Ekskluzive 25 April 2025, 14:47 Nga VNA

Ekskluzive/ Vrasja e Egli Progës, i dyshuari kryesor Denis Meçe ndryshon versionin për ngjarjen. Prokuroria hetime të reja pas dëshmisë së tij

Ndaje në Whatsapp
Ekskluzive/ Vrasja e Egli Progës, i dyshuari kryesor Denis Meçe

 

Pak ditë pasi Prokuroria e Korçës përfundoi hetimet për vrasjen e Egli Progës dhe u komunikoi akuzat të pandehurve, Denis Meçe, protagonisti kryesor i ngjarjes, ka vendosur të ndryshojë qëndrim dhe të paraqesë një version të ri të saj.

Prokuroria i kishte komunikuar Meçes akuzën e “vrasjes me dashje” ndaj Egli Progës, ndërsa për tre personat e tjerë — Leonidha Guçe, Voltan Shkullaku dhe Arjan Manellari — ishin ngritur akuzat për “moskallëzim të krimit” dhe “kryerje të veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.

Teksa po kryheshin veprimet e fundit për të dërguar dosjen për gjykim, përmes avokatit Eduart Muçi, i pandehuri Denis Meçe ka kërkuar të japë sqarime të mëtejshme. Ai ka paraqitur një version të ndryshëm të ngjarjes, duke pretenduar se brenda ambjenteve të lokalit “Stropcka”, Egli Proga është goditur nga Leonidha Guçe, pronari i lokalit. Sipas Meçes, ai vetë e ka goditur vetëm në ambientet e jashtme të lokalit.

Për shkak të këtyre rrethanave të reja, prokuroria ka nisur hetime të thelluara dhe me shumë mundësi do të shtyjë afatin e dërgimit të dosjes në gjykatë. Gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar edhe ballafaqime mes të pandehurve dhe dëshmitarit okular, Andi Shkulaku, i cili u arrestua së fundmi dhe ka dhënë dëshmi kontradiktore sa herë është përballur me ta.

“Në cilësinë e dëshmitarit okular të ngjarjes së datës 10.08.2024, ku mbeti i vdekur shtetasi Egli Proga, ai me dashje dhe qëllimisht ka mbuluar një prej autorëve të kësaj ngjarjeje, konkretisht shtetasin Leonidha Guçe, me të cilin kishte marrëdhënie të ngushta shoqërore. Ky shtetas, jo vetëm që nuk ka kallëzuar krimin, por ka dhënë deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore, duke mohuar kategorikisht se ndaj viktimës janë kryer veprime të dhunshme brenda lokalit 'Stropcka’”, njoftoi prokuroria pas arrestimit të Shkulakut.

Egli Proga humbi jetën më 10 gusht 2024, pas goditjeve nga i pandehuri Denis Meçe. Pas ngjarjes shpërthyen protesta të shumta, ku u kërkua edhe dorëheqja e Ministrit të Brendshëm.


 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme