Dy gra me origjinë nga India, të braktisura si foshnja dhe të adoptuara nga familje të ndryshme, kanë zbuluar pas rreth katër dekadash se janë motra biologjike.
Meena Geltink dhe Minal Tijssen u rritën në familje të ndryshme në Holandë, pa e ditur se mes tyre ekzistonte një lidhje gjaku. Historia bëhet edhe më e pazakontë për faktin se rrugët e tyre ishin kryqëzuar shumë vite përpara se ADN-ja t’u zbulonte të vërtetën.
Ato u njohën në vitin 1996, gjatë një aktiviteti për fëmijë të adoptuar. Të dyja ndien menjëherë një afërsi të veçantë dhe nisën ta quanin me shaka njëra-tjetrën “motër”. Në atë kohë, megjithatë, nuk kishin asnjë arsye të besonin se kjo mund të ishte e vërtetë.
Më pas humbën kontaktet për rreth 15 vjet dhe jetët e tyre vazhduan në drejtime të ndryshme. Meena jeton në Holandë, ndërsa Minal në Francë.
Gjithçka ndryshoi në prill të vitit 2026, kur një test ADN-je i kryer përmes MyHeritage tregoi një përputhje që konfirmonte se ato ishin motra biologjike.
Zbulimi u dha përgjigje shumë pyetjeve që të dyja kishin mbajtur me vete gjatë jetës. Ato e përshkruajnë ribashkimin si gjetjen e një “pjese që mungonte”.
Sot, pavarësisht se jetojnë në vende të ndryshme, motrat komunikojnë çdo ditë dhe po përpiqen të rikuperojnë dekadat që kaluan pa e ditur lidhjen e tyre.






















