Për dekada qëndroi i mbyllur brenda një blloku shkëmbi në koleksionin e një muzeu në Oregon. Madje, kur u zbulua për herë të parë në fund të viteve 1980, paleontologët menduan se kishin përpara një të afërm të lashtë të deleve, deveve dhe derrave.
Por fosili rezultoi shumë më interesant.
Studiuesit e Universitetit të Michiganit kanë konfirmuar se skeleti rreth 30 milionëvjeçar i përket Mesocyon coryphaeus, një anëtari të hershëm të familjes së qenve që jetonte në Amerikën e Veriut shumë përpara Epokës së Akullnajave. Është një nga skeletet më të plota të këtij lloji të gjetura ndonjëherë.
Deri tani, specia Mesocyon coryphaeus, e identifikuar që në vitin 1879, njihej kryesisht nga kafka të veçuara. Ekzemplari i Oregonit ndryshon gjithçka: është ruajtur pothuajse i gjithë trupi, duke munguar vetëm bishti dhe pjesë të putrave.
Skeleti po u jep shkencëtarëve një pamje shumë më të qartë se si dukeshin dhe lëviznin paraardhësit e hershëm të qenve.
Ndryshe nga qentë, ujqërit apo kojotat e sotme, Mesocyon kishte këmbë relativisht të shkurtra, trup më të fuqishëm dhe kocka më të rënda. Anatomia tregon se nuk ishte ndërtuar për vrapime të gjata dhe ndjekje të shpejta të gjahut si shumë prej kanidëve modernë.
Madje, struktura e gjymtyrëve sugjeron se kafsha mund të ketë pasur aftësi më të mira për t’u ngjitur sesa pasardhësit e saj modernë, në një kohë kur pjesë të mëdha të Amerikës së Veriut mbuloheshin nga pyje.
Fosili ruan edhe një detaj të pazakontë që i ndihmoi studiuesit në identifikim: një rritje kockore të trashëgueshme në kyçin e dorës, e njohur si osteokondromë, e cila është konstatuar në një pjesë të konsiderueshme të fosileve të qenve më të hershëm.
Ruajtja është aq e plotë sa shkencëtarët arritën të përcaktojnë edhe seksin e kafshës: skeleti i përkiste një mashkulli.
Zbulimi është veçanërisht i rëndësishëm sepse familja e qenve mendohet se e ka origjinën në Amerikën e Veriut rreth 40 milionë vjet më parë. Mesocyon jetoi në një fazë të hershme të kësaj historie evolutive, shumë përpara shfaqjes së qenve modernë.
Një fosil që për vite u konsiderua si mbetje e një kafshe krejt tjetër po rezulton kështu një nga dritaret më të plota që kemi deri tani mbi botën e paraardhësve të qenve 30 milionë vjet më parë.






















