Kronika 10 June 2026, 13:45 Nga VNA

Dosja “AKSHI” në Gjykatën e Lartë, rekursi i Horizon dhe pyetjet që ngre çështja

Ndaje në Whatsapp
Dosja “AKSHI” në Gjykatën e Lartë, rekursi i Horizon

Më 11 qershor 2026, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë rekursin me nr. akti 31001-00497-00-2026, të paraqitur nga kompania HORIZON sh.p.k. Çështja do të gjykohet nga një trupë e përbërë nga gjyqtarja Enkelejda Metaliaj në cilësinë e relatores, si dhe nga gjyqtarët Arbena Ahmeti dhe Gentian Medja.

Vëmendje të veçantë tërheq përfshirja në këtë trupë e gjyqtares Arbena Ahmeti. Sipas të dhënave publike, ajo ka shqyrtuar më herët edhe çështjen e njohur si dosja e “Byzylykëve”. Me vendimin nr. 00-2024-467, datë 13 shkurt 2024, gjykata kishte arritur në përfundimin se shteti duhej t’i paguante 1.5 milionë euro bashkimit të kompanive Fastech, Ratech dhe Soft & Solution, edhe pse byzylykët elektronikë nuk kishin funksionuar. Kompania Soft & Solution ka si pronar biznesmenin Ermal Beqiri.

Në këto rrethana, në sallën e Gjykatës së Lartë rikthehen sërish disa prej protagonistëve të dosjeve që kanë tërhequr vëmendjen publike: nga njëra anë Ermal Beqiri dhe nga ana tjetër një prej gjyqtareve që ka shqyrtuar më parë çështje ku ai ka pasur interes. Kjo nuk paraqitet si akuzë, por si një fakt rrethanor që, sipas autorit të analizës, meriton të njihet nga opinioni publik.

Objekt i rekursit është vendimi nr. 14, datë 19 shkurt 2026, i Gjykatës Administrative të Apelit. Me këtë vendim, gjykata u dha të drejtë operatorëve ekonomikë konkurrues që kishin ngritur padi dhe shfuqizoi vendimin nr. 1054 të Komisionit të Prokurimit Publik për tenderin “Përmirësim i sistemit të thesarit”.

Bëhet fjalë për një prokurim me fond limit mbi 750 milionë lekë pa TVSH, ku autoritet kontraktor ishte AKSHI. HORIZON kishte qenë pjesë e ofertës fituese, e vetmja e konsideruar e vlefshme, me një vlerë prej rreth 680 milionë lekësh. Sipas materialeve të dosjes së SPAK, pjesë të së cilës janë bërë publike në media, kjo ofertë dyshohet se ishte shoqëruar me veprime në kundërshtim me ligjin, përfshirë largimin e operatorëve konkurrues.

Aktualisht, HORIZON ndodhet nën sekuestro, pasi është përfshirë në hetimet e SPAK në kuadër të dosjes “AKSHI”. Sipas aktit të sekuestrimit, kompania dhe zotëruesi i saj paraqiten si pjesë e një mekanizmi që dyshohet se synonte kontrollin e procedurave të prokurimit pranë AKSHI-t për të siguruar përfitime materiale të paligjshme.

Figura qendrore e kësaj historie mbetet biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë HORIZON. Në dosjen e SPAK përmendet gjithashtu administratorja e kompanisë, të cilën prokuroria e konsideron person në varësi të Beqirit. Hetuesit dyshojnë se emri i saj është përdorur për regjistrimin e një jahti luksoz, i cili sipas SPAK kontrollohej në fakt nga vetë Beqiri. Edhe ky aset është vënë nën sekuestro.

Ndaj Ermal Beqirit rëndojnë akuza për konkurrencë të paligjshme me anë të dhunës, krijim të grupit të strukturuar kriminal, privim të paligjshëm të lirisë, kryerje veprash penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe korrupsion. Për akuzën e korrupsionit ndaj tij është caktuar në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg”.

Prej kohësh, dosja “AKSHI” është paraqitur në debatin publik si një çështje e lidhur drejtpërdrejt me qeverinë dhe me mënyrën e administrimit të prokurimeve publike gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Megjithatë, një element tjetër ka tërhequr vëmendjen. Rekursi i paraqitur nga HORIZON në Gjykatën e Lartë është përgatitur nga studio ligjore “Halimi”, e cila mban firmën e një ish-ministri të Partisë Demokratike.

Ky fakt krijon një kontrast me narrativën e përhapur deri më tani në një pjesë të debatit publik. Nëse dosja “AKSHI” është paraqitur si simbol i një skeme të lidhur me qeverinë, lind pyetja se si mbrojtja ligjore e një prej personazheve kryesorë të saj është marrë përsipër nga studioja e një emri të njohur të opozitës.

Sipas autorit të analizës, kjo është një mospërputhje që meriton të diskutohet publikisht. Nëse skema e përshkruar deri më sot shihet si e lidhur vetëm me qeverinë, atëherë si shpjegohet që mbrojtja ligjore e një prej figurave kryesore të dosjes realizohet nga një studio e drejtuar nga një ish-përfaqësues i Partisë Demokratike?

Këto janë pyetjet që ngrihen në prag të shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë. Përgjigjen përfundimtare, megjithatë, pritet ta japë drejtësia, mbi bazën e provave dhe fakteve të dosjes. Deri atëherë, mbetet detyrë e opinionit publik të vlerësojë me kujdes informacionet që qarkullojnë dhe të mos mbështetet verbërisht te asnjë narrativë pa e verifikuar atë përmes fakteve.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme