Ekskluzive 14 January 2025, 20:52 Nga VNA

Tefta Tasi, një grua e lirë dhe në internim

Ndaje në Whatsapp

Tefta Tasi, vajza e ish-ministrit shqiptar në Kosovë, ish deputetit dhe avokatit Koço Tasi, është një nga shumë individët që përballuan me dinjitet internimin, burgun dhe përndjekjen gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Jeta e saj, u shënjua nga vuajtjet, padrejtësitë dhe stigma ndaj familjes së saj. Ajo mbetet një dëshmi e fuqisë njerëzore për të ruajtur dinjitetin përballë represionit.

Në vitin 1977, Tefta i drejtoi një letër proteste Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në Lushnjë, ku denonconte trajtimin e padenjë që i bëhej gjatë internimit, për ta detyruar të paraqitej në punë, ndonëse në kushte pamundësie shëndetësore. Përmes kësaj letre, ajo sfidoi organet e Sigurimit duke e bërë të qartë se as represioni nuk mund t’ia mohonte lirinë dhe dinjitetin. Në letrën e saj, të datës 10 shtator 1977, Tefta shkruante:

“Ndjehem e lirë brenda vetes sime dhe veproj pa bërë as kompromisin më të vogël me interesin, sepse para dinjitetit nuk vë asgjë.”

Tefta Tasi lindi në vitin 1933 në Athinë, në një familje të shquar shqiptare, e cila ishte vendosur në Greqi prej 1925. I ati, Koço Tasi, ka qene deputet dhe më pas ministër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas lufte, ai u dënua me 25 vjet burg si kolaboracionist dhe familja u përball me konfiskimin e pronave dhe masat e ashpra të internimit.

Tefta bashkë me familjen u internua fillimisht në Shkodër dhe më pas në Grabian, të Lushnjës. Tefta jetoi në kushte të vështira, duke punuar si rrobaqepëse. Në vitin 1975, masa e internimit ndaj saj u zgjat për pesë vite të tjera. Vëllezërit e saj, Leka dhe Ylli, gjithashtu ishin të internuar, ndërsa një tjetër vëlla, Napolon Tase, kishte vuajtur burg për veprimtari armiqësore.

Tefta Tasi ishte përshkruar nga Sigurimi ne dosjen e saj formulare, si një grua me “qëndrim moral të dobët” dhe e “ndikuar nga elementi armik.” Përkundrazi, letra e saj tregon një grua me dinjitet dhe mbrojtëse e lirisë së saj, ndonëse në kushte represioni dhe padrejtësish.

Letra:

Kryetarit të Degës së P. Brendshme

Lushnjë

Megjithëse e internuar, nuk e ndjej vehten inferiore në marrëdhëniet me njerëzit, por për fat të keq nuk ndodh kjo gjë dhe me të tjerët, të cilët mendojnë se me njerëzit e rënë, mund të bëjnë gjithçka: t’i ofendojnë, t’i tallin, t’i shtypin e t’i shajnë në rastin më të vogël. Këto gjëra kanë qenë të përditshme gjatë këtyre dy viteve. Nuk jam ankuar në instancat më të larta për dy arsye. Njëherë sepse me këta njerëz nuk kam kontakte të drejtpërdrejta dhe e dyta, se e kuptoj që nuk mund të ankohem për një mentalitet që është formuar prej vjetësh. Por kur ofezat vijnë nga njeriu i apelit që unë kam kontakt direkt dy herë në ditë, atëherë unë protestoj energjikisht dhe ju drejtohem duke ju thënë se ofezë nuk pranoj.

Të kundërshtosh për të mbrojtur interesin, qoftë dhe në dëm të dinjitetit, sot quhet një e drejtë e secilit, por të kundërshtosh për të mbrojtur dinjitetin, të shumtën e herës në dëm të interesit, sot quhet mendjemadhësi. E pra, unë këtu konsiderohem një mendjemadhe, sepse kur më prekin në dinjitet, unë përgjigjem duke kundërshtuar me forcë, edhe kjo sepse brenda vetes sime unë ndjehem njeri i lirë, e si njeri i lirë unë veproj pa bërë as kompromisin më të vogël me interesin, sepse para dinjitetit nuk vë asgjë.

Shkaku i kësaj letre-proteste ishte një incident me Nurien që ndodhi dje mbrëmje.

Ju paralajmëroj se në rast përsëritjeje, unë nuk do të paraqitem në apel, duke marrë parasysh edhe masat që ju mund të merrni në dëmin tim.

Me nderime

Tefta Tasi

Grabian, 10-IX-77

Video

Punojmë 8 orë në shtet…pastaj të gjithë te Spitali Amerikan

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme