Organizatorët e Kampionatit Botëror të badmintonit në New Delhi kanë gjetur një mënyrë të pazakontë për të mbajtur majmunët larg sportistëve dhe stadiumit: kanë punësuar njerëz që imitojnë zërin e langurëve.
Majmunët rhesus janë shumë të zakonshëm në kryeqytetin indian dhe shpesh futen në ndërtesa apo afrohen te banorët. Problemi është shfaqur edhe në aktivitetet sportive.
Gjatë Indian Open këtë vit, një majmun u pa duke lëvizur në galerinë e stadiumit Indira Gandhi Indoor, duke krijuar një situatë të sikletshme për organizatorët.
Për Botërorin është zgjedhur një zgjidhje tradicionale. Disa burra të specializuar imitojnë thirrjet e langurëve, primatë më të mëdhenj me fytyrë të zezë, prej të cilëve majmunët rhesus kanë frikë.
Njëri prej tyre, Zafar, është brezi i tretë i familjes së tij që ushtron këtë profesion të pazakontë.
Sipas tij, qëllimi nuk është dëmtimi i kafshëve, por vetëm krijimi i përshtypjes se langurët ndodhen pranë, duke i detyruar majmunët e vegjël të largohen.
Dhe majmunët nuk janë problemi i vetëm. Organizatorët po luftojnë edhe me pëllumbat, pasi gjatë Indian Open një ndeshje u ndërpre dy herë për shkak të tyre. Në çatinë dhe kanalet e stadiumit është vendosur një xhel jotoksik për të penguar zogjtë të qëndrojnë aty.
India e sheh kampionatin edhe si një provë të aftësisë së saj për të organizuar aktivitete të mëdha ndërkombëtare, ndërsa do të presë Commonwealth Games 2030 dhe synon Lojërat Olimpike 2036.






















