Një histori e pazakontë, e mbushur me dhimbje, guxim dhe shpresë, është sjellë në vëmendje nga gazetari Xhensil Shkëmbi, i cili gjatë një vizite në fshatin Qafëzez, pranë Ersekës, ka takuar rastësisht një grua shqiptare, jeta e së cilës mund të ishte shkatërruar në vitet ’90 nga rrjetet e trafikimit të vajzave drejt Italisë.
Ajo quhet Alma, është rreth të 50-ave dhe çdo vit kthehet në vendlindje për të kujtuar fëmijërinë, vështirësitë dhe njerëzit që ka lënë pas.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Shkëmbi rrëfen bisedën me të, një dëshmi që nis me një histori dashurie të rreme dhe përfundon me shpëtimin e një vajze shqiptare falë murgeshave italiane.
“Rashë në dashuri me një djalë mashtrues. Ai ishte trafikant. Më premtoi jetën e lumtur në Itali. Hipëm në gomone në Vlorë në vitet ’90 dhe përfundova në brigjet italiane”, i ka treguar Alma gazetarit.
Vetëm pasi mbërriti në Itali, ajo kuptoi se burri që i kishte premtuar një jetë të re ishte pjesë e një rrjeti trafikimi. Sipas rrëfimit të saj, në atë vend ndodheshin mbi 40 vajza shqiptare, të cilat ishin mashtruar me premtime të ngjashme dhe më pas detyroheshin të prostituonin.
Por Alma vendosi të mos pranonte fatin që i kishin përgatitur.
“Unë isha vajzë grifshë që këtej. Isha rritur nëpër ara. Ata të dhunonin për vdekje në qoftë se nuk punoje. Nuk e dija as ku isha”, kujton ajo.
Një natë, arriti të arratisej. Në një qytet të huaj, pa njohur askënd dhe pa ditur ku të shkonte, trokiti në dyer që nuk iu hapën. Derisa gjeti një derë të hapur: atë të një manastiri.
Murgeshat e dëgjuan, e strehuan dhe e mbrojtën. Madje e veshën si murgeshë, duke i dhënë mundësinë të niste një jetë tjetër.
Për pesë vite Alma qëndroi pranë tyre, ndoqi shkollën dhe nisi studimet për infermieri. Pikërisht gjatë asaj periudhe njohu edhe burrin që sot është bashkëshorti i saj dhe babai i dy fëmijëve, Sarës dhe Robertos.
Për murgeshat që e shpëtuan, ajo ruan një mirënjohje që nuk është zbehur nga vitet.
“Janë perënditë e mia në tokë. Më pranuan kur nuk kisha askënd. Më dhanë të haja, më strehuan, më larguan nga vdekja”, rrëfen Alma, e cila vazhdon t’i vizitojë edhe sot.
Por historia e saj nuk përfundon me shpëtimin personal.
Alma i ka treguar gazetarit Shkëmbi se sot përpiqet të ndihmojë gra shqiptare që vazhdojnë të jenë viktima të shfrytëzimit seksual në Itali.
“Unë shpëtova se u arratisa. Shumica nuk kanë forcë as të vrapojnë”, thotë ajo.
Madje, sipas Almës, vajza e saj ka zgjedhur të bëhet karabiniere pikërisht për të ndihmuar gra të pambrojtura, siç kishte qenë dikur e ëma.
Kur gazetari i kërkon leje të shkruajë për jetën e saj, Alma pranon, por me një porosi:
“Unë nuk para flas për jetën time. Por shkruaj diçka të mirë. Fundja, prostitutat nuk bëhen me qejf. Bëhen nga halli. Edhe murgeshat, për të nxjerrë nga halli.”
Dhe kur Shkëmbi e pyet se çfarë është ajo sot, përgjigjja e saj i jep kuptim gjithë historisë:
“Unë jam ‘prostituta murgeshë’. Unë jam ajo që fatin do e kishte rrugëve të errëta të Italisë ndërsa sot shijoj lirinë e familjen time. E sot, unë jam brenda çdo gruaje që do të jetojë jetën e saj në liri të plotë. Ama, kurrë e mashtruar.”
Në fund të bisedës, Alma ka edhe një mesazh për vajzat shqiptare që kanë përjetuar të njëjtën tragjedi: të mos turpërohen nga fatkeqësitë e tyre dhe të gjejnë forcën për të kërkuar lirinë.
“Fundja, e të më vrisnin, të paktën, nuk do thoshin, një prostitutë më pak. Por një grua më tepër që do vdiste për liri…”
Rrëfimi i sjellë nga gazetari Xhensil Shkëmbi është dëshmia e një gruaje që arriti t’i shpëtojë një prej plagëve më të rënda të Shqipërisë së viteve ’90, trafikimit të vajzave, dhe që sot përpiqet t’u japë të tjerave mundësinë që dikur ia dhanë asaj disa murgesha të panjohura italiane.






















