Kronika 26 May 2026, 09:04 Nga VNA

"Fjetja" e Artur Metanit, ILD mori mijëra ankesa qytetare në 2025, por vetëm 8 magjistratë u proceduan

Ndaje në Whatsapp

DSC_7719-scaled.jpg

Raporti vjetor i veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për vitin 2025 siguruar nga VNA, paraqet një tablo komplekse të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. ILD pretendon se ka kaluar nga faza e konsolidimit drejt një "maturimi institucional", duke u fokusuar te cilësia e inspektimeve dhe integriteti i magjistratëve. Siç thuhet në dokument, kjo qasje synon jo vetëm kontrollin, por "ngritjen e standardit të shërbimit dhe forcimin e besimit të qytetarëve te drejtësia".

Paradoksi i shifrave
Gjetja më goditëse e raportit është hendeku i madh mes pretendimeve të qytetarëve dhe masave disiplinore përfundimtare. Gjatë vitit 2025, ILD u përball me një volum rekord: 3,272 ankesa ishin objekt shqyrtimi (përfshirë ato të mbartura), nga të cilat 1,792 ishin ankesa të reja. Raporti e interpreton këtë fluks si shenjë pozitive, duke theksuar se: "Ky trend progresiv, në krahasim me vitin paraardhës, dëshmon rritjen e besimit të publikut tek roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë".

Megjithatë, kur vjen puna te procedimet, numrat tkurren ndjeshëm. Nga mbi 1,600 ankesa të trajtuara, vetëm 12 hetime disiplinore u nisën dhe vetëm 8 procedime disiplinore u propozuan pranë Këshillave. Kjo diferencë shpjegohet me faktin se një pjesë dërrmuese e ankesave arkivohen (1,211 pas shqyrtimit fillestar) sepse nuk plotësojnë kriteret ligjore ose lidhen me vendimmarrje gjyqësore që nuk mund të inspektohen.

Raporti sqaron: "Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar fillimin e procedimit disiplinor për 8 magjistratë, për 3 magjistratë kërkesat për procedim janë paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe për 5 magjistratë kërkesat për procedim janë paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë".


Zvarritja e gjyqeve
Shqetësimi kryesor i shqiptarëve mbetet vonesa e pafundme e proceseve. 33% e ankesave të trajtuara lidhen me zvarritje të gjykimit dhe hetimit.

Situata është veçanërisht kritike në Tiranë, ku Gjykata e Shkallës së Parë mban peshën e 41.3% të totalit të çështjeve në rang vendi.

Raporti vë në dukje se: "Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vitin 2024 vijon të mbajë peshën kryesore në ngarkesën totale të sistemit me 53,112 çështje". ILD ka konstatuar vonesa në arsyetimin e vendimeve që kalojnë çdo afat logjik, duke dëmtuar imazhin e drejtësisë, sepse "tejkalimi i afateve logjike është thuajse i barabartë me mungesën e drejtësisë".

Mungesa e Inspektorëve 
Pavarësisht kërkesave në rritje, ILD vetë vuan nga mungesa e personelit. Gjatë vitit 2025, institucioni kishte 10 vende vakante për pozicionin "inspektor". Rekrutimi i magjistratëve mbetet një sfidë, pasi shumë nuk shfaqin interes për shkak të kritereve strikte të vjetërsisë, çka solli edhe nevojën për ndryshime ligjore. Raporti specifikon: "Për vitin 2025 organika e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, vijon të jetë e paplotësuar me 10 vende në pozicionin 'inspektor'".

Ky raport 2025 dëshmon se, ndonëse ILD ka forcuar mekanizmat e tij, "makineria" e llogaridhënies në drejtësi ende punon me ritme që nuk përputhen me pritshmëritë dhe volumin e ankesave të qytetarëve, të cilët mbeten të ekspozuar ndaj vonesave sistematike dhe mbingarkesës së gjykatave.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme