Me 84 vota pro, Kuvendi miratoi ligjin që i garanton guvernatorit të Bankës së Shqipërisë mbrojtje të posaçme nga arrestimi dhe kontrollet pa autorizimin e Kuvendit për vepra të lidhura me detyrën. Vetëm pas miratimit, Sali Berisha u kujtua të denonconte një “regjim absolutar”, ndërsa PD nuk kishte zhvilluar asnjë kundërshtim të dokumentuar parlamentar ndaj dispozitës.
Më 27 tetor, kur projektligji u shqyrtua në Komisionin e Ligjeve, deputetët demokratë zgjodhën të largoheshin. Neni 72 kaloi pa një debat të dokumentuar nga opozita. Madje, pikëpyetjet për mbrojtjen e guvernatorit i ngriti socialisti Damian Gjiknuri.
Vetëm pas votimit Berisha shpërtheu në Facebook: “Është më e ndershme që Edi Rama të legalizojë vjedhjen, sesa të bëjë ligje të veçanta për mbrojtjen e vet dhe të ‘derrave’ të tij”, shkroi ai, duke iu referuar “Fermës së Kafshëve” të Orwell-it. Pas miratimit reagoi edhe Belind Këlliçi, duke akuzuar Ramën se kishte mobilizuar çdo votë të mazhorancës.
Por nëse ligji ishte kaq i rrezikshëm, përse PD nuk e kundërshtoi kur diskutohej? Përse nuk kërkoi ndryshimin apo heqjen e dispozitës? Heshtja në komisione nuk mbulohet me statuse në Facebook dhe fakti që deputetët demokratë nuk e votuan ligjin nuk i çliron nga përgjegjësia për mungesën e kundërshtimit parlamentar.
Sepse PD nuk mund të fshihet pas gishtit. Heshtja kur ligji diskutohej dhe indignata pasi u miratua nuk e mbulojnë dot aleancën fluide mes PD-së dhe PS-së. Rama siguroi votat, Berisha bëri statusin. Njëri e kaloi ligjin, tjetri u kujtua ta kundërshtojë kur gjithçka kishte përfunduar.






















