Sociale 12 Janar 2025, 09:20 Nga VNA

Turizmi optimist, por me hapa të kujdesshëm

Ndaje në Whatsapp
Turizmi optimist, por me hapa të kujdesshëm

Turizmi pritet që të ketë ecuri pozitive edhe këtë vit, duke mbajtur ritmin e vitit që sapo lamë pas, ku pavarësisht se objektivat e qeverisë për 14 milionë turistë nuk u materializuan, shifra ishte në rritje në raport me 2023. Operatorët turistikë vlerësojnë se kjo rritje për vitin 2025 mund të shkojë në 25% duke pasur si referencë rritjen e kontratave me garanci që është një sinjal për turizmin në tërësi, por edhe reflektimin për të hedhur këtë vit hapa më të kujdesshëm sesa në 2024 në lidhje me shërbimin edhe çmimet.

Horizonti i turizmit këtë vit shihet me optimizëm nga operatorët turistikë duke pritur që në shifra vizitorësh ai të jetë një vit i ngjashëm me vitin 2024 sa i përket rritjes. Ata vlerësojnë se Shqipëria mbetet ende një destinacion i preferuar nga të huajt, ku tashmë përveç artikujve në media ndërkombëtare, ndikimeve të rrjeteve sociale, ajo që po funksionon janë edhe eksperiencat pozitive që vizitorët ndajnë me miqtë e tyre.

Shqipëria po përjeton një kombinim të disa faktorëve që efektet pozitive të shifrave me të cilat u mbyll viti 2024 t’i vijojë edhe këtë vit, por përtej këtij optimizmi, ajo që të gjithë bien dakord është një sjellje më e kujdesshme karshi çmimeve dhe shërbimit.

Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, por njëkohësisht edhe operator turistik në tregun e turizmit të organizuar, vlerëson se sinjalet e një viti të mirë i ka dhënë korriku i vitit të shkuar, kur u nënshkruan kontratat e garancisë. Pra turizmi në tërësi ndjek të njëjtën tendencë të kontratave të parablera ndoshta me një luhatje më të vogël.

“Mendoj që edhe viti 2025 do të jetë në të njëjtin ritëm rritjeje si kontratat me garanci të nënshkruara në verën që shkoi. Është një tendencë të cilën e vërej prej vitesh dhe përputhet pak a shumë me atë sesi mbyllet një vit turistik.

Parashikoj që turizmi të vijojë rritjen edhe këtë vit, ndoshta në nivelin 25% në raport me vitin 2024. Por duke thënë këtë duhet të tregojmë kujdes. Qeveria dhe biznesi i sektorit të turizmit duhet të jenë të matur me hapat që hedhin sepse konkurrenca rritet.

Vendet rreth nesh kanë politika agresive për të nxitur turizmin. Mjaft të përmend këtu masën që mori Maqedonia e Veriut në fund të vitit të shkuar, ku me një ligj të posaçëm subvencionon 12 euro për çdo person që fluturon nga Ohri.

Këto janë përfitime direkte për kompanitë dhe që e bëjnë tërheqës atë treg. Duhet të bëhemi të zgjuar dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë, duke treguar kujdes që të plotësojmë standardet e nevojshme e të përmirësohemi aty ku ka mundësi që turizmi të mbetet me rritje konstante.

Nëse qëndrojmë në vendnumëro duke u vetëkënaqur me momentin, atëherë rrezikojmë të humbasim terren përpara një turisti që gjithmonë do të zgjedhë atë që i duket më e arsyeshme” – shprehet z. Kasa.

Shqipëria vijon të mbetet ende një destinacion relativisht i lirë dhe ofron mundësi pushimi për grupe të ndryshme nga ata që duan pushime ekonomike deri te segmenti luksoz.

Megjithatë disa aspekte duhet të përmirësohen nga infrastruktura, tek menaxhimi i mbetjeve, plotësimi i bregdetit me marinat e jahteve apo rritja e standardit të shërbimit. Përtej këtyre elementeve, Arben Çipa, administrator i “SIPA Tours”, shprehet se këtë vit, ndoshta si fillim duhet të nisim me mospërsëritjen e gabimeve të vitit të shkuar.

“Pres që turizmi këtë vit të jetë në nivelin e vitit 2024, pra me të njëjtën tendencë. Është e vështirë të bësh një parashikim pasi fundi i një viti dhe fillimi i tjetrit janë si një periudhë stanjacioni ku nuk mund të shohësh qartësisht sinjalet e tendencat, por nga kontratat që kemi bërë për turizmin e organizuar pres që të jetë njëlloj.

Në lidhje me atë që ndodhi me çmimet vitin e shkuar mendoj se qasja duhet të jetë e kujdesshme. Kur bën diçka gabim herën e parë mbetet i tillë, nëse e përsërit do të thotë që nuk e sheh si gabim dhe herën e tretë do të nisë rënia dhe duhet të shmangim me çdo kusht që të nisë disheza e turizmit për arsye si këto.

Nuk duhet të përsëriten gabime të kësaj natyre qoftë dhe pa dashje”, – shprehet z. Çipa. Sipas tij duhet që në sezonin e ardhshëm, qeveria të fokusohet tek informaliteti duke balancuar konkurrencën e drejtë në sektor, në mënyrë që bizneset që paguajnë taksa të operojnë në një ambient të barabartë për të gjithë.

Nga ana tjetër, sipas tij, bizneset duhet të ndërgjegjësohen lidhur me çmimet por edhe të nisin të “buzëqeshin më shumë”, si një formë për të thënë se duhet të përmirësojnë shërbimin ndaj klientëve të tyre.

Turizmi i organizuar, këtë vit rikthehen nordikët, anglezët për herë të parë

Shqipëria po mbyll thuajse një dekadë me turizmin e organizuar, i cili vit pas viti ka parë diversifikim të vendeve nga vijnë vizitorët. Në fillim ishin çekët dhe polakët, që parapëlqenin kryesisht zonën e Golemit.

Grupet që pasuan ishin nordikët (që u tërhoqën për disa vite) të cilët do të rikthehen me kontrata garancie, si dhe spanjollët e gjermanët. Më të fundit por jo me kontrata garancie, por “allotment”, pra paguaj sa sjell janë anglezët.

“Ne, prej shtatë vitesh, vijojmë të punojmë me të njëjtën kompani sa u takon kontratave të garancisë. Janë kryesisht kontrata me çekë, polakë apo gjermanë në një masë më të vogël. Kemi gjithashtu edhe marrëveshje ‘allotment’, pra që paguan aq sa sjell, por me një rezervim paraprak.

Risi e këtij sezoni që vjen janë anglezët, pasi kanë shprehur interes për Shqipërinë dhe testimi i tyre i parë është me ‘allotment’.

Vëmë re gjithashtu se tregu gjerman ka më shumë interes për Shqipërinë. Nëse për disa vite me radhë ishte vetëm një kompani, tashmë janë disa prej tyre në konkurrencë për të sjellë turistë nga ky vend”, – tha për “Monitor”, Fatos Çerenishti, nga “FAFA Group”, që është grupi me kapacitetin më të madh të akomodimit në vend.

Hapja e aeroportit të Vlorës duket se zgjeron hartën e turizmit të organizuar në Jug. Deri më tani, ky turizëm lokalizohet kryesisht në Golem, Durrës, Lalëz për shkak të afërsisë me Aeroportin e Rinasit.

“Si turistë të organizuar këtë vit kemi edhe nordikët. Do të qëndrojnë në Vlorë dhe parashikohet që të kenë katër chartera në javë.

Sigurisht këto marrëveshje i kemi bërë duke pasur parasysh premtimin që na është dhënë nga qeveria, që do të bëhen testimet e aeroportit këtë vit dhe para verës do të nisin fluturimet.

Nëse kjo nuk ndodh, do të jemi në telashe të mëdha me agjencitë. Ata kanë siguruar flotën dhe kodet e nevojshme ndaj mbetemi në pritje”, – shprehet z. Rrahman Kasa, kryetar i Union Turistik Shqiptar, por edhe administrator i “Happy Tours”. Rënia e Euros bëri që edhe këtë vit, kontratat e garancisë të kenë një çmim më të rritur sesa ato të vitit 2024 me një dakordësi mes agjencive të huaja dhe strukturave akomoduese.

“Verën që shkoi kemi mbyllur kontratat me garanci në mes të gushtit. Zakonisht i mbyllnim në qershor apo fillim të korrikut, por këtë herë zgjatën më shumë.

Shkak për këtë u bënë kërkesat e strukturave akomoduese që kërkuan rritje me 25% të çmimeve, diçka që nuk u pranua nga agjencitë e huaja, pasi një rritje e ngjashme u aplikua edhe vitin e shkuar. Në fund u ra dakord për një rritje 10-15% sipas strukturave, si një formë për të amortizuar efektet e zhvlerësimit të Euros dhe rritjen e kostove të tjera”, – shprehet z. Kasa.

Turizmi patriotik si në 2024, Kosova pavarësisht lëkundjeve, peshë të rëndësishme

Liberalizimi i vizave për Kosovën u cilësua si arsyeja kryesore pse turizmi patriotik u lëkund disi gjatë vitit të shkuar, e theksuar sidomos gjatë verës. Të dhënat zyrtare konfirmuan se në gusht të vitit të shkuar, rritja e shqiptarëve të Kosovës ishte thuajse inekzistente ndërsa në shtator, hyrjet shënuan rënie me 19.2% në raport me shtatorin e 2023.

Por përpos liberalizimit të vizave, çka u jep mundësinë shqiptarëve të Kosovës të eksplorojnë destinacione të tjera, dy arsye që u lakuan gjithashtu si vendimtare në këtë rezultat ishin edhe zhvlerësimi i Euros ndaj Lekut, si dhe luhatja e çmimeve gjatë fundit të pranverës dhe fillimit të verës që krijoi perceptimin se Shqipëria ishte shtrenjtuar dukshëm.

Operatorët turistikë presin që tendenca e shqiptarëve të Kosovës për të eksploruar destinacione të reja duhet të pranohet përfundimisht sepse jemi përpara këtij realiteti dhe nuk mund t’i marrim më për të mirëqenë vetëm sepse dikur nuk kishin opsione të tjera.

Pa dyshim Shqipëria do të vijojë të mbetet e vizituar prej tyre në turizmin e fundjavëve, por edhe gjatë verës, por tashmë Kosova është një treg të cilin duhet ta tërheqim me politika dhe konkurrencë, ashtu si me çdo treg tjetër./ Monitor

Video

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e së dielës në aksin Levan–Tepelenë, në afërsi të fshatit Poçem, ku një kamion i ngarkuar me agrume është përmbysur anash rrugës. Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i lënduar drejtuesi i mjetit, shtetasi O. Rr., i cili është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, pasagjeri O. Sh. nuk ka pësuar dëmtime.

Për herë të parë në 30 vjet, bora ka rënë në pjesët veriore të Arabisë Saudite, duke mbuluar shkretëtirat dhe zonat malore, nga vargmalet Tuwaiq në perëndim deri pranë Riadit. Ngjarja është konsideruar historike nga mediat lokale. Banorët ndajnë pamje të rralla, por paralajmërojnë për rrugë të ngrira dhe temperaturë të ulët.

Mijëra pjesëmarrës të veshur si Babagjyshë morën pjesë në garën vjetore të bamirësisë të Kryqit të Kuq në Madrid. Gara u zhvillua fundjavën e fundit para Krishtlindjes, për të mbledhur fonde për qëllime humanitare dhe duke sjellë një atmosferë festive në kryeqytetin spanjoll.

Disa mijëra aktivistë nga e gjithë Serbia iu bashkuan protestave studentore në jugperëndim të vendit të dielën, duke protestuar kundër asaj që e përshkruajnë si presion qeveritar mbi universitetet shtetërore. Demonstrata, pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kundër ndërhyrjes politike në arsimin e lartë, ishte hera e parë që zhvillohej në Novi Pazar, një qytet me shumicë popullsie boshnjake myslimane. Studentët e Novi Pazarit u bënë të njohur në mbarë vendin pasi marshuan për ditë të tëra për t’iu bashkuar protestave masive në Novi Sad për të shënuar përvjetorin e parë të shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor, më 1 nëntor, që la të vdekur 16 persona. Tani, studentët thonë se administrata e universitetit u ka revokuar statusin e rregullt atyre që munguan për shkak të protestave dhe ka shkarkuar dhjetëra pedagogë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e bordit menaxhues të universitetit dhe zgjedhjen e një rektori të ri.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme