Kronika 16 June 2026, 16:39 Nga VNA

GJKKO rrëzon kërkesat e Veliajt: Jo transmetimit live dhe jo daljes nga kafazi i xhamit, seanca shtyhet në 23 qershor

Ndaje në Whatsapp

ffdfvdv.jpg

U mbajt sot gjyqi për akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 7 personave të tjerë të akuzuar në të njëjtën dosje. Veliaj nuk mori pjesë as në këtë seancë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës për transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore, si dhe kërkesën për t’u larguar nga kafazi prej xhami. Sipas gjykatës, qëndrimi në këtë hapësirë nuk cenon asnjë të drejtë procedurale të të zgjedhurit vendor.

Në një letër drejtuar gjykatës, Veliaj argumentoi se nuk ishte zbatuar ligji lidhur me nxjerrjen e tij nga kafazi prej xhami dhe kërkoi mundësinë për të marrë pjesë në sallën e gjyqit si një person i lirë. Ai pretendoi gjithashtu se nuk i ishin vënë në dispozicion 24 fashikujt e tjerë të dosjes dhe provat digjitale.

Gjatë seancës, avokati i tij, Plarent Ndreca, përsëriti kërkesën për lejimin e transmetimit live të procesit gjyqësor.

"Kërkoj lejimin e kamerave për të regjistruar live këtë proces. Fakti që vjen në sallë një punonjëse administrative dhe pyet kush është dakord e kush jo, kjo është ndërhyrje në punët e gjykatës. Vendimmarrjen e merr trupa gjyqësore. Moslejimi i kamerave në sallë është një goditje e drejtpërdrejtë e të drejtës kushtetuese që kanë mediat për të transmetuar live", tha ai.

Ndreca kërkoi po ashtu që Erion Veliajt t’i krijohen kushtet për të marrë pjesë në gjyq jashtë kafazit prej xhami, në krah të avokatit të tij.

"Mosprezenca e tij ndikon drejtpërdrejt në proces", u shpreh Ndreca. Mbrojtësi ligjor kërkoi gjithashtu që seancat të zhvillohen një herë në dy javë, duke argumentuar se zhvillimi i tyre çdo javë nuk garanton mbrojtje efektive për shkak të afateve të ngushta.

Pretendimet e avokatit u kundërshtuan nga SPAK. Prokurori Altin Dumani deklaroi se seanca është publike dhe se në asnjë dispozitë ligjore nuk parashikohet transmetimi i saj live. Ndërsa prokurori Olsi Dado kërkoi rrëzimin e kërkesës për qëndrimin e Veliajt jashtë kafazit të xhamit.

Gjatë seancës u bë me dije gjithashtu se anëtari i trupës gjykuese, Besmir Stroka, kishte paraqitur dorëheqjen, por kjo i ishte refuzuar nga nënkryetari i gjykatës. Nga ana tjetër, avokati i Veliajt deklaroi se mbrojtja kishte kundërshti ndaj gjyqtares Flora Hajredinaj dhe se do të paraqiste kërkesë sipas ligjit.

Pasi avokatja e Ajola Xoxës kërkoi më shumë kohë për të paraqitur kërkesat, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më 23 qershor.

Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij akuzohen për korrupsion dhe përfshirje në një skemë komplekse të pastrimit të parave.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme