Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen ka njoftuar tërheqjen nga tregu amerikan të 208,724 automjeteve për shkak të një defekti që mund të ndikojë në sistemin e drejtimit dhe të rrisë rrezikun për aksidente.
Sipas Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada, tërheqja përfshin disa modele Volkswagen Tiguan të vitit 2018, Volkswagen Atlas të viteve 2018-2019, si dhe Audi Q3 të prodhuara gjatë viteve 2019-2021.
Autoriteti amerikan i sigurisë rrugore ka bërë të ditur se një nga bulonat që lidh mekanizmin e drejtimit me nënkornizën e automjetit mund të korrodohet me kalimin e kohës dhe të thyhet. Në rast të dëmtimit të bulonës, struktura e mekanizmit të drejtimit mund të çahet.
Ky dëmtim mund të shkaktojë humbjen e kontrollit mbi drejtimin e automjetit, duke rritur kështu rrezikun e një aksidenti.
Për të eliminuar problemin, serviset e autorizuara do të zëvendësojnë pa pagesë bulonin e montimit në anën e djathtë të mekanizmit të drejtimit.
Njoftimet për pronarët e automjeteve të prekura nga tërheqja pritet të dërgohen me postë duke nisur nga 10 nëntori.






















