“Nuk ka më asnjë vend ku të shpëtosh nga syzet inteligjente.”
Një grup gjerman për mbrojtjen e të drejtave ka bërë kallëzim penal kundër Meta-s dhe kompanive të tjera që shesin në Gjermani syzet inteligjente me teknologji AI, duke argumentuar se këto pajisje shkelin ligjet për privatësinë.
Grupi për të drejtat digjitale HateAid deklaroi të mërkurën se hedhja në treg e këtyre pajisjeve, veçanërisht Ray-Ban Meta Wayfarer, shkel ligjet gjermane për privatësinë digjitale. Ky është rasti i fundit që tregon se këto pajisje po përballen me një kontroll gjithnjë e më të madh ligjor në një vend ku e drejta për privatësi vlerësohet shumë.
“Nuk ka më asnjë vend ku të shpëtosh nga syzet inteligjente. Duhet të presësh që në çdo moment të filmohesh dhe më pas pamjet të publikohen në internet”, tha Josephine Ballon, drejtoreshë ekzekutive e HateAid.
Organizata kallëzoi drejtuesit e Meta-s, njësitë e prodhuesit të syzeve EssilorLuxottica, përfshirë Ray-Ban, si dhe shitësit me pakicë Fielmann, Apollo-Optik, Mister Spex dhe MediaMarkt, pranë njësisë së prokurorisë për krimet digjitale ZIT, me qendër në Frankfurt.
Mister Spex tha se nuk ishte njoftuar zyrtarisht për ndonjë kallëzim dhe se e merrte shumë seriozisht mbrojtjen e privatësisë. Kompanitë e tjera dhe ZIT nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
HateAid tha se kallëzimi bëhet në bazë të një ligji federal për mbrojtjen e të dhënave digjitale, i cili ndalon shitjen e pajisjeve të komunikimit të projektuara për të filmuar njerëz pa dijeninë e tyre.
Rregullatori gjerman për komunikimet digjitale, Agjencia Federale e Rrjetit, publikoi një deklaratë për syzet inteligjente në fund të vitit 2023, duke theksuar se pajisjet e lidhura që mundësojnë regjistrime të fshehta audio ose video janë të ndaluara.
Agjencia, e njohur si BNetzA, i tha Reuters të mërkurën se po monitoronte nga afër tregun e syzeve inteligjente, por se për momentin nuk po zhvillonte zyrtarisht ndonjë hetim për shkelje.
“Zotërimi, importimi ose shitja e syzeve inteligjente nuk është e ndaluar… për sa kohë funksioni i regjistrimit është qartësisht i dukshëm, për shembull përmes një sinjali optik”, tha një zëdhënës.
Televizioni gjerman SWR raportoi në korrik se agjencia shtetërore për mbrojtjen e privatësisë në Hamburg po ndërmerrte hapa ligjorë lidhur me përdorimin e syzeve inteligjente.
HateAid tha në deklaratën e saj se kishte regjistruar një rritje të rasteve të dhunës digjitale të bazuar në imazhe, kryesisht ndaj grave.
“Syzet inteligjente tani mundësojnë që një teknologji veçanërisht e padukshme mbikëqyrjeje të maskohet si një objekt i zakonshëm i përditshëm.”




















