Kronika 14 June 2026, 13:01 Nga VNA

SPAK zbulon skemën: Si dyshohet se paratë e kokainës investoheshin në ndërtim në Tiranë dhe në jug të Shqipërisë

Ndaje në Whatsapp
SPAK zbulon skemën: Si dyshohet se paratë e kokainës

Dosja hetimore “Black Eagle” nuk përshkruan vetëm trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, por edhe atë që SPAK e konsideron mekanizmin e pastrimit të fitimeve të krijuara nga ky aktivitet kriminal përmes industrisë së ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

Sipas dokumenteve hetimore, grupi i drejtuar nga Alfredo Hamzai dhe Luciano Koçeku kishte ngritur një strukturë të mirëorganizuar që kontrollonte të gjithë zinxhirin e trafikut, nga furnizimi me kokainë në Kolumbi, Ekuador, Paraguai, Brazil dhe vende të tjera të Amerikës Latine, deri te mbërritja e saj në portet e Antwerpit dhe Roterdamit, përpunimi në laboratorë në Belgjikë e Holandë dhe shpërndarja në tregjet europiane.

Nga komunikimet e SkyECC rezulton se anëtarët e grupit diskutonin për ngarkesa që transportoheshin të fshehura në qymyr, fruta, mish, sojë dhe mallra të tjera tregtare. Në një nga komunikimet e cituara në dosje, flitet për përgatitjen e një ngarkese prej 1.5 tonësh, ndërsa në raste të tjera përmenden linja trafiku që kalonin nga Peruja, Kolumbia, Argjentina, Brazili dhe Ekuadori drejt Europës.

Por sipas SPAK, aktiviteti nuk mbaronte me shitjen e drogës. Hetuesit pretendojnë se fitimet e krijuara nga trafiku qarkullonin më pas përmes shoqërive tregtare, investimeve në ndërtim dhe pasurive të paluajtshme. Në dosje përmendet konkretisht shoqëria “Nova Construction” sh.p.k., e regjistruar në emër të Ilir Shtufit, ndërsa organi i akuzës dyshon se kontrolli real i aktivitetit ekonomik ushtrohej nga Luciano Koçeku. Në dokumente përmenden gjithashtu Gëzim Islami dhe persona të tjerë që sipas hetuesve lidhen me menaxhimin e këtyre strukturave.

SPAK pretendon se përmes kompanive të ndërtimit realizoheshin investime në Tiranë dhe në bregdetin jugor të Shqipërisë, ndërsa pasuritë e krijuara më pas shiteshin, duke mundësuar futjen e kapitalit me origjinë kriminale në ekonominë formale. Sipas dosjes, Koçeku dyshohet se kontrollonte ndërtimet, shitjet dhe qarkullimin e parave të krijuara nga këto aktivitete.

Dokumentet përmendin gjithashtu qarkullimin e shumave shumë të mëdha monetare. Nga analizat e komunikimeve dhe transaksioneve, SPAK referon pagesa dhe lëvizje financiare që arrijnë në rreth 12.6 milionë euro, 14.1 milionë paund, mbi 5 milionë dollarë dhe 1.5 milion pesos, shuma që sipas hetuesve lidhen me aktivitetin e grupit kriminal.

Dosja përshkruan Luciano Koçekun si personin që koordinonte jo vetëm trafikun e lëndëve narkotike, por edhe transferimin e fitimeve, përdorimin e kriptomonedhave, sistemeve informale të pagesave dhe investimet në sektorë ekonomikë që mundësonin fshehjen e origjinës së parave. Sipas SPAK, qëllimi ishte shkëputja e lidhjes mes të ardhurave nga kokaina dhe pronarëve realë të pasurive të krijuara me këto para.

Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjitha asetet, projektet ndërtimore dhe subjektet ekonomike që mund të jenë përdorur për pastrimin e fitimeve të krijuara nga një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës të goditura vitet e fundit.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme