Politika 2026-10-29 12:57:49 Nga VNA

Seanca parlamentare/ Flakadanët e opozitës përshpejtojnë miratimin e ligjeve të PS: Balluku vjen për votat, Spiropali lë kritikat në Facebook, por ngre kartonin jeshil

Ndaje në Whatsapp

Seanca parlamentare/ Flakadanët e opozitës përshpejtojnë

Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend është mbyllur mes tensioneve, tymit të flakadanëve dhe protestës së opozitës, por pa penguar mazhorancën socialiste të miratojë projektligjet e rendit të ditës. Përkundrazi, kaosi në sallë duket se i ka shërbyer shumicës për t'i përfunduar procedurat parlamentare me shpejtësi, duke u lënë deputetëve më shumë kohë për pushimin e fundjavës.

Mes projektligjeve të miratuara ishte edhe ai për Bankën e Shqipërisë, i cili mori 84 vota pro. Për shkak të shumicës së cilësuar që kërkonte miratimi i tij, socialistët u kujdesën të siguronin praninë e deputetëve të nevojshëm, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, i cili votoi dhe më pas u largua nga salla.

Në votim mori pjesë edhe Belinda Balluku, prania e së cilës nuk kaloi pa tërhequr vëmendjen. Ndonëse mungesa e saj në aktivitetin parlamentar ka qenë objekt diskutimesh, kur mazhorancës i duhen votat për të plotësuar numrat, kartoni i saj jeshil nuk mungon.

Të njëjtin karton ngriti edhe Elisa Spiropali, e cila kohët e fundit ka mbajtur qëndrime kritike përmes rrjeteve sociale. Por, ndërsa në Facebook nuk i kursen kritikat, në sallën e Kuvendit Spiropali vijon të mbështesë me votë nismat e mazhorancës. Të paktën në këtë seancë, qëndrimet kritike nuk u përkthyen në një votë kundër.

Projektligji për Bankën e Shqipërisë parashikon, ndër të tjera, mbrojtje të posaçme për Guvernatorin ndaj masave të arrestit për vepra penale që lidhen me ushtrimin e detyrës. Dispozitat e nenit 72 i japin Kuvendit rol në vlerësimin e lidhjes mes veprës së dyshuar penale dhe funksionit të Guvernatorit, duke përcaktuar kufizime për zbatimin e masave shtrënguese në rrethana të caktuara.

Ndërkohë, në krahun tjetër të sallës, deputetët e Partisë Demokratike vijuan protestën me flakadanë, pankarta dhe goditje tavolinash, duke kundërshtuar zhvillimin e seancës. Megjithatë, as tymi blu dhe as bllokimi i foltores nuk e penguan shumicën socialiste të vijonte votimet.

Në fund, opozita arriti të krijonte zhurmë dhe tensione për shown e radhës mediat, por jo të ndalonte miratimin e ligjeve. Madje, protestat e saj prodhojnë edhe një efekt paradoksal, ndërsa demokratët përpiqeshin të pengonin punimet, socialistët i përfunduan ato me ritëm të përshpejtuar, pa një debat të mirëfilltë parlamentar.

Kështu, seanca u mbyll me ligjet e miratuara, opozitën që vijoi protestën dhe mazhorancën që siguroi votat e nevojshme. Një përfundim ku flakadanët nuk ndryshuan rezultatin e votimit, por duket se ndihmuan që dita parlamentare të përfundonte më shpejt dhe deputetët të nisin pushimet e fundjavës pak më shpejt.

 

Lexo gjithashtu

Video

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news