
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se paketa e re fiskale është hartuar në favor të oligarkëve dhe miliarderëve, në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, gjatë konferencës për mediat, Berisha nuk përmendi asnjë emër konkret të oligarkëve që, sipas tij, do të përfitojnë nga këto ndryshime.
Berisha e cilësoi paketën fiskale si një “paketë mjerimi”, duke pretenduar se ajo është përgatitur në fshehtësi të plotë, madje pa dijeninë e ministrave të kabinetit qeveritar.
Sipas kreut të opozitës, ndryshimet fiskale parashikojnë rritjen e taksave me rreth 200 milionë euro, duke rënduar veçanërisht mbi bizneset e vogla, profesionet e lira, klasën e mesme dhe familjet me të ardhura të ulëta.
“Jam sot këtu për të denoncuar paketën fiskale të re si paketën e mjerimit të qytetarëve, si paketën e mbështetjes së oligarkëve dhe miliarderëve”, deklaroi Berisha.
Ai pretendoi gjithashtu se rritja e TVSH-së së përgjithshme në 21% do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve dhe në dobësimin e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve shqiptare.
Berisha kritikoi edhe propozimin për uljen e TVSH-së për 50 mallra bazë, duke e cilësuar këtë masë si të pavlefshme për konsumatorët, për shkak të uljes së pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset e vogla nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Në përfundim, kreu i PD-së kundërshtoi edhe ndryshimet e paralajmëruara në taksimin e karburanteve, duke pretenduar se ulja e taksës mbi naftën do të kompensohet përmes taksave të tjera mbi automjetet.
Pavarësisht akuzave të forta për favorizimin e oligarkëve, Berisha nuk sqaroi se cilët janë biznesmenët apo kompanitë që do të përfitonin konkretisht nga paketa e re fiskale.






















