Opinion 26 October 2026, 08:20 Nga D.M

Vuçiçi dhe pasqyra e Ramës: Kosova, autokracia dhe hija e krimit mbi pushtetin

Ndaje në Whatsapp
Vuçiçi dhe pasqyra e Ramës: Kosova, autokracia dhe hija e

1.  “Vuçiçi është bos për ty!”

Sipas një rrëfimi publik, Edi Rama ia dërgoi këto fjalë Albin Kurtit në një mesazh privat në vitin 2021. Autenticiteti i këtij mesazhi nuk është verifikuar. Por vendimet publike të Ramës mjaftojnë për të ngritur pyetje mbi raportin e tij me Aleksandar Vuçiqin. Si ndodhi që ish-ministri i propagandës së Millosheviqit, një president serb që ruajti lidhjet me Vladimir Putinin, u bë partneri i privilegjuar rajonal i kryeministrit shqiptar, ndërsa marrëdhëniet e këtij të fundit me udhëheqjen e Kosovës hynin në përplasje të vazhdueshme? Vuçiçi ka dominuar Serbinë për më shumë se një dekadë, mes akuzave për kontroll institucional e mediatik dhe lidhje të dyshuara të rrethit të tij me krimin. Marrëdhënia Rama–Vuçiç ngre kështu pyetje edhe për modelet e qeverisjes.

2.  Kosova: kujtesa e luftës dhe normalizimi i Vuçiçit

Mbi 13 mijë njerëz u vranë ose u zhdukën gjatë luftës në Kosovë; qindra mijëra shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Mbi 1100 fëmijë shqiptarë ishin vrarë e masakruar nga forcat serbe. Aleksandar Vuçiçi ishte ministër i Informacionit i Millosheviçit në vitet 1998–2000. Në dhjetor 2019 ai mohoi masakrën e Reçakut. Pak ditë më vonë, Rama e priti në Shqipëri dhe e shoqëroi në zonat e tërmetit, duke e rehabilituar Vuciçin mes familjeve shqiptare dhe fëmijëve të prekur nga tragjedia. Për kritikët, kjo normalizonte një udhëheqës që mohonte krimet ndaj shqiptarëve, ndërsa Serbia vazhdonte fushatën kundër shtetësisë së Kosovës. Bashkëpunimi ekonomik nuk është domosdoshmërisht i dëmshëm. Por a mund të normalizohen marrëdhëniet pa përballje me krimet e luftës dhe pa respektuar sovranitetin e Kosovës?

3.  Bushati, Cakaj dhe planet për kufijtë e Kosovës

Në fund të vitit 2018, në kulmin e debatit për korrigjimin apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Rama largoi Ditmir Bushatin dhe propozoi në vend të tij Gent Cakajn, një politikan 28-vjeçar nga Kosova. Kritikët e panë emërimin e një politikani nga Kosova si mburojë për nismat e diskutueshme territoriale. Motivi nuk është provuar, por koha e zgjedhur ngre pyetje. Presidenti Ilir Meta refuzoi ta dekretonte Cakajn, duke ngritur shqetësime për përvojën, qëndrimet ndaj kufijve dhe verifikimin e sigurisë. Rama mori vetë postin e ministrit të jashtëm dhe ia delegoi kompetencat Cakajt. Më vonë, Cakajt iu atribuua karakterizimi i Vuçiçit si «Gëbelsi i Millosheviçit», në një takim ndërkombëtar në Strasburg. Kjo u pa si pikë e mundshme ftohjeje me Ramën. Më 29 dhjetor 2020, Cakaj dha dorëheqjen e parevokueshme. Mbetet pyetja: përse Rama zgjodhi një ministër kaq të ri nga Kosova pikërisht kur diskutohej ndryshimi i kufijve të saj?

4.  2019–2020: Haradinaj, ndarja e Kosovës dhe padia në gjykatë

Përplasja me Ramush Haradinajn ishte ndër më të ashprat e Ramës me një udhëheqës të Kosovës. Haradinaj e akuzoi se, bashkë me Hashim Thaçin dhe Vuçiçin, Rama ishte përfshirë në planet për shkëmbimin e territoreve. Ai ngriti edhe pretendime për interesa financiare lidhur me Trepçën dhe një shumë prej 10 miliardë eurosh, që sipas tij do të ndahej mes tre udhëheqësve. Rama i quajti shpifje. Më 15 janar 2020, pikërisht në përvjetorin e Reçakut, Rama paraqiti në Gjykatën Themelore të Prishtinës një padi civile kundër Haradinajt për cenim të reputacionit dhe dinjitetit. Haradinaj e quajti përpjekje për t’iu shmangur debatit mbi kufijtë. Më 30 qershor 2020, Rama e tërhoqi padinë. Debati për territorin e Kosovës kishte arritur deri aty sa kryeministri i Shqipërisë paditi në gjykatën e Prishtinës një ish-kryeministër të Kosovës, ish-komandant të UÇK-së, për akuzat mbi një marrëveshje të mundshme me Serbinë.

5.  2020: Krusha e Madhe dhe Vjosa Osmani

Në nëntor 2020, Rama futi në polemikën me Lulzim Bashën pretendimet për një regjistrim të masakrës së Krushës së Madhe. Atje, në mars 1999, forcat serbe vranë 241 civilë shqiptarë. Rama e përdori çështjen për të sulmuar Bashën dhe tërhoqi në polemikë edhe dëshmitarin Milaim Bellanica. Banorët e Krushës kërkuan që vuajtja e tyre të mos përdorej politikisht. U kritikua edhe mungesa e një gjesti përkujtimor të krahasueshëm nga zyrtarët shqiptarë në varret e viktimave. A mund të shndërrohet kujtesa e masakrave të Kosovës në instrument për të goditur një kundërshtar politik në Tiranë? Në dhjetor, Rama u përplas me Vjosa Osmanin. Gjatë vizitës në Shqipëri, ajo kundërshtoi Mini-Shengenin dhe ngriti çështjen e tarifës në Rrugën e Kombit, ndërsa Rama e akuzoi për propagandë elektorale. Mosmarrëveshja nuk kufizohej te Kurti.

6.  2021: Ballkani i Hapur dhe Goran Bregoviqi

Rama, Vuçiçi dhe Zoran Zaevi promovuan Ballkanin e Hapur, që u kritikua si mekanizëm paralel ndaj Procesit të Berlinit dhe tregut rajonal të mbështetur nga BE-ja. Kosova refuzoi të merrte pjesë për aq kohë sa Serbia nuk e njihte, sepse Beogradi mund të fitonte ndikim politik, pothuajse rol arbitri. Rama e mbrojti projektin me këmbëngulje, në përplasje të vazhdueshme me Kurtin dhe Osmanin. Në gusht 2021, koncerti i Goran Bregoviçit në Festivalin e Birrës në Korçë shkaktoi reagime të forta. Kundërshtarët e lidhën repertorin e tij, përfshirë këngën «Kalashnikov», me kujtesën e luftërave jugosllave. Rama i cilësoi reagimet si histeri mesjetare dhe fashiste. Polemikat nuk provojnë përgjegjësi të Bregoviçit për krime lufte. Por ato zbuluan hendekun mes kujtesës së luftës në Kosovë dhe mënyrës si kryeministri shqiptar zgjodhi t’i përgjigjej asaj. Problemi nuk ishte thjesht një koncert. Ishte trajtimi i ndjeshmërisë ndaj krimeve të luftës si prapambetje, ndërsa afrimi me Vuçiçin paraqitej si modernizim dhe pragmatizëm.

7.  2022: Rama dhe apelet për mirëkuptim ndaj Serbisë

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Shqipëria mbështeti sanksionet, ndërsa Serbia refuzoi t’u bashkohej dhe ruajti lidhjet me Moskën. Rama kërkoi vazhdimisht mirëkuptim europian për Vuçiçin. Më 23 qershor 2022, në samitin BE–Ballkani Perëndimor, Rama u kërkoi udhëheqësve europianë të merrnin parasysh rrethanat e Serbisë, përfshirë popullaritetin e Putinit në shoqërinë serbe. Në shtator, te Die Presse, ai e përsëriti këtë qëndrim, me argumentin se presioni mund ta shtynte Serbinë më pranë Rusisë. Ndërkohë, Komisioni Europian konstatonte se Serbia nuk ishte përafruar me masat kufizuese të BE-së kundër Rusisë. Kontrasti ishte i dukshëm: Shqipëria, anëtare e NATO-s, mbështeste sanksionet, ndërsa partneri kryesor i Ramës në Ballkanin e Hapur i refuzonte. Kosova kërkonte presion më të vendosur ndaj Serbisë, kurse kryeministri shqiptar u kërkonte europianëve mirëkuptim për vështirësitë e Vuçiçit.

8.  2023: Kriza e veriut dhe përplasja me Kosovën

Në pranverë, kriza në komunat veriore u shoqërua me protesta dhe përplasje me KFOR-in. Rama mbështeti kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për shtensionim dhe ushtroi presion politik ndaj qeverisë Kurti. Më 8 qershor, ai njoftoi se u kishte dërguar Emmanuel Macronit dhe Olaf Scholzit një projekt për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pa dakordësinë e qeverisë së Kosovës. Më 13 qershor, anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Gjakovë, dhe trembëdhjetë marrëveshje mbetën pa u nënshkruar. Për Ramën, kjo synonte ta mbronte Kosovën nga izolimi diplomatik. Për kritikët, e thelloi izolimin pikërisht kur Prishtina përballej me krizë sigurie. Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Milan Radoiçiç, atëherë nënkryetar i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit. Pas Banjskës, Rama propozoi që KFOR-i të merrte kontrollin e veriut, duke shkaktuar kundërshtime të reja në Prishtinë. Gazetari gjerman Michael Martens e përmblodhi afërsinë Rama–Vuçiç me ironi therëse: Rama ishte kryeministri më i mirë që kishte pasur Serbia që nga Nikola Pashiçi. Më vonë ai shpjegoi se kishte krijuar përshtypjen që Rama, në disa konflikte Kosovë–Serbi, mbështeste më shumë Beogradin.

9.  2024–2026: Studentët serbë dhe kufijtë e pushtetit

Më 1 nëntor 2024, shembja e strehës së betonit në stacionin e Novi Sadit mori 16 jetë. Studentët kërkuan transparencë për kontratat, hetim të korrupsionit të dyshuar dhe përgjegjësi. Protestat u shndërruan në lëvizje kombëtare kundër mënyrës së qeverisjes së Vuçiçit. Demonstruesit raportuan kërcënime, arrestime, dhunë policore dhe sulme nga civilë të lidhur, sipas tyre, me SNS-në. Më 15 mars 2025, gjatë protestës masive në Beograd, një valë paniku përshkoi turmën dhe protestuesit pretenduan përdorimin e një arme zanore. Autoritetet e mohuan, ndërsa në media qarkulluan pamje dhe deklarata ministrash serbë mbi posedimin e saj. Ekspertë të OKB-së kërkuan sqarime dhe hetim të pavarur. Edhe në Shqipëri janë ngritur akuza për forcë të tepruar policore, gaz lotsjellës, goditje dhe arrestime gjatë protestave. Pyetja është e njëjtë: sa të afta janë institucionet të hetojnë dhunën e policisë kur ajo ushtrohet ndaj kundërshtarëve të qeverisë? Në vitin 2026, lëvizja studentore serbe vazhdoi ta sfidonte Vuçiçin. Ajo tregoi se kërkesat për drejtësi e transparencë mund të shndërrohen në forcë politike kombëtare.

10.  Krimi i organizuar dhe institucionet: pasqyra më shqetësuese

Në Serbi, banda e Veljko Belivukut u bë simbol i brutalitetit të krimit të organizuar, me akuza për vrasje e tortura. Investigimet gazetareske ngritën pyetje për lidhjet e saj me njerëz pranë pushtetit dhe strukturave të sigurisë. Më 22 tetor 2026, revista Radar publikoi investigimin mbi komunikimet Sky ECC, «Vučko sad naš brat, Andrej glavni, kume». Në mesazhet e publikuara, persona nga rrjete kriminale pretendonin lidhje me figura pranë udhëheqjes serbe, përfshirë familjarë të Vuçiçit dhe njerëz të strukturave të sigurisë. Pretendimet kërkojnë verifikim të pavarur, por ngrenë pyetje serioze mbi ndikimin që krimi pretendon se ushtron mbi shtetin. Në Shqipëri, hetimet e SPAK-ut për korrupsionin, prokurimet dhe lidhjet e dyshuara mes zyrtarëve e rrjeteve kriminale kanë ngritur shqetësime për integritetin institucional. Veçanërisht domethënëse është historia e Vlora Hysenit. Ajo ishte shkarkuar nga drejtimi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në vitin 2021, por Rama e emëroi në vitin 2023 në krye të SHISH-it. Emërimi ngriti që në fillim pyetje për kriteret e përzgjedhjes: pse një drejtuese e larguar nga shërbimi inteligjent i Kosovës u zgjodh për të drejtuar shërbimin shqiptar? Problemet dhe polemikat që shoqëruan më pas drejtimin e saj e bëjnë këtë pyetje edhe më të mprehtë. Ato kërkojnë një bilanc të qartë të rezultateve të saj dhe të përgjegjësisë politike të Ramës për këtë zgjedhje. Këto çështje nuk provojnë përgjegjësi penale të kryeministrit. Por janë pjesë e bilancit politik të institucioneve që ai drejton. Kur dyshimet për ndikim informal prekin kontratat publike, policinë dhe shërbimin sekret, pyetja nuk është më vetëm çfarë ka bërë një individ, por kush e kontrollon realisht shtetin.

11.  Nga incineratorët te AKSHI: skandalet në majë të qeverisë

Në Shqipëri nuk kemi vetëm akuza opozitare. Kemi një varg hetimesh, masash sigurie, gjykimesh dhe dënimesh që kanë përfshirë ministra, zëvendëskryeministra, kryebashkiakë dhe drejtues institucionesh. Afera e incineratorëve solli procese penale ndaj Lefter Kokës dhe Arben Ahmetajt. Ky i fundit, një prej njerëzve më të fuqishëm të qeverisjes Rama, u largua nga Shqipëria dhe është përballur me akuza për korrupsion e pastrim parash. Koncesionet e sterilizimit dhe check-up-it u bënë objekt debatesh për kostot, procedurat dhe përfitimet publike. Ish-ministri Ilir Beqaj u përball me procedime për sterilizimin dhe për fondet e SASPAC-ut. Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, u arrestua dhe u përball me akuza për korrupsion. Belinda Balluku u përfshi në procedime të SPAK-ut për prokurimet publike, gjë që ngre pyetje për përgjegjësinë në nivelet më të larta të qeverisjes. Dosja e AKSHI-t solli dimensionin më shqetësues. Në dhjetor 2025, SPAK njoftoi hetime për manipulim të dyshuar tenderësh, konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë dhe veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal. Në qendër të dyshimeve u vendosën Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Masa sigurie prekën drejtues të AKSHI-t dhe një zyrtar policie. Hetuesit dyshonin se përfaqësues kompanish ishin detyruar të tërhiqnin ankimimet nga tenderët. Në prill 2026 u raportuan dyshime për tenderë të paracaktuar, transaksione financiare dhe përfitime të paligjshme, ndërsa pasuri u sekuestruan. Këto janë pretendime të prokurorisë, jo vendime përfundimtare fajësie. Por si mund të zhvillohet një skemë e tillë e dyshuar brenda institucionit që administron sistemet jetike të shtetit? Lista vazhdon. Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, u dënua për shpërdorim detyre. Safet Gjici u përball me drejtësinë për korrupsion. Vangjush Dako u procedua për akuza lidhur me ushtrimin e detyrës dhe projekte publike. Jorgo Goro u arrestua në kuadër të hetimeve për regjistrimin e pronave në Himarë. Olta Xhaçka u përball me polemika dhe procedura institucionale për investimet strategjike dhe konfliktin e mundshëm të interesit, një çështje që duhet dalluar nga akuzat penale formale dhe tani së fundi është përsëri në akuzë së bashku me bashkëshortin. Mirela Kumbaro, me vazhdimësinë e saj të gjatë në poste ministrore, përfaqëson përgjegjësinë politike për bilancin e politikave dhe rezultateve. Zegjine Çaushi, Sara Mila dhe roli i Dritan Hilës në debatin publik ngrenë një pyetje tjetër: çfarë modeli përfaqësimi, komunikimi dhe marrëdhënieje me pushtetin promovohet në politikë e media? Rastet kanë peshë dhe status juridik të ndryshëm. Por së bashku shtrojnë një pyetje që nuk mund të shmanget: Çfarë përgjegjësie mban drejtuesi i një qeverie kur kaq shumë njerëz të rëndësishëm të administratës dhe mazhorancës së tij përfshihen në hetime, procese apo dënime për korrupsion dhe shpërdorim detyre?

12.  Autokracia, partia-shtet dhe e ardhmja

Autokracia moderne nuk ka nevojë të mbyllë parlamentin apo të ndalojë zgjedhjet. Ajo mund të rritet brenda institucioneve demokratike, përmes klientelizmit, kontrollit mediatik dhe përqendrimit të pushtetit. Në Serbi janë dokumentuar presioni ndaj kundërshtarëve dhe dominimi i partisë në pushtet. Në Shqipëri, politizimi i administratës dhe privilegjet e interesave private kërkojnë llogaridhënie. SPAK-u është dallim i rëndësishëm, por nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë politike. Nga Cakaj e Haradinaj te Ballkani i Hapur dhe anulimi i takimit te Gjakovës, Rama i ka paraqitur vendimet e tij si pragmatizëm rajonal; kritikët i shohin si afrim me Beogradin në dëm të marrëdhënieve me Prishtinën. Bilanci nuk matet vetëm me deklarata, por me pozicionin e Kosovës, integritetin e institucioneve dhe mënyrën si ushtrohet pushteti. Për oligarkët dhe interesat e privilegjuara, dyert hapen me ceremoni. Të rinjve u mbetet dera e nisjeve e ikjes. Emigrimi nuk është vetëm çështje pagash: është mungesë besimi se puna dhe ndershmëria mjaftojnë për të ndërtuar një jetë dinjitoze. Pushteti e quan largimin zgjedhje, sikur mungesa e shpresës të ishte liri. «Le të flasë drejtësia.» Patjetër. Gjykata përcakton fajësinë penale, por qytetarët kërkojnë llogari politike për emërimet, kontratat dhe skandalet. Drejtësia nuk mund të shërbejë si vendi ku pushteti depoziton përgjegjësinë e vet dhe largohet duarbosh. Çdo inaugurim ka fytyrën e kryeministrit; çdo skandal, fytyrën e një vartësi. Për sukseset qeveris ai. Për dështimet, sapo e ka marrë vesh lajmin bashkë me ne. Studentët serbë treguan se qytetarët mund ta sfidojnë pushtetin. Në Shqipëri, të rinjtë duan të ndërtojnë jetën aty ku kanë rrënjët, jo të sakrifikojnë rininë për karriget e të tjerëve. Studentët kërkojnë një të ardhme në Shqipëri. Duan ta përmbysin autokracinë, sikurse studentët në Serbi. Rama kërkon një të ardhme në pushtet. Ti, si shqiptar, me kë je?

Video

“Bëhen natën, harrohen ditën.” Pas dhunës brutale të policisë ndaj të rinjve, Edi Rama u zgjua edhe këtë mëngjes me idenë se mund të bëjë dialog.

Aleksandar Vuçiç zgjodhi këngët dhe vallet për t’u përshëndetur me punonjësit e Presidencës së Serbisë, përpara dorëheqjes nga posti. Ai shfaqet duke kënduar dhe kërcyer me bashkëpunëtorët gjatë një pritjeje lamtumire.

Qindra qytetarë kanë mbushur rrugët e Beogradit me flakadanë, brohoritje dhe festime pas fitores së raportuar të Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi. “Kurrë më tiranë në vendin tonë”, deklaroi Ilija Srdanoviq, kryesuesi i listës. Sipas raportimeve paraprake, presidenti Aleksandar Vuçiç ka pranuar fitoren e studentëve, të cilët pritet të sigurojnë 135 deri në 140 mandate në Kuvend.

Shpirti i një të riu që kërkon drejtësi nuk mundet me dhunë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme