë ligji nuk e lë pa zgjidhje një situatë të tillë. Përkundrazi, ai përcakton qartë mekanizmin që duhet ndjekur për të shmangur konfliktin e interesit.

Deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Kjo do të thotë se ose Shqipëria ka mbetur pa juristë që plotësojnë kriteret ligjore për të mbajtur një nga këto dy poste, ose ligji po trajtohet si një rekomandim dhe jo si detyrim. Vështirë të besohet alternativa e parë. Ndaj mbetet e dyta.

Injorimi i të paktën katër dispozitave ligjore që e vendosin një zyrtar në konflikt të vazhdueshëm interesi nuk flet vetëm për rastin e Iliriana Nanos. Ai flet edhe për institucionet që kanë detyrimin të garantojnë zbatimin e ligjit. Dhe kur edhe Kuvendi, që duhet të mbikëqyrë funksionimin e KQZ-së dhe KLP-së, nuk sheh asnjë problem, atëherë problemi nuk është më Iliriana Nano. Problemi është mesazhi që u jepet të gjithë zyrtarëve: se në Shqipëri disa dispozita ligjore zbatohen me rigorozitet, ndërsa të tjera mund të anashkalohen pa asnjë pasojë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme